Connect with us

Aktuale

T’i ndryshojmë qytetet

Published

on

Jo trafik, reduktim i ndotjes, solidaritet midis njerëzve, masa në favor të më të dobtëve. Gjatë këtyre muajve banorët e qyteteve kanë eksperimentuar një mënyrë të re të jetuari. Një mësim i rëndësishëm për të ardhmen.

Prej disa javësh jeta në qytete është vënë në gjendje pauze. Rrugë të heshtura, qiej bosh, parqe të shkreta, kinema, bare dhe muzeume të mbyllura. Frenezia e punës dhe e blerjeve, kaq familjare deri pak muaj më parë, është ndërprerë. Izolimi ka krijuar qytete fantazmë. Tani bllokimi ka përfunduar dhe jeta ka rimarrë ritmin e zakonshëm, por pandemia nuk i ka fshirë problemet afatgjata: varësinë nga lëndët djegëse me bazë fosile, rritjen e emisioneve të CO2, ajrin e ndotur, një treg imobiliar disfunksional, humbjen e biodiversitetit, hendekun midis të pasurve e të varfërve, punën e keqpaguar. Shpejt do të duhet të kthehemi e të merremi me to.

Kriza e Covid-19 na ka ofruar një perspektivë të re lidhur me këto probleme dhe mbi limitet e jetës urbane e dekadave të fundit. Qytetet janë nyje kryesore të shoqërisë tonë globale të ndërlidhur. Lehtësojnë qarkullimin e njerëzve, produkteve dhe parave, fitimet e kompanive dhe privatizimin e trojeve, të resurseve dhe të shërbimeve bazë. Kjo situatë u ka sjellë përfitime disa njerëzve, falë mundësisë për t’u spostuar lehtësisht, bollëkut të mallrave të konsumit, aftësisë për të thithur investime dhe një rritjeje të qëndrueshme ekonomike.

Por bota urbane e globalizuar ka edhe një anë të errët: një shoqëri jashtëzakonisht e ndërlidhur mund ta transformojë me shpejtësi një epidemi lokale në pandemi. Veç kësaj, sektorë të gjerë të ekonomisë menaxhohen nga kompani të mëdha, që jo gjithmonë shikojnë interesat e popullsisë, resurset dhe trojet mund të mbesin të papërdorshëm për vite të tëra dhe punonjësit e keqpaguar e ekonomisë informale ose të gig economy janë të ekspozuar ndaj rreziqesh të mëdha dhe kanë pak mbrojtje. Ky model paraqet kushtet ideale për përhapjen e sëmundjeve si Covid-19 dhe është absolutisht i papërshtatshëm t’i përballojë. Sistemi i vjetër, që parashikonte konkurrencën midis qyteteve për ta përmirësuar pozicionin e tyre në rendin global, nuk ka qenë kurrë jashtëzakonisht i përshtatshëm për të plotësuar nevojat e të gjithëve. Por sot kemi nevojë të përmirësojmë bashkëpunimin dhe këmbëngulja vendore duket deri e rrezikshme.

Pyetja themelore

Pas pandemisë do të na duhet të ndeshemi me një pikepyetje ekzistenciale: çfarë shërben vërtet një qytet? Për të favorizuar rritjen, tërhequr investime dhe konkurruar me rivalët në skenën botërore? Apo për të përmirësuar cilësinë e jetesës e të gjithëve, favorizuar mbështetshmërinë dhe aftësinë e përballimit të vështirësive? Një qasje nuk e përjashton gjithmonë tjetrën, por problemi është të gjendet një ekuilibër. Përtej pozicioneve politike e ideologjike, pjesa më e madhe e njerëve thjesht do të ketë shëndet të mirë dhe të ndjehet e sigurtë, sidomos përballë kërcënimeve të së ardhmes, qofshin ato të lidhura me klimën, fenomenet atomosferike apo me virusët.

Pandemia na ka futur të gjithëve në një eksperiment kolosal në kohë reale, plot me shembuj sesi mund të jetë një ardhme më e mbështetshme. Sot kemi në rast unik për të studiuar e vlerësuar se cilat nga këto përvoja mund të përdorim për të ndërtuar qytete më të mbështetshme e më të sigurta. Në shumë qytete i është dhënë drita jeshile ndryshimeve të shpejta për të kontrolluar më mirë ekonominë, shëndetësinë, transportin dhe furnizimin ushqimor. Jemi të rrethuar nga masa të politikës urbane progresiste: bllokim i nxjerrjeve nga shtëpia, shtetëzim i shërbimeve, asistencë shëndetësore dhe transporte publike falas, leje për sëmundje dhe rroga të garantuara. Veç kësaj, po shtohen rrjetet e asistencës të krijuara nga qytetarët e thjeshtë që ofrohen vullnetarë për të ndihmuar më të dobëtit në jetën e përditshme. Idetë radikale e djeshme janë bërë zgjedhjet pragmatike e sotme. Risitë e prodhuara nga kriza mund të na mësojnë shumë, duke na ndihmuar që të krijojmë një politikë urbane që, përtej urgjencës, mund ta bëjnë jetën më të pëlqyeshme e më të sigurtë për të gjithë.

Reduktimi i automobilave

Gjatë lockdown miliona njerëz në të gjithë botën janë ndodhur në kontekste urbane shumë më të heshtur respektivisht së kaluarës. Mbi bazën e kësaj përvoje mund të imagjinohet dhe të realizohet një lloj i ri mobiliteti urban. Disa administrata vendore tashmë po e bëjnë. Për shembull, Komuna e Milanos ka njoftuar se pas krizës do t’i transformojë 35 kilometra rrugë për automjete në zona biçikletash dhe pedonale. Zvogëlimi i trafikut automobilistik u ka treguar qytetarëve sesi dë të ishte jeta në lagje më të jetueshme e të pedonalizuara. Pas mbarimit të masave kufizuese do të na duhet të kthehemi e të përballemi me nevojën e emetimit të gazrave të shkaktuara nga transporti dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit. Është një problem kryesor: ulja e qarkullimit të makinave, sipas disave deri me 60% brenda 2030, mund të jetë e domosdoshme për të shmangur një ngrohje globale me efekte shkatërrimtare. Kjo ulje do të zgjidhte një seri problemesh të vështira urbane: zhdukjen e hapësirave publike, rritjen e borxhit, shtimin e qendrave tregtare në periferi, zvogëlimin e zonave tregtare në qendrat e qyteteve, vdekjet e shkaktuara nga incidentet rrugore, cilësia e ulët e ajrit dhe rritja e emisionit të gazrave. Një transport publik i aksesueshëm, ekonomik dhe pa emisione gazrash është esencial për krijimin e një të ardhmjeje më pak të varur nga makinat.

Kriza aktuale ka evidentuar një hendek të konsiderueshëm për sa i përket mundësisë së spostimit në qytet. Në shumë qytete liberalizimi dhe privatizimi i kanë mundësuar disa kompanive të menaxhojnë pjesë të transporteve në interes të aksionerëve dhe jo të përdoruesve. Miliona njerëz nuk mund t’ia lejojnë vetes të blejnë as makinë, as abonim për mjetet e transportit publik. Kjo situatë ka pasur pasoja të mëdha gjatë pandemisë. Për shumë njerëz të pamundur, mundësia e përdorimit të mjeteve publike për të arritur spitalet, vendet e furnizimit me ushqime dhe shërbime të tjera esenciale mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes. Covid-19 ka demonstruar se deri në çfarë pike disa kategori punëtorësh janë të domosdoshëm në jetën tonë. Është esenciale t’u garantohet këtyre njerëzve mjete transporti ekonomike dhe me cilësi të mirë. Qysh përpara pandemisë problemi ishte paraqitur: më 2018 një qytet francez ka ndërtuar transport falas, ndërsa qeveria e Luksemburgut ka eliminuar biletat në të gjitha mjetet publike. Kriza shëndetësore e ka përshpejtuar procesin, duke i shtyrë disa administrata lokale në të gjithë botën që t’i bëjnë falas transportet, sidomos për punonjësit esencialë dhe për njerëzit më të dobët.

Një tjetër masë themelore është ajo e inkurajimit të spostimeve që detyrojnë të bëhet aktivitet fizik. Në shumë vende biçikletat konsiderohen tashmë prej kohësh si opsioni më i mirë për të lëvizur. Zonat pedonale dhe pistat çikliste mund të kenë një rol vendimtar në spostimet urbane, përveçse të kenë një një efekt pozitiv ndaj shëndetit të qytetarëve. Nevoja e distancimit fizik midis njerëzve ka bërë që të shfaqen mangësi të mëdha hapësirash pedonale. Për të përmirësuar aftësinë përshtatëse dhe reagimin e zonave urbane do të jetë themelore të rritet sipërfaqja e trotuarëve dhe kufizimi i hapësirave për mjetet motorike. Çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar 6000 këmbësorë vdesin ose mbesin të plagosur rëndë për shkak të incidenteve rrugore. Një ulje e limitit të shpejtësisë mund të kontribuojë në uljen e ngarkesës ndaj spitaleve, duke lehtësuar kështu menaxhimin e epidemive të reja. Lockdown ka prodhuar edhe një reduktim të ndjeshëm të ndotjes atmosferike. Sipas një studimi të fundit, kufizimet e vendosura në Kinë kanë shpëtuar jetët e 77000 njerëzve thjesht duke u përmirësuar cilësinë e ajrit. Një faktor aq më shumë i rëndësishëm në qoftëse kihet parasysh se ndotja mund ta rrisë rrezikun e vdekjes të njerëzit e sëmurë me Covid-19.

Duke parë kostot e larta shëndetësore e sociale të shkaktuara nga nj cilësi e keqe e ajrit, konfirmimi i tendencës aktuale do të mundësonte lehtësimin e barrës mbi sistemin shëndetësor. Sektori i aviacionit është goditur rëndë nga pandemia. Nga fillimi i krizës, numri i përgjithshëm i fluturimeve është më shumë se përgjysmuar: një ulje drastike që në të ardhmen do të na mundësojë të kuptojmë se cilat dhe sa fluturime ajrore janë për t’u konsideruar të kotë. Administratat qytetare do të duhet të kërkojnë sa më shpejt ta bëjnë të përhershëm reduktimin e trafikut rrugor e ajror, duke përmirësuar aksesueshmërinë dhe cilësinë e transporteve publike dhe duke stimuluar spostime në këmbë ose me biçikletë. Javëve të fundit jemi spostuar më pak dhe kemi transferuar shumë prej aktiviteteve tona online. Është një mundësi e madhe për të rimenduar qasjen tonë ndaj punës, blerjeve dhe kohës së lirë, si edhe për të realizuar investime më të mëdha në sisteme transporti të aksesueshëm dhe të mbështetshëm për të gjithë.

Masa të pamendueshme

Tashmë jemi mësuar me mangësitë e ekonomisë urbane moderne: punë e përkohshme dhe e keqpaguar, biznese të vogla të pavarura të gjymtuara nga shumëkombëshet, privatizim i trojeve dhe i resurseve, rritje e hendekut midis lagjeve të pasura e të varfëra. Covid-19 i ka nxjerrë në pah gjithë këto probleme. Punëtorët më pak të shpërblyer, sidomos gratë, nuk kanë pasur zgjedhje tjetër përveç asaj që të vazhdojnë të punojnë, duke ju ekspozuar infektimit. Spitalet kanë regjistruar mangësi materialesh esenciale. Njerëzit që jetojnë në lagjet e varfëra nuk kanë pasur më hapësira të mjaftueshme për aktivitete sportive. Në këtë kuptim, një prej aspekteve surprizues të përgjigjes ndaj krizës ka qenë futja e menjëhershme e masave që deri pak kohë më parë dukeshin të pamendueshme: pezullimi i pagesës së kredive dhe i qirave, leja për sëmundje (në vendet ku nuk është e parashikuar), tendenca për të shtetëzuar shërbimet (sidomos në shëndetësi e në transport), rroga e garantuar, bllokimi i nxjerrjeve nga shtëpia dhe anullimi i borxheve. Kriza ka flakur tej disa pika të forta të tregut të lirë.

Emergjenca na ka shtyrë që t’u japim më vlerë gjërave që kanë peshë. Punëtorët esencialë, sidomos nl sektorët e shëndetësisë e të zinxhirit ushqimor, nuk konsiderohen më ingranazhë të mënjëanueshëm në margjinat e sistemit ekonomik, por marrin vlerësimin e duhur për kontributim e tyre jetik në mirëqenien e të gjithëve. Dyqanet e vogla të lagjeve janë rizbuluar falë aftësisë së tyre për të krijuar lidhje personale dhe më përkushtimin e tyre ndaj komunitetit. Është një rast për të rimenduar zonat tregtare e qendërs së qyteteve, duke krijuar një ofertë lokale të diversifikuar që mund të plotësojë nevojat e komunitetit dhe t’ia forcojë në funksion të krizave të tjera.

Emergjenca shëndetësore ka evidentuar brishtësinë ekonomike e shumë punëtorëve. Përtej subvencionimeve shtetërore dhe masave mbështetëse ndaj të ardhurave të punëtorit të pavarur, po shfaqen propozime më radikale për ta ndryshuar raportin midis njerëzve dhe punës. Për shembull, kriza ka forcuar idenë e një të ardhure universale bazë, domethënë të një shume parashë të derdhur pa kushte dhe automatikisht tek të gjithë qytetarët, pavarësisht nga aktiviteti punues i zhvilluar. Qeveria spanjolle ka vebdosur që ta eksperimentojë këtë masë dhe vende të tjera po vlerësojnë mundësinë e ndjekjes së të njëjtës rrugë, për të krijua një rrjet sigurie që mund t’u garantojë të gjithëve një jetë të denjë e të mbështetshme.

Ekonomia sociale mund të sigurojë spunto të mëtejshme për t’i rimenduar qytetet pas pandemisë. Mëpërmjet aktivitetit të kooperativave, bizneseve të vogla vendore dhe organizatave të vullnetarizmit, ekonomia sociale krijon mallra, shërbime dhe bashkëpunim me baza lokale në aspekte të ndryshme, nga energjitë e rinovueshme tek ndërtimtaria e mbështetshme, nga ushqimi tek mikrofinanca. Këto aktivitete sjellin shumë përfitime: rritje të punësimit, furnizim lokal, rroga më të barabarta, kushte pune më të mira, përdorim të mbështetshëm të resurseve, pjesëmarrje demokratike dhe impenjim më madh për drejtësinë sociale. Ndërtesat dhe trojet e braktisura e bizneseve të mëdha të ndërtimeve mund t’u cakothen organizatave të lagjeve për të favorizuar qëndrueshmërinë e komuniteteve lokale nëpërmjet krijimit të kompanive bujqësore, aktiviteteve për shfrytëzimin e energjive të rinovueshme, hapësirave për kohën e lirë dhe biodiversitetit dhe magazinimit të qymyrit.

Një komunitet urban i gjelbër

Në këtë moment po zbulojmë se ekonomia mund të ndryshojë për mirë. Për shembull, shumë kompani janë rikonvertuar përkohësisht në aktivitete socialisht të dobishme si prodhimi i dizinfektuesve, respiratorëve dhe pajisjeve mjekësore. Këto përvoja duhet të jenë një burim frymëzimi për të ardhmen e planifikimit ekonomik të qyteteve. Fabrikat mund të modifikohen për të prodhuar turbina eolike, biçikleta elektrike, panelë izolues dhe pompa nxehtësie. Hapësirat në tepri të destinuara për zyrat private dhe apartamentet luksoze mund të ripërdoren për të krijuar banesa për punonjësit esencialë, biblioteka, kopshte, shkolla formimi dhe hapësira për coworking. Gjatë lockdown shumë njerëz kanë vërejtur sesa janë reduktuar hapësirat e gjelbëra të disponueshme në qytete dhe shumë familje kanë qëndruar të mbllura në hapësira të pakta pa akses në hapësira të jashtme. Zonat e gjelbëra publike duhet të zgjerohen për t’u mundësuar njerëzve që të mblidhen e të rimarrin veten pas traumës së Covid-19. Disponueshmëria e këtyre hapësirave është në themelin e mirëqenies tonë emotive dhe psikologjike, përveçse ka efekte pozitive ndaj uljes së dioksidit të karbonit, cilësisë së ajrit dhe mbrojtjes së faunës së egër.

Alternimi i hapësirave të banimit në zona të gjera të gjelbëra të përshtatshme për spostimet më këmbë dhe me biçikletë mund ta reduktojë varësinë tonë nga automobilat, të rrisë biodiversitetin dhe të krijojë vende të destinuara për kohën e lirë pak hapa larg nga shtëpia. Në këto hapësira mund të ketë zona për prodhimin lokal të ushqimeve dhe strukturave për ta mbrojtur nga përmbytjet, si sistemet e mbështetshme të drenazhimit dhe kopshtet ujore, duke përmirsëuar aftësinë e territorit në pritje të emergjencave të reja. Pastaj, ka motive të shkëlqyera për t’u përqëndruar mbi modernizimin e strukturave të banimit. Në perspektivën e masave të reja të izolimit gjatë muajve të dimrit, mundësia e pasjes së shtëpive të ngrohta dhe me konsume energjitike të ulëta mund të zgjidhë probleme të tejra të lidhura me koston e lëndëve djegëse me bazë fosile dhe me rritjen e vdekshmërisë në dimër.

Veç të tjerash, situata aktuale na ofron mundësinë që të krijohet një raport më i mirë me natyrën dhe me kafshët. Deri pak kohë më parë në rënie konstante, fauna e egër ka gjetur hapësira të reja falë pezullimit të aktiviteteve njerëzore, por tani rrezikon të jetë më e kërcënuar se më parë. Për të krijuar një ekuilibër më të mirë me speciet e tjera të kafshëve do të duhet, për shembull, të zgjerohet habitati i faunës së egër, të rivendosen yonat natzrale e dëmtuara dhe të reduktohet varësia jonë nga rritja intensive dhe nga dietat me bazë mishi.

Roli i shtetit

Kërkuesit hipotezojnë se zoonozat (sëmundjet e transmetuara nga kafshët tek njeroi, si Covid-19) janë një prej pasojave të zhvillimit njerëzor në shkallë të gjerë. Një raport i botuar kohët e fundit nga UNDP-ja analizon mënyrën me të cilën rritja e shpejtë e popullsisë urbane në të gjithë botën dhe reduktimi i ekosistemeve të pakontaminuara po favorizojnë transmetimin e agjentëve patogjenë nga kafshët tek njeriu. Rigjenerimi dhe mbrojtja e hapsirave natyrale mund të jetë e domosdoshme për përmirësimin e aftësive tona në përballimin e pandemive të reja. E ardhmja e qyteteve nuk është e vendosur. Përvojat pozitive që kemi përjetuar gjatë kësa krize mund të forcohen e të zgjerohen për të krijuar një kontekst urban më të barabartë, më të gjelbër e më të sigurtë. Nëqoftëse vendosim në qendër të prioriteteve tona komunitetin, miqësitë dhe jetën familjare, do të zbulojmë se kemi shumë resurse për ta përmirësuar jetën tonë. Përgjigja e qyteteve ndaj kësaj krize dhe ndaj asaj që do të vijë prapa do të jetë vendimtare. Me siguri që shteti do të ketë një rol më të madh dhe, në disa raste, do të marrë një formë autoritare, siç e kanë demonstruar pushtetet speciale e dhëna qeverive për të kontrolluar kufijtë, survejimin dhe karantinën. Por ka një mënyrë për t’i kundërshtuar këto tendenca: të luftohet për një shtet demokratik dhe pjesëmarrës ku zgjidhjet të jenë të dakordësuara me qytetarët në vend që të imponohen nga lart.

(Paul Chatterton jep Urbanistikën e së Ardhmes në Leeds University. Është autor i librit Unlocking Sustainable Cities (shtëpia botuese Pluto Press) /bota.al

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Pse kaq shumë arkitektë mendojnë se janë më të privilegjuar se sa janë në të vërtetë?

Published

on

Arkitektët më në fund duhet të pranojnë se profesioni nuk është më një rrugë e garantuar drejt prosperitetit dhe bashkimit.

Të gjithë i kemi takuar: të diplomuar në arkitekturë deri në syrin e tyre në borxhe, duke paguar dy të tretat e të ardhurave të tyre në qira dhe duke fituar efektivisht më pak se paga minimale, por që ende identifikohen si “klasa e mesme”.

Pse, pavarësisht se janë të ngarkuar me paga të ulëta dhe orë të vështira, kaq shumë arkitektë mendojnë se janë më të privilegjuar se sa janë në të vërtetë?

Megjithëse foshnjat nepo të arsimuara privatisht me pasuri dhe lidhje familjare dominojnë shumë punë të larta në këtë sektor, shumica dërrmuese e njerëzve që punojnë në arkitekturë nuk janë të pasur. Shumica janë maturantë të zakonshëm të shkollës shtetërore; shumë nuk kanë kursime dhe ngarkesë të lartë pune dhe do ta gjenin shpejt veten të varfër nëse nuk do të ishin më në gjendje të shesin punën e tyre për të përballuar jetesën.

Pavarësisht nëse identifikohen me etiketën apo jo, shumica e arkitektëve janë punëtorë

Në fund të fundit, pavarësisht nëse ata identifikohen me etiketën apo jo, shumica e arkitektëve janë punëtorë.

Pavarësisht kësaj, sindikalizmi në profesion është i ulët. Në Britani, një sindikatë e dedikuar, Seksioni i Punëtorëve të Arkitekturës (SAW), u lançua në vitin 2019, së fundmi duke bashkuar forcat me Unite, ndërsa në SHBA arkitektët mund të regjistrohen me një nga sindikatat e shumta. Megjithatë, megjithëse anëtarësimi u jep punonjësve akses në mbështetje kur përballen me punëdhënës të dyshimtë, shumica dërrmuese e arkitektëve në të dy anët e Atlantikut nuk janë në sindikata.

Megjithëse anëtarësimi në RIBA kushton dy herë më shumë se SAW dhe nuk vjen me ndihmë ligjore falas, mijëra arkitektë të tjerë vendosin t’i bashkohen institutit mbretëror më të shtrenjtë se sindikata e tyre.

Shumë arkitektë ende vuajnë nga orët e gjata qesharake, jashtë orarit të papaguar dhe çështje të tjera në vendin e punës, të gjitha të lidhura drejtpërdrejt me mungesën kronike të marrëveshjeve të njohjes në këtë sektor. Nuk është turp të pranosh se diploma e arkitekturës thjesht nuk është rruga e garantuar drejt prosperitetit të klasës së mesme siç ishte dikur, por si punëtorë që veprojnë së bashku me kolegët, arkitektët kanë ende fuqinë për të përmirësuar profesionin për të mirën e të gjithëve.

Formula është e thjeshtë: bashkohuni me një sindikatë, merrni një marrëveshje njohjeje. Formulari ndjek pagën e drejtë!

Opinion i shkruar nga Phineas Harper, është ish-shefi ekzekutiv i Open City. Ata ishin më parë kryekuratorë të Trienales së Arkitekturës në Oslo 2019, zëvendësdrejtor i Fondacionit të Arkitekturës dhe zëvendësredaktor i Revistës Arkitekturore. Në vitin 2017 ata bashkëthemeluan New Architecture Writers, një program për kritikët aspirantë të dizajnit nga prejardhje të nënpërfaqësuara./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Si arritën të lirohen nga akuza për korrupsion Betim Reçica dhe tre zyrtarët tjerë lidhur me tenderin për Autostradën e Gjilanit?

Published

on

Prishtinë-Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarëve tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime në tenderin për Autostradën e Gjilanit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë të martën nga gjykatësi, Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Konxheli, të akuzuarit e lartcekur lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se, fillimisht Prokuroria e ka bazuar aktakuzën në ekspertizën e ekspertit Fehmi Zena, por, më vonë palët kanë propozuar dhe dorëzuar gjykatës edhe një ekspertize të dytë.

“Gjykata më pas ‘ex officio’ ka caktuar një superekspertizë të përbërë prej tre eksperteve të pavarur, e cili është administruar. Superekspertiza ka nxjerre se operatori ekonomik “Gjoka Construstion” ka plotësuar kushtet, pavarësisht që komisioni rivlerësues e ka shpalle të jopërgjegjshëm”, thuhet në aktgjykim.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet e prokurorisë për blerjen e një veture të tipit “Audi” nga i akuzuari Reçica, gjykata ka ardhur në përfundimin se vetura në fjalë është e regjistruar në emër të vëllait të Reçicës dhe se nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të  shpëlarjes së parave.

Sipas këtij akgjykimi, shpenzimet e procedurës penale për këtë rast bien në barrë të mjeteve buxhetore të gjykatës.

Ndërsa, pala e dëmtuar në këtë rast, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 15 shkurt 2021, Betim Reçica po akuzohet se si ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionit Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion”, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe e ka shpallur këtë OE të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se nuk i ka plotësuar kushtet ligjore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Kosova shqyrton me Poloninë mundësinë e hapjes së rrugës për importin e drithërave

Published

on

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka takuar Sekretarin e Shtetit të Polonisë për Bujqësi, Michal Kolodziejczakun.

Peci tha se me Kolodziejczakun shqyrtuan perspektivat e bashkëpunimit në disa fusha kyçe të cilat sipas tij, janë në interes të të dyja vendeve.

“Shqyrtuam si mundësi për të hapur rrugën për importin e drithërave, për të ndërtuar lidhje të forta në nivel akademik, për të ndarë njohuritë dhe përvojën në përmirësimin e cilësisë së farërave, dhe për të gjetur rrugë efikase për të rritur eksportin e produkteve të Kosovës në tregun polak dhe në zonat përreth tij”, shkroi Peci.

Më tej, ai tha se ky është një hap pozitiv për zhvillimin e bujqësisë së Kosovës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending