Më në fund, Rruga A në Prishtinë po bëhet realitet. Rruga e shumëpërfolur dhe shumëpritur në Prishtinë do të dal në tenderim këtë javë.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat e projektit dhe gjatë javës do të bëhet publik tenderi për rrugën A.
Poashtu, gjatë javës do të nënshkruhet memorand bashkëpunimi me Ministrinë e Infrastrukturës e cila do të financojë një pjesë të projektit të rrugës A.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se rruga A do të jetë me gjashtë korsi, tri korsi nga ana e djatht dhe tri nga ana e majtë.
1.2 kilometra do të jetë pjesë parë e rrugës A e cila fillon nga ana e djatht e Veternikut dhe lidhet me fillimin e rrugës B.
Lajmin e ka konfirmuar për Indeksonline edhe drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi.
“Po, gjatë javës presim që të dal në tenderim. Rruga do të ketë shteg të biçikletave dhe ka kanalin e hapur me plan rregullues. Presim që për 2 muaj të jetë në tender publik, dhe varësisht ankesave të procedojmë me punë” ka thënë Krenar Xhaferi./Media Ndërtimi.
Tetë muaj pas vendimit kontrovers qeveria ende nuk e ka të qartë, as sa është sipërfaqja e ndërtuar pa leje dhe as sa është sipërfaqja e konfiskuar. Aksioni i nisur me nxitim vjeshtën që lamë pas, është shfryrë para zgjedhjeve, ndërsa prokuroria nuk ka nisur hetim penal për disa nga ndërtuesit e denoncuar nga Ministria e Brendshme. Aktualisht, të vetmit të ndëshkuar janë 3 policë.
Në hyrje të kantierit të ndërtimit të kompanisë “Xheluks Construction” dhe “Laxmi real estate & Investment” pranë Liqenit të Thatë është vendosur njoftimi i konfiskimit. Shiritat e policisë dallohen edhe pak metra më tutje, në kantierin e dytë të ndërtimit të së njëjtës kompani, këtë herë në bashkëpunim me “Devis Construction”, raporton INA Media.
Pallatet 6-katëshe, me 2, 3 dhe 4 kate parking nëntokë, në pronësi të biznesmenit të njohur Julian Morina, u denoncuan nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, se ishin ngritur, njëri krejtësisht pa leje dhe tjetri, në tejkalim të lejes ndërtimore. Të dyja këto ndërtime, në një nga zonat më luksoze në periferi të Tiranës, iu janë nënshtruar procedurave për konfiskim, bazuar në VKM nr. 589 të datës 07/09/2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik, të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi”.
Vendimi kontrovers, i publikuar nga qeveria në fillim të shtatorit që lamë pas, ka në thelb konfiskimin e të gjitha ndërtimeve pa leje apo katet shtesë për qëllime përfitimi, që janë bërë në shkelje të lejes ndërtimore.
Referuar vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, ndaj biznesmenit Morina janë marrë tri vendime konfiskimi për ndërtime shumëkatëshe pa leje në zemër të Tiranës. Po njësoj si Morina, edhe dhjetëra biznesmenë të tjerë kanë ndërtuar për qëllime përfitimi, pa leje ose duke tejkaluar lejen e ndërtimit, në zonat më të shtrenjta të Tiranës.
Më shumë se 8 muaj pas show-t të qeverisë, duket se aksioni, që nisi me “dorë të hekurt”, është shfryrë. Nisma, që mori vrull në shtator të vitit 2022, ka ngecur në prag të zgjedhjeve. Gjatë këtij viti nuk rezulton asnjë vendim konfiskimi për katet shtesë dhe ndërtimet pa leje, ndërsa vendimi i fundit, i publikuar në faqen zyrtare të KKT-së, është ai i datës 28 dhjetor 2022.
Në faqen zyrtare të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) janë publikuar 26 vendime për konfiskimin e mijëra metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, por vetëm për 15 prej tyre është firmosur vendimi për sekuestrim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me të tjerët.
Njëri prej tyre, “Syri i Tiranës”, ka vendosur dhurimin e metrave katrorë, të ndërtuar pa leje, ndërsa “Sallillari” e kundërshtoi vendimin dhe iu drejtua gjykatës.
Ekspertët gjykojnë se ky ligj, i ndërmarrë me emergjencë dhe që u la papritur në harresë, është një ligj elektoral, që favorizon ndërtuesit dhe rrit rrezikun e pastrimit të parave.
Të dhënat e vëna në dispozicion nëpërmjet kërkesave për informacion dëshmojnë se institucionet nuk janë në gjendje që të bëjnë transparencë, as mbi sipërfaqet e identifikuara si ndërtime pa leje dhe as mbi ato të konfiskuara.
Nga ana tjetër, të dhënat e vëna në dispozicion nga Prokuroria e Tiranës dëshmojnë se për dy ndërtues nuk kanë nisur hetimet.
Ndërtuesit i shpëtojnë drejtësisë
“Nuk do të ketë tolerancë për asnjë ndërtues”, – tha zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, më 7 shtator 2022, kur njoftoi VKM-në për konfiskimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi.
Të dhënat e siguruara nëpërmjet përgjigjeve për informacion dëshmojnë se disa biznesmenë janë përkëdhelur nga ligji.
Sipas Ministrisë së Brendshme, janë 15 objekte të dyshuara me shtesa në sipërfaqe në proces konfiskimi, të cilat janë referuar në prokurori.
“Të gjitha rastet e evidentuara janë referuar pranë strukturave ligjzbatuese për hetim penal”, – përgjigjet Ministria e Brendshme.
Të dhënat e ofruara nga Prokuroria e Tiranës tregojnë se një pjesë e bizneseve i ka shpëtuar drejtësisë, pasi për to nuk ka nisur asnjë hetim penal, ndërsa ka edhe raste, kur referimet janë bërë këtë vit. Nga 9 vendime konfiskimi në Tiranë, janë hapur gjithsej vetëm 8 hetime nga prokuroria.
Referuar përgjigjes së Prokurorisë së Tiranës, për shoqërinë “Xheluks Construction” janë hapur dy hetime të reja këtë vit, edhe pse ka tri raste konfiskimi, ndërsa hetimi i tretë për këtë kompani është i vitit 2021 në ngarkim të Julian Morinës për ndërtimin te Liqeni i Thatë. Pra, për më shumë se një vit u lejua që ndërtimi pa leje të vazhdonte, edhe pse shteti kishte dijeni.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, në regjistrin e indekseve të kallëzimeve dhe të procedimeve penale nuk është regjistruar asnjë çështje për kompleksin e vilave, që po ndërtohen në Selitë, me zhvillues shoqërinë “Aleksandros”.
Fshehja pas shifrave, sa metra katrorë u konfiskuan
Institucionet nuk bëjnë transparencë as sa metra katrorë u konfiskuan si pasojë e këtij ligji.
As Agjencia e Zhvillimit të Territorit nuk është në gjendje të japë të dhëna, por sugjeron që t’i referohemi vendimeve të publikuara në faqen zyrtare, në pikën 1 të çdo vendimi.
Pas hulumtimit të vendimeve të konfiskimit, të publikuara në faqen e AZHT-së, rezulton se nga 25 vendime konfiskimi, vetëm 10 prej tyre e kanë të përcaktuar sipërfaqen që do të konfiskohet. Për këto 10 vendime sipërfaqja e konfiskuar përllogaritet të jetë 11,628.66 m2, ndërsa në 15 vendime të tjera konfiskimi thuhet vetëm se kanë ndërtuar mbi 10% të lejes ndërtimore, duke e bërë pra të paqartë sipërfaqen e konfiskuar si pasojë e këtij ligji.
Aktualisht, ndërtimet e konfiskuara me vendim të KKT-së kanë mbetur thjesht kantiere të rrethuara me shiritin e policisë, ku nuk punohet.
Vetëm Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dha një përgjigje të vagullt, që ka të bëjë me numrin e ndërtimeve të dërguara për konfiskim pranë KKT-së.
“Nga inspektimet e bëra dhe në zbatim të VKM-së, IKMT ka përcjellë propozimin për konfiskim për 25 objekte, ndaj të cilave nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) është marrë një vendim për secilin objekt”, – thotë IKMT në një përgjigje me shkrim për Investigative Network Albania-n.
Por, nëse Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka evidentuar 25 objekte problematike me disa kate shtesë në tejkalim të lejes, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka firmosur vetëm 15 vendime për konfiskim, duke e bërë të paqartë se çfarë do të ndodhë me to. Por, edhe për to vendimmarrja nuk është përfundimtare, pasi ende nuk është zgjidhur çështja e pronësisë.
Por, pavarësisht ritmit galopant të ndërtimeve, Tirana renditet ndër qytetet më të shtrenjta sa i përket blerjes së një banese. Banka e Shqipërisë njoftoi se, në 6-mujorin e parë të vitit 2022 çmimet e banesave në rang vendi u rritën me 39.2% në raport me vitin 2021. Shtrenjtimi më i madh është regjistruar në Tiranë me një rritje deri në 40% dhe në bregdet, ku çmimet u rritën deri në 60%.
“Për sa i përket vitit 2023 nuk mendoj se shqiptarët do të blejnë më lirë se në vitin 2022. Nuk po blejnë njerëzit e thjeshtë apo familjarët. Janë pará nga jashtë që vijnë e po blihet në Tiranë”, – shprehet eksperti i tregut imobiliar, Ervin Demirxhiu./Media Ndërtimi
Probleme të tilla ka pasur në vazhdimësi, me ç’rast edhe janë denoncuar kompani të ndryshme që merren me ndërtimin e objekteve banesore. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme, ku dy qytetarë kanë kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se po rrezikohen nga ndërtimi i lartë, raporton Sinjali.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy banorë që jetojnë në rrugën “Faton Krasniqi” kanë raportuar se po rrezikohen nga punimet që po kryhen nga kompania ‘Lesna SHPK’ në atë pjesë. Denoncimi i tyre ka aktivizuar Policinë, me ç’rast drejtori i kësaj kompanie, Bekim Deshishku ka përfunduar në Polici si i dyshuar.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të shtunën në orët e mëngjesit, kur dy banorët që jetojnë në shtëpitë afër objektit ku po ndërtohet janë ndjerë të rrezikuar dhe kanë vendosur që ta raportojnë te organet e rendit.
Sipas informacioneve të para, njëri prej tyre ka deklaruar se oborri i tij ka nisur të shembet për shkak të punimeve, prandaj kanë kërkuar që të merren masa para se të pësojë ai dhe familja e tij.
Si rezultat i denoncimit, anëtarët e familjeve që jetojnë në ato dy shtëpi janë evakuuar, ndërsa në vendin e ngjarjes, përveç zyrtarëve policorë, kanë intervenuar edhe inspektorët e komunës dhe zjarrfikësit.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, drejtori Deshishku është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar, me ç’rast ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë për punimet që po kryejnë në pjesë.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga kompania, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm në dy numrat e tyre kontaktues./Media Ndërtimi
Ndryshimet klimatike do të thotë se projektet më të mëdha dhe më të sofistikuara për zbutjen e përmbytjeve po bëhen vendimtare për të mbrojtur komunitetet në të gjithë globin.
Shkalla e sfidës së zbutjes së përmbytjeve është e madhe, pasi ndryshimet klimatike jo vetëm që po ndikojnë në reshje më intensive, por edhe në rritjen e nivelit të detit.
Ekziston një njohje në rritje globalisht se përmbytjet mund të ndodhin pothuajse kudo. Në SHBA, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) përdor shprehjen “kudo që bie shi, mund të vërshojë” në shtrirjen e tyre, dhe kjo është më e vërtetë tani se kurrë. Kjo është për shkak të ndryshimit të klimës që rrit frekuencën dhe intensitetin e reshjeve, por edhe efektin e zhvillimit në komunitete duke krijuar zona më të papërshkueshme që rrisin shpejtësinë dhe vëllimin e rrjedhjes.
“Kohët e fundit, isha në Fort Lauderdale, Florida kur ra një shi i pabesueshëm 26 inç në një ditë të vetme (kryesisht një periudhë e shkurtër pasdite). Kjo ‘bombë shiu’, shkaktoi përmbytje të përhapura dhe ndërprerje të sistemeve të kullimit plotësisht dërrmues të projektuar për ngjarje më të vogla të shkallës.”, tha Adam Hosking, nënkryetar dhe drejtor global për burimet ujore dhe elasticitetin në konsulencën teknike Jacobs.
Këto ngjarje ekstreme po bëhen më të shpeshta dhe në mënyrë të pashmangshme po nxisin rritjen në tregun global për zgjidhjet e zbutjes nga përmbytjet.
Megjithatë, mundësia nuk kufizohet vetëm në adresimin e ndryshimeve klimatike, por edhe në ndryshimin e mënyrës sesi e menaxhojmë mjedisin tonë ujor në nivel ujëmbledhës. Cilësia e ujit në krahasim me sasinë tani ka filluar t’i jepet përparësi.
Përmbytjet janë një nga rreziqet natyrore më shkatërruese dhe frekuenca e përmbytjeve parashikohet të rritet në 42% në Tokë deri në fund të shekullit, duke kushtuar mbi 40 miliardë dollarë dëme të mëdha dhe duke shkaktuar stres të pallogaritshëm, humbje jete dhe përçarje botërore.
Tradicionalisht, skemat janë hartuar duke përdorur modele kompjuterike kundrejt standardeve të tilla si ‘1 në 100 vjet përmbytje’. Duke pasur parasysh ndryshimet klimatike, a po i përshtat profesioni i inxhinierisë modelet apo standardet e dizajnit?
Menaxhimi adaptiv, dhe veçanërisht rrugët e përshtatjes, tani janë një qasje e njohur dhe e përdorur gjerësisht për menaxhimin e pasigurisë së thellë që lind nga ndryshimet e ardhshme klimatike.
Kjo qasje pranon se ne nuk mund të parashikojmë saktësisht se cilat mund të jenë nivelet e përmbytjeve/deteve në një pikë të caktuar në të ardhmen, por ne e dimë drejtimin/prirjen e përgjithshme të ndryshimit. Prandaj, ne mund të hartojmë dhe zbatojmë zgjidhjet tona në një mënyrë për të qëndruar përpara ndryshimeve, duke menaxhuar rrezikun deri në nivele të tolerueshme dhe duke monitoruar në mënyrë aktive për të siguruar që veprimet tona të ardhshme të elasticitetit janë planifikuar dhe dorëzuar në kohë për të ruajtur atë nivel të tolerueshëm të rrezikut./Media Ndërtimi