Connect with us

Aktuale

Pandemia “gëlltit” investimet e huaja

Published

on

Në Kosovë ka rënie të investimeve të huaja, prej kur ish-Qeveria e Kosovës, shpalli emergjencë për shëndetin publik në muajin mars, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë e koronavirusit.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, nga muaji mars deri në muajin maj të këtij viti, vlera e investimeve të huaja ka arritur në 38.9 milionë euro, përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kjo vlerë ishte 52 milionë euro.

Por, udhëheqës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë theksojnë se që nga vendimi i ish-qeverisë më 15 mars, ka kërkesa nga investitorë të huaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, tregon se në kohën kur e ka marrë udhëheqjen e ministrisë më 4 qershor, ka gjetur 27 kërkesa për investime të huaja, pa precizuar kohën e paraqitjes së kërkesave, kurse më pas janë paraqitur edhe katër kërkesa të tjera.

“Kërkesat e investitorëve janë paraqitur që të investojnë në fushën e energjisë solare, bujqësisë, industrisë përpunuese. Investitorët janë nga shtete të ndryshme, nga Gjermania, Zvicra dhe Austria, disa nga to janë në bashkëpunim edhe me bizneset vendore”, tha Krasniqi.

Krasniqi nuk tregon shumën eventuale të investimeve, por thotë se vëllimi minimal i projektit të investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është më së paku dhjetë milionë euro.

Në bazë të Ligjit për Investime Strategjike, statusi i investuesit strategjik vlerësohet ai që i kontribuon rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja apo që ndikon në rritjen e mirëqenies dhe kushteve të jetës së qytetarëve të Republikës se Kosovës.

Por, Emrush Ujkani, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tërheqja e investimeve të huaja vlerësohet sfidë për Kosovën, në kohën kur e gjithë bota po përballet me pasojat e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

Përveç pandemisë në nivel global, ai thotë se Kosovës në mundësinë e tërheqjes së investimeve ndërkombëtare, i kontribuon edhe mungesa e stabilitetit politik dhe ekonomik brenda vendit.

Ujkani thotë se vështirësimi i gjendjes ekonomike dhe mosangazhimi adekuat i institucioneve qeveritare për të adresuar çështjet për rimëkëmbje ekonomike, vështirëson edhe gjendjen e investitorëve aktual në Kosovë. Kurse, për tërheqje të reja të investimeve, sipas tij, duhet pritur veprimet konkrete të institucioneve për këtë çështje.

“Vështirësimi i punës së investitorëve të huaj, do të nënkuptonte gradualisht ndoshta për të menduar tërheqjen nga ky treg. Unë mund të them me përgjegjësi të plotë, se një anëtar i jonë, që është bashkë-investim vendor dhe evropian, së fundmi ka reduktuar kapacitetin e prodhimit më të madh. Pikërisht, për shkak të asaj që ka pasur një neglizhencë të madhe nga institucioneve vendore”, thekon Ujkani.

Mundësia e tërheqjes së investimeve të huaja, ka qenë edhe një nga temat gjatë samitit të mbajtur për Ballkanin Perëndimor, në fund të muajit të kaluar, ku kanë marrë pjesë liderët e gjashtë shteteve të rajonit: Kosovës, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Në këtë samit që u organizua nga Këshilli Atlantik, me seli në Uashington të Shteteve të Bashkuara, liderët e këtyre vendeve janë zotuar për bashkëpunim ekonomik, njëherësh janë pajtuar që të ndiqet një plan për të tërhequr investimet e huaja direkte në rajon.

Ujkani shprehet skeptik në mundësinë e tërheqjes së investimeve të huaja nga iniciativa të tilla.

“Natyrisht që Kosova nuk duhet të përjashtohet nga këto forume dhe pjesëmarrje në to, por sa do të jetë e aftë Kosova për tërheqje të investimeve ndërkombëtare dhe për të ofruar një klimë të përshtatshme për ta, unë jam shumë skeptik. Samiti ka qenë i mirë se ardhur, do vazhdojnë kërkesat e tilla, por unë gjykoj se përderisa vazhdon klima e brendshme politike, çfarë është për momentin, mendoj se këto takime përveç pjesëmarrjes formale, do të kufizojnë bukur shumë mundësinë që të përfitojnë nga iniciativa të tilla”, tha Ujkani.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja ndër vite kanë shënuar rënie. Në vitin e kaluar vlera e investimeve ka qenë 265 milionë euro. Shuma më e ulët e investimeve direkte të huaja ka qenë në vitin 2014, me vetëm 151 milionë euro. \ REL

Aktuale

Cyrihu planifikon që popullsia e tij të arrijë shifrën prej 2 milionë

Published

on

Në fund të vitit 2023, në kantonin më të populluar të Zvicrës – në Cyrih, jetonin mbi 1.6 milionë njerëz.

Por popullsia po vazhdon të rritet – aq shumë sa do të arrijë në 2 milionë në vitet e ardhshme, thanë autoritetet kantonale në një deklaratë për shtyp, transmeton albinfo.ch.

Arsyeja kryesore për këtë rritje, që përbën 49 për qind të rritjes, është imigrimi, i ndjekur nga lindjet (44 për qind) dhe, në një shkallë më të vogël (7 për qind), njerëzit që lëvizin në Cyrih nga rajone të tjera zvicerane, shkruan thelocal.

Në bazë të kësaj, autoritetet publike do të duhet të sigurojnë që infrastruktura e Cyrihut, si strehimi, transporti publik, si dhe shkollat dhe sistemet e kujdesit shëndetësor, të mund të absorbojnë këtë rritje.

Continue Reading

Aktuale

Hoteli ‘Four Seasons Istanbul’ votohet si më i miri në botë

Published

on

Shumë hotele ofrojnë kushte shumë të mira qëndrimi, por jo çdo hotel mund t’ju përfshijë plotësisht në kulturën vendase. Hoteli Four Seasons Istanbul në Sultanahmet, është votuar si hoteli më i mirë në botë, nga lexuesit e platformës së udhëtimit, Travel + Leisure.

“Ky çmim, është një nder i jashtëzakonshëm, për ekipin tonë, duke forcuar më tej pozicionin tonë si drejtues të mikpritjes luksoze, shkruan shqip.al, transmeton albinfo.ch.

Kjo pronë e jashtëzakonshme, pasqyron angazhimin tonë të qëndrueshëm, ndaj shërbimit të personalizuar dhe cilësisë shembullore,” tha Alejandro Reynal, presidenti dhe CEO i Four Seasons.

Ndërtesa ku ndodhet sot hoteli, në rrugën Tevkifhane, nuk ka qenë gjithmonë një destinacion, që njerëzit duan të vizitojnë.

E ndërtuar në vitin 1918, ajo filloi si një shtëpi pritëse, për t’u shndërruar shpejt në burgun e parë të Perandorisë Osmane, një destinacion i përshtatshëm pranë gjykatës lokale.

Edhe emrat e rrugëve, japin historinë e saj – Tevkifhane do të thotë “i burgosur”, ndërsa rruga në derën e përparme, ku u liruan të burgosurit, quhet Kutlugün, që do të thotë “ditë e lumtur”.

Aty shpesh strehoheshin të burgosur politikë, përfshirë romancierin Orhan Kemal, i cili shkroi “Reparti 72” ndërsa ishte i burgosur. Burgu u mbyll përfundimisht në vitin 1969; megjithatë, pas grushtit të shtetit të vitit 1980, ai u rihap për një kohë të shkurtër, si burg ushtarak, përpara se të rrënohej deri në vitin 1996, kur Four Seasons morën godinën.

Por, Four Seasons është kujdesur, që të mos harrojë ndërtesën dhe të kaluarën e jashtëzakonshme të zonës.

Marka Four Seasons, jo vetëm që punoi me përpikëri, për të ruajtur elementët e ndërtesës në mesin e viteve ’90, por e bëri përsëri në vitin 2022, kur kreu një projekt rinovimi dyvjeçar, duke përfaqësuar akoma më shumë stilin e mrekullueshëm të Turqisë në çdo dhomë.

Hoteli merr pjesë në përpjekje të ndryshme, për qëndrueshmërinë e Four Seasons, si dhe në përpjekje specifike për vendndodhjen, si programi i tij për reduktimin e ujit, përmes perdorimit me efikasitet të ujit, dhe kontrollit të ujitjes, reduktimit të mbetjeve nëpërmjet eliminimit të produkteve plastike të ushqimit dhe pijeve dhe pajisjeve të banjës, dhe duke ofruar ushqime dhe pije lokale, të qëndrueshme dhe menu sezonale.

Hoteli gjithashtu, feston qëndrueshmërinë përmes vizitave turistike lokale, në vendet e trashëgimisë dhe duke shfaqur artistë vendas në të gjithë hotelin, për të forcuar komunitetin e Stambollit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Çdo transaksion shitjeje i pasurive të paluajtshme duhet të ketë kontratën e përgjegjësisë së ndërtuesit

Published

on

Produkti i sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit pësoi rënie për të dytin vit radhazi vitin e kaluar.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto në këtë produkt zbritën në vlerën e 461 milionë lekëve, në rënie me 13.6% krahasuar me vitin 2022.

Sigurimi i përgjegjësisë së ndërtuesit për objektet e ndërtuara u bë efektiv në fund të vitit 2019, me qëllim mbrojtjen e blerësve në rast të defekteve apo gabimeve në ndërtimin e objektit.

Çdo transaksion shitjeje i pasurive të paluajtshme, duhet të shoqërohet edhe me kontratën e sigurimit të përgjegjësisë së ndërtuesit, si pjesë e dokumentacionit të kërkuar nga Agjencia e Kadastrës për regjistrimin e kalimit të pronësisë.

Rënia e primeve nga ky sigurim mund është një sinjal se transaksionet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë shfaqur sinjale ngadalësimi, pas rritjes me ritme të larta në periudhën pas pandemisë.

Megjithatë, rënia e primeve për të dytin vit radhazi, ndërkohë që çmimet kanë ndjekur një tendencë të qartë në rritje, sidomos për vitin 2022, mund të jetë një tregues i faktit se një pjesë e konsiderueshme e pronave nuk sigurohen për vlerën e tyre të tregut.

Shpeshherë, kontratat e shitjes së pasurive të paluajtshme nga ndërtuesit nuk deklarohen për vlerën e tyre reale.

Në bazë të kontratës së sigurimit për përgjegjësinë e ndërtuesit, shoqëria e sigurimit merr përsipër të dëmshpërblejë në favor të të siguruarit dëmet e ndodhura drejtpërdrejtë dhe dëmet ndaj të tretëve,

të shkaktuara nga shembja tërësore ose pjesore e ndërtesës, ose kur ndërtesa paraqet rrezik të dukshëm shembjeje, ose defekte të tjera të rënda, që ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me tokën mbi të cilën është kryer ndërtimi, ose për shkak të një apo disa defekteve të ndërtimit.

Produkti nuk ofron mbrojtje në rast të dëmtimeve të ndodhur nga fatkeqësitë natyrore dhe ku nuk mund të provohet përgjegjësia e ndërtuesit, ndaj nuk duhet kuptuar si sigurim që të mbron nga katastrofat.

Limiti i përgjegjësisë së kontratës së sigurimit nuk duhet të jetë më i ulët se vlera totale e çmimit të shitjes të përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, ndërsa tarifa vjetore e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e ulët se 0.1% e limitit të përgjegjësisë.

Për shembull, nëse një pronë shitet me një çmim 100 mijë euro, ndërtuesi duhet të paguajë gjithsej 1 mijë euro për sigurimin e saj gjatë një periudhe 10 vjeçare.

Megjithëse ligji ia ngarkon këtë sigurim si detyrim ligjor ndërtuesve, në praktikë ata ia kanë transferuar primin blerësve të pasurive të paluajtshme, duke krijuar një barrë shtesë për ta./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending