Komunës së Suharekës i janë dashur 500 ditë për të nënshkruar një kontratë për blerjen e mobiljeve për shkolla përmes tenderit.Tenderi me titull “Blerja e mobiljeve dhe pajisjeve për shkolla dhe çerdhe – për vitin 2021-2022” ishte shpallur më 19 tetor 2021. Por, ka kaluar viti 2021 dhe 2022, dhe kjo komunë nuk ka arritur të nënshkruajë kontratën.Është dashur të pritet fundi i vitit mësimor 2022/2023 për të nënshkruar kontratën për furnizim me mobilje dhe pajisje për shkolla e çerdhe.

Pas tre shqyrtimeve të këtij tenderi në OSHP, Komuna e Suharekës më 1 mars 2023, ka arritur të nënshkruajë kontratën me kompaninë “Wood Corporation” në vlerën prej 62 mijë e 65 eurove.E njëjta kompani ishte rekomanduar për kontratë më 5 nëntor 2021, por kundër atij vendimi kompania “Graniti” ishte ankuar tek Autoriteti Kontraktues duke dorëzuar një kërkesë për rishqyrtim bazuar në nenin 108/A. Pas refuzimit të ankesës nga Komuna, kompania ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), apo e njohur si Gjykata e Tenderëve, shkruan në Kallxo.com
Kompania “Graniti” pretendonte se kompania e rekomanduar për kontratë në listën e stafit kishte persona që nuk kishin kontrata të rregullta. Pretendimi tjetër ishte se si dëshmi për projektet e përfunduara, janë dorëzuar disa transaksione që nuk vërtetojnë nëse janë përfunduar me sukses projektet.Pretendimi i radhës i “Graniti” po ashtu ishte se “Wood Corporation” ka ofertuar me çmime që në gjuhën e prokurimit njihen si ‘çmime jonormalisht të ulëta’.Kompania “Graniti” pretendonte se “Wood Corporation” kishte ofertuar për banka për nxënës standard me çmim prej 22 euro për copë. Sipas pretendimit, ky çmim nuk përkon fare me çmimin e tregut, pasi thoshte se dihet se hekuri është rritur tejmase.Tutje, pretendonte se për “karrige për nxënës standardi i njëjtë ka ofertuar me çmim prej 10 euro”, që sipas tyre është çmim jonormalisht i ulët dhe në kundërshtim me çmimet e tregut.
Pas zvarritjeve të tenderit në OSHP, Komuna e Suharekës, më 11 gusht 2022, kishte marrë vendim që të anulonte në tërësi tenderi.Në arsyetim, Komuna kishte thënë se ka kaluar një kohë relativisht e gjatë që nga koha e inicimit të tenderit, si dhe kishte thënë se autoriteti kontraktues këtë aktivitet të prokurimit nuk e ka më në planin buxhetor, siç e ka pasur në fillim kur është iniciuar.
“Është e pamundur të bëhet edhe zotimi i mjeteve që është kusht për nënshkrim të kontratave publike. Po ashtu, duke marrë parasysh edhe ngritjen e konsiderueshme të çmimeve, fakt ky që është i njohur botërisht, andaj konsiderojmë se mund të mos ketë interesim nga operatorët ekonomik që të nënshkruhen kontratat” – thuhet në vendimin e Komunës së Suharekës.
Ndaj këtij vendimi kishte reaguar kompania “Wood Corporation” që ishte rekomanduar për kontratë, duke bërë ankesë tek Komuna. Këta të fundit ia kishin refuzuar ankesën.Më pas kompania i ishte drejtuar OSHP-së.Në ankesë, “Wood Corporation” pretendonte se mungesa e planifikimit buxhetor nuk është arsye për anulimin e tenderit.
Në lidhje me këto pretendime, BIRN ka provuar të marrë përgjigje nga Komuna e Suharekës, por as pas gati 2 muaj pritjeje, zyrtarët komunal nuk janë përgjigjur.Në E-Prokurim, kjo kontratë figuron që është në realizim. Data e fillimit të realizimit të kontratës është 25 prill 2023, ndërsa në kontratë thuhet se e njëjta do të përfundojë më 29 shkurt 2024./Media Ndërtimi