Connect with us

Auto

Si po arrin Sllovakia të bëhet prodhuesi më i madh i veturave elektrike për kokë banori në Evropë?

Published

on

Në asnjë vend tjetër të botës nuk prodhohen kaq shumë automjete për frymë popullsie. Por përdorimit të motorëve me karburant po i vjen fundi, gjë që vë në rrezik vendet e punës. Si po e menaxhon Sllovakia këtë ndryshim?

Numri i tyre është duke u rritur gjithnjë e më shumë, numri i targave ngjyrë gurë kali, që jepet për makinat elektrike.

Makina elektrike nuk kanë të gjithë në kryeqytetin sllovak Bratislavë, megjithatë ato shihen gjithnjë e më shpesh në rrugë.

Për çdo makinë të re krejt elektrike, qeveria jep 8 mijë euro, dhe krijimi i infrastrukturës për mbushjen e makinës ndihmohet me investime disa milionëshe.

Megjithatë Sllovakia është ende në fillimet e kalimit tek makinat e elektrike dhe kjo vlen të thuhet edhe për industrinë e makinave në vend.

Pas vitit 2035, në Bashkimi Europian do të lejohen vetëm makinat e reja që nuk çlirojnë dioksid karboni. Deri sa të vijë ajo ditë, prodhuesit që duan të vazhdojnë të shesin makina në BE, duhet të ndryshojnë prodhimin, që do të thotë se duhet të prodhojnë makina me bateri elektrike.

Makina e parë krejt elektrike në Sllovaki, që kaloi në prodhim seri në vitin 2013, ishte makina e vogël e-up! e prodhuar nga Volkswageni.

Një zëdhënëse e uzinës në Bratislavë i tha Deutsche Welles se në vitin 2021 janë shitur 41500 makina, nga gjithsej gati 309 000 makina të prodhuara. Të dhënat për 2022 nuk janë bërë të ditura.

“Përveç kësaj ne kaluam vitin e kaluar në hibridizimin e paleteve të modelit SUV”, shkruan zëdhënësja, që le të kuptohet se gjithë modelet e tjera janë prodhuar me motorë që djegin karburante.

Motorët elektrikë janë më të thjeshtë për t’u prodhuar se motorët e tjerë. Atyre u duhen më pak elementë, më pak procese pune dhe më pak personel. Prandaj në Sllovaki është duke u afruar një rrezik ekonomik:

“Në rastin më të keq, prodhimi i brendshëm bruto do të jetë dhjetë përqind më i ulët se në rastin më të mirë,” thuhet në një studim të bërë në vitin 2020 nga instituti Globsec, në të cilin analizohet transformimi i sektorit të prodhimit të makinave në këtë vend të Europës Qendrore, deri në vitin 2040.

Rasti më i mirë do të sillte tetë mijë vende të reja pune, e rëndësishme është që në këtë vend të prodhohen edhe komponentët bazë të makinave siç janë bateritë për makinat elektrike. 

“Çdo vend ose çdo fabrikë do ishte e gëzuar të prodhonte makinat më moderne të flotës,” thotë Radovan Durana nga Instituti i Studimeve Ekonomike dhe Sociale në Bratislavë.

“Por, nëse për shembull Volkswagen vendos që t’i prodhojë makinat elektrike në Gjermani, atëherë ne në Sllovaki nuk kemi çfarë të bëjmë”. Kështu, modelet elektrike të Volkswagenit, 

ID.3 dhe ID.4 prodhohen në Zvickau të Saksonisë dhe për modelin e-up! bateritë prodhohen në Braunshvajg ndërsa motorët prodhohen në Kasel.

Në konkurencën e lokacioneve intra- europiane, Durana mendon se nuk ia vlen t’i joshësh investitorët me favorizime të mëdha: “Ata do vijnë sidoqë të jetë, nëse janë të mendimit se ia vlen ekonomikisht që të përqëndrosh aktivitetin në këtë rajon.”

Në bisedë me Deutsche Wellen, Durana thotë se ekziston rreziku që perspektiva të shihet ngushtë lidhur vetëm me Sllovakinë. Këtu bëhet fjalë për një rajon të tërë që përfshin edhe Çekinë, Hungarinë dhe pjesë të Polonisë. Këtu kanë vendin edhe shumë furnizues dhe këtu gjendet edhe fuqia punëtore e kualifikuar.

Shpresa të mëdha zgjoi në verë një njoftim i Volvos: Prodhuesi suedez i makinave kërkon të ngrejë në lindje të Sllovakisë një uzinë speciale për makinat elektrike, duke marrë kështu në dorë 1,2 miliardë euro, 20 përqind e të cilave vijnë nga subvencionet publike.

Mbas vitit 2026 do prodhohen këtu 250 mijë makina në vit. Uzina e Volvos mund të kontribuojë në sheshimin e diferencave ekonomike midis perëndimit dhe lindjes më pak të industrializuar të vendit.

Një shpresëdhënës tjetër do duhet ta tregojë veten fillimisht në treg: Firma start-up nga Sllovakia, InoBat, do të prodhojë bateri për kërkesa speciale, si për autobusë, makina sportive, avionë. Kush do që të shkojë tek fabrika e ardhshme, i duhen koordinatat e sallës që ndodhet në një zonë industriale të Voderady-t, një orë larg me makinë në verilindje të Bratislavës, por fabrika nuk është përfshirë ende në asnjë hartë. 

Dhjetë minuta larg Voderady-t, ndodhet Jaguar/Landrover dhe Stellantis, nëntë prodhues makinash ndodhen në një rreze prej 250 miljesh.

A është duke ecur Sllovakia kështu drejt një të ardhmeje të ndritur falë elektromobilitetit? Analisti Radovan Durana kujton se InoBat duhet ta tregojë veten një herë “se mbështetet në ekonomi solide dhe se mund të zgjerohet. Ne do të shohim, a do të kenë sukses apo jo.” Dhe pavarësisht nga kjo, Sllovakia duhet të shohë nëse në të ardhmen do të mbështetet ekonomikisht kaq shumë në industrinë e makinave. DW/Media Ndërtimi

Auto

BE planifikon lejimin e veturave me motor që përdor karburante neutrale

Published

on

Komisioni Europian hartoi një plan që lejon shitjen e automjeteve të reja me motor me djegie të brendshme që funksionojnë vetëm me e-karburante neutrale për klimën, në një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Gjermaninë, mbi eliminimin gradual të makinave me motor me djegie të brendshme në vitin 2035.

Projekt-propozimi, i parë të martën nga Reuters, synon të krijojë një lloj të ri të kategorisë së automjeteve në Bashkimin Europian për makina që mund të funksionojnë vetëm me karburante me emetime zero.

Automjete të tilla, sipas planit, duhet të përdorin një teknologji që i pengon të qarkullojnë nëse përdoren karburante të tjera.

Kjo do të përfshinte “një sistem nxitës të karburantit” për të ndaluar ndezjen e makinës nëse ajo përdor karburante joneutrale në lidhje me emetimet e karbonit.

Propozimi mund t’u ofrojë prodhuesve të automjeteve një mënyrë për të vijuar shitjen e makinave me motor me djegie të brendshme pas vitit 2035, kur hyn në fuqi ligji i BE-së i cili ndalon shitjen e makinave të reja që emetojnë CO2.

Pas disa muajsh bisedime, vitin e kaluar vendet e BE-së dhe Parlamenti Europian miratuan ligjin.

Por këtë muaj, Ministria gjermane e Transporteve befasoi vendet e tjera, duke paraqitur disa kundërshtime ndaj ligjit në minutën e fundit, disa ditë para votimit përfundimtar, që do ta kishte parë të hynte në fuqi.

Kërkesa kryesore e Ministrisë është që BE të lejojë shitjen e automjeteve të reja me e-karburante pas vitit 2035. Ministria nuk ishte e gatshme për të dhënë një koment.

Të hënën, Ministria deklaroi që bisedimet me Komisionin mbi përfundimin e planifikuar të motorëve të rinj me djegie duke nisur nga viti 2035 po ecnin përpara, por shtoi se nuk mund të thoshte se kur do të arrihej një marrëveshje./Media Ndërtimi

Continue Reading

Auto

Mercedes planifikon të investojë miliarda euro për modernizimin e fabrikave të saj

Published

on

Mercedes do të investojë miliarda euro për të modernizuar fabrikat e saj në Kinë, Gjermani dhe Hungari gjatë viteve të ardhshme, raportoi revista Automobilwoche, teksa prodhuesi i makinave përgatitet të kalojë në automjete elektrike dhe të reduktojë emetimet.

Bashkimi Evropian ka vendosur një objektiv për të përgjysmuar emetimet e CO2 për makinë pasagjerësh gjatë ciklit të tyre jetësor deri në fund të kësaj dekade krahasuar me vitin 2020 dhe po kërkon marrëveshje për një afat kohor të vitit 2035 për t’i dhënë fund shitjes së veturave me lëndë djegëse fosile.

Mercedes ka thënë se do të jetë gati të prodhojë vetëm vetura elektrike deri në fund të kësaj dekade, aty ku lejojnë kushtet e tregut, raporton Reuters

“Ne po investojmë një shumë milionëshe për fabrikë sa për fillim”, citohet të ketë thënë menaxheri i prodhimit Joerg Burzer, duke shtuar se këto investime do të jenë në fabrikat në Pekin të Kinës, Rastatt të Gjermanisë dhe Kecskemet të Hungarisë.

Prodhuesi i veturave do të fillojë punën në fabrikën Rastatt gjatë muajve të ardhshëm dhe do të prodhojë modelin e parë të platformës kompakte të veturave MMA nga viti 2024. Numri i modeleve të prodhuara atje nga shtatë do të ulet në katër, deklaroi Burzer.

Përveç kësaj, Mercedes do të investojë disa miliardë euro në modernizimin e sistemeve të lyerjes në fabrikat e saj Sindelfingen, Bremen dhe Rastatt në Gjermani.

Raporti tha se modernizimi synon të reduktojë konsumin e energjisë dhe ujit, dhe mbështetjen e sistemit të lyerjes në gaz, kjo duke iu përshtatur energjisë pa karbon./Media Ndërtimi

Continue Reading

Auto

Prezantohet koncepti Aircar, mund të definojë të ardhmen e veturave fluturuese

Published

on

Një projektues italian ka ri-imagjinuar të ardhmen e automjeteve fluturuese me mjetin e tij konceptual fluturues 4×4.

Krijuar nga Pierpaolo Lazzarini në studiot e tij të dizajnit, Aircar nuk do të dukej i pavend në serinë e fundit të Star Wars, transmeton Telegrafi.

Aircar mundësohet nga motorët e aeroplanëve Rolls-Royce që i mundësojnë të fluturojë nëpër qiell me shpejtësi mbresëlënëse.

Duke i lejuar udhëtarët të shmangin trafikun rrugor të ngarkuar thjesht duke fluturuar mbi tokë, aeroplani reaktiv 4×4 është gjashtë metra i gjatë dhe është projektuar për të bartur një pilot dhe tre pasagjerë.

Automjeti i përbërë nga fibra karboni do të thotë se është ultra i lehtë, derisa ata motorë aeroplanësh Rolls-Royce mund të rrotullohen në drejtime të ndryshme në varësi të mënyrës që dëshironi të shkoni – duke ndihmuar me stabilitetin dhe manovrimin e përgjithshëm.

I mundësuar nga karburanti i aeroplanit, Aircar mund të lëvizë me një shpejtësi maksimale të vlerësuar prej 750 kilometra në orë me një distancë prej 3,200 kilometrash.

Ajo që është më e veçanta me këtë automjet është se, për shkak të sistemit të tij të motorit 4×4, ai mund të kthehet dhe të lëvizë shpejt në lartësi dhe shpejtësi të ndryshme.

Për momentin Aircar mbetet vetëm një koncept automjeti fluturues, ndonëse krijuesi po synon ta lansojë prototipin në vitin 2024./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending