Connect with us

Aktuale

Kursim parash dhe kohë – shumë londinezë punojnë tani nga shtëpia

Published

on

Për shkak të pandemisë shumë londinezë po punojnë prej disa muajsh nga shtëpia. Ky model i ri duket se sjell mjaft përfitime si për punonjësit dhe punëdhësit. Të vetmet që ankohen janë agjencitë e pasurive të patundshme.

Gjithnjë e më shumë londinezë po punojnë nga shtëpia që nga fillimi i pandemisë së Coronës. Edhe 50 punonjësit e firmës James Brincat, që organizon trajnime për punonjës banke, filluan të punojnë në prill nga shtëpia. “Sa më shumë kohë kalonte që nuk shkonim në zyrë aq më mirë na dukej. Të gjithë ishin shumë më produktivë nga shtëpia, dhe biznesi ynë po rritej madje. Prandaj vendosëm të heqim dorë nga zyrat.” – tregon Xhejmsi.

15 përqind më shumë fitim

Zyrat e firmës James Brincat gjendeshin në një ndërtesë madhështore në Londër dhe zyra të tilla me qira rreth 15,000 euro në muaj janë simbol i rëndësishëm për të treguar statusin. Por që nga pandemia e koronës Jamesit papritmas kjo nuk i duket më kaq e rëndësishme.

Madje meqë nuk paguan më qira për zyrat, ai kursen mjaft para dhe në fund të muajit del me rreth 15 përqind më shumë fitim. Firma nuk ka tani asnjë zyrë dhe në rast se punonjësit e tij nuk do të ndryshojnë mendje, ai do ta vazhdojë përgjithmonë këtë model të i ri pune.

Kursim parash dhe kohe

Aine O´Carroll si shumica e punonjësve të Xhejmsit jeton jashtë Londrës dhe punon nga shtëpia. Megjithatë ajo komunikon me shefin dhe kolegët e saj çdo ditë, por jo më personalisht, por përmes video-konferencave. Edhe Aine kursen tani rreth 550 euro çdo muaj se nuk blen më bileta treni për të shkuar në qendër të qytetit.

“Eshtë shkëlqyeshëm që nuk më duhet të shkoj përditë në punë dhe mendoj se më e mira është të punosh kryesisht nga shtëpia dhe të shkosh në zyrë një apo dy herë në javë, nëse e ke të nevojshme qoftë për punën, qoftë për t’u takuar personalisht herë pas here me kolegët.”

Ndryshim shpresëdhënës

Që prej periudhës së karantinës në Londër po vihen re ndryshime më radikale se kurrë. Rreth 9 përqind e firmave londineze kanë hequr tani plotësisht dorë nga zyrat e tyre. E disa po flasin madje për një revolucion.

“Ky ndryshim është shpresëdhënës. Sa e sa herë kemi folur për një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës, por shumë prej nesh duhet të bënin çdo ditë një orë rrugë për në Londër, të punonin nga nëntë deri në pesë e pastaj prapë një orë rrugë për t’u kthyer në mbrëmje në shtëpi. Ky nuk është ekuilibër mes punës dhe jetës. Por tani kjo po ndryshon.” – thotë Richard Burge nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Londër.

Nevojë për koncepte të reja

Por ky ndryshim nuk u pëlqen atyre që jetojnë prej pasurive të paluajtshme, si Lee Elliott. Zyrat e agjentit të pasurive të paluajtshme gjenden në ndërtesën më të lartë të Londrës Shard.

“Unë nuk mendoj se tani po shkojmë drejt një krize të tregut të ambienteve për zyra. Fjala është më tepër për korrigjime në treg. Vërtet tani nuk kërkohen më zyra të mbushura me tryeza pune dhe njerëz që shkruajnë emaile. Por ama kërkesa për një vend ku njerëzit mund të takohen, të shkëmbejnë ide dhe të punojnë së bashku për diçka vazhdon të ketë.” – thotë agjenti i pasurive të paluajtshme. Sipas tij tani ka nevojë për një koncept të ri: “Për zyra që stimulojnë punonjësit, që u nxisin krijimtarinë dhe ku ata ndjihen mirë. Pra zyra me cilësi të lartë.”

Por megjithë idetë e zyrave të pasurive të paluajtshme shumë firma kanë marrë një drejtim tjetër në Londër. Vlera e zyrave po vihet në dyshim. Dhe në tregun e zyrave dhe të mjediseve të punës në Londër pritet të ndodhin edhe më shumë ndryshime./dw

Aktuale

Komuna e Prizrenit organizon aksionin pranveror të mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme

Published

on

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave ju njofton se nga data 1 – 7 Maj organizohet aksioni pranveror i mbledhjes së mbeturinave të vëllimshme.

Ky aksion është falas dhe është një mundësi që të kontribuoni në mbrojtjen e mjedisit të përbashkët, ndaj luteni t’i respektoni datat.

Gjatë kësaj kohe, luteni që t’i vendosni mbeturinat para shtëpisë suaj, për të siguruar shkarkimin e tyre të rregullt.

Banorët e ndërtesave të banimit kolektiv duhet t’i vendosin mbeturinat para pikës më të afërt të mbeturinave.

Këto aktivitete janë një mundësi për ta sensibilizuar komunitetin për rregullat e shkarkimit të mbeturinave dhe për të ndihmuar në ruajtjen e mjedisit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Prokuroria Speciale e fton në intervistim zv. ministrin e Infrastrukturës Hysen Durmishin

Published

on

Në korrik të 2023, në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

10 muaj më vonë, Prokuroria e Speciale e Republikës së Kosovës e ka ftuar zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishin për ta intervistuar në lidhje me këtë çështje.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur ka ankesë aktive nga një operator ekonomik që ka marrë pjesë në tender, aktiviteti i prokurimit pezullohet dhe autoriteti kontraktues nuk ka të drejtë të procedojë me nënshkrim të kontratave.

Continue Reading

Aktuale

AVONET: Prokurori i rastit të dërgohet në procedurë disiplinore

Published

on

Bordi drejtues i Rrjetit të organizatave jo-qeveritare AVONET dënon me vendosmëri kërcënimin dhe tentim sulmin ndaj Drejtorit Ekzekutiv të Organizatës sonë, z. Kenan Gashi.

Ky rast është raportuar menjëherë tek organet kompetente, megjithatë, ende nuk është ndërmarrë veprim nga Prokuroria Themelore e Ferizajt për të zgjidhur situatën.

Kërcënimi ndaj z. Gashit vjen nga një person i përfshirë në një proces gjyqësor në mes të AVONET dhe Komunës së Ferizajt dhe një kompanie. Është e rëndësishme të theksohet se ky kërcënim është pasojë e përpjekjeve të shoqërisë civile për të përfaqësuar dhe për të ndihmuar komunitetin, një mision që organizata jonë përpiqet të përmbushë me përkushtim çdo ditë.

Kërcënime të tilla ndaj aktivistëve të shoqërisë civile nuk mund të tolerohen dhe tregojnë mungesën e respektimit për të drejtat themelore dhe lirinë e shprehjes në shoqërinë tonë, të garantuara në nivel kushtetues.

Këto mosveprime të prokurorisë janë duke krijuar një precedent tejet të rrezikshëm për shoqërinë civile. Në vend që prokuroria të përcjell një mesazh të fuqishëm ndaj të gjithë atyre individëve që tentojnë të pengojnë dhe rrezikojnë punën e shoqërisë civile, publiku informohet se rasti po trajtohet në procedurë të rregullt. Në këtë mënyrë prokuroria ju mundëson këtyre personave “imunitet penal”.

𝐏𝐞̈𝐫 𝐤𝐞̈𝐭𝐨 𝐚𝐫𝐬𝐲𝐞, 𝐁𝐨𝐫𝐝𝐢 𝐃𝐫𝐞𝐣𝐭𝐮𝐞𝐬 𝐢 𝐀𝐕𝐎𝐍𝐄𝐓, 𝐩𝐞̈𝐫𝐦𝐞𝐬 𝐤𝐞̈𝐬𝐚𝐣 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐚𝐭𝐞, 𝐧𝐣𝐨𝐟𝐭𝐨𝐧 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤𝐮𝐧 𝐬𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐬𝐡𝐤𝐚𝐪𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐢𝐠𝐮𝐫𝐢𝐬𝐞̈ 𝐣𝐮𝐫𝐢𝐝𝐢𝐤𝐞, 𝐤𝐚 𝐮𝐫𝐝𝐡𝐞̈𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐞𝐤𝐳𝐞𝐤𝐮𝐭𝐢𝐯𝐢𝐧 𝐞 𝐨𝐫𝐠𝐚𝐧𝐢𝐳𝐚𝐭𝐞̈𝐬 𝐩𝐞̈𝐫 𝐭𝐞̈ 𝐞 𝐝𝐞̈𝐫𝐠𝐮𝐚𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐢𝐭 𝐳.𝐁𝐞𝐬𝐧𝐢𝐤 𝐍𝐮𝐫𝐞𝐝𝐢𝐧𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐝𝐮𝐫𝐞̈ 𝐝𝐢𝐬𝐢𝐩𝐥𝐢𝐧𝐨𝐫𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐞̈𝐬𝐡𝐭𝐢𝐦 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐫𝐫𝐣𝐞𝐬 𝐬𝐞̈ 𝐯𝐞𝐩𝐫𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐤𝐮𝐫𝐨𝐫𝐢𝐚𝐥𝐞.

Bordi drejtues i AVONET dhe organizatat e shoqërisë civile, të përkushtuar për të përfaqësuar interesat e komunitetit dhe për të luftuar për drejtësi, bëjnë thirrje për një hetim të plotë dhe të drejtë në lidhje me këtë rast dhe kërkon solidaritetin e organizatave jo-qeveritare të tjera të cilat ndajnë të njëjtat vlera që janë të përkushtuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending