Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj Qazim Reqicës, në rastin ku ai dhe Zeqir Gashi, Rexhep Gashi, Agron Hajdari dhe Nazmi Musliu po akuzohen se kanë dëmtuar Korporatën Energjetike e Kosovës (KEK) në vlerën prej 53 mijë euro, duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.
Ndërsa, për veprën penale të mashtrimit po akuzohet Tefik Hargaja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Vendimin për lëshimin e urdhëresës për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit Reqica, e mori kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, pasi që i njëjti mungoi në seancën e së hënës.
Mungesën e të akuzuarit Reqica e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Granit Curri, i cili deklaroi se përmes telefonit, i njëjti dje e ka njoftuar atë se për arsye shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm në seancë. Seanca e radhës për këtë çështje penalo-juridike u caktua më 12 prill 2022.
Aktakuza e ushtruar në nëntor të vitit 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkon Zeqir Gashin, Qazim Reqicën dhe Rexhep Gashin, se kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare në KEK- Obiliq, duke pranuar nga operatori ekonomik “Univers-M” katër reduktorë të 15KW nga pozicioni i 33, i të njëjtës kontratë, mall ndryshe me atë të kërkuar në kërkesë dhe të shkruar në fletëdërgesë dhe në fatura.
Me këtë, në bashkëkryerje të pandehurit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënuar me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Sipas aktakuzës, në maj të 2016-ës, në KEK-Obiliq, i akuzuari Nazmi Musliu duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si person përgjegjës për përcjelljen e kontratës nga autoriteti kontraktues, ka nënshkruar kërkesën për blerjen e katër reduktorëve të 14KW nga pozicioni i 11 i kontratës me çmim prej 16 mijë euro për copë, edhe pse në të njëjtën kontratë në pozicionin 33 kishte reduktorë të 15KW me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë.
Me këtë, Hajdari dhe Musliu po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Ndërsa, Tefik Hargaja akuzohet se si person përgjegjës mashtron KEK-un si autoritet kontraktues, duke dorëzuar katër reduktorë të 15 të pozicionit 33 me çmim prej 2 mijë e 600 euro për copë, ndërsa i kishte faturuar si në kërkesën e Autoritetit Kontraktues- KEK, me fletëdërgesë me çmim prej 16 mijë euro për copë ashtu siç ishte në pozicionin nr.11 të kontratës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të KEK-ut në vlerë prej 53 mijë euro./Media Ndërtimi.