Connect with us

Aktuale

Raporti për dëmet e shkaktuara nga vërshimet pritet të dërgohet në komisionin vlerësues

Published

on

Raportet përfundimtare për dëmet e shkaktuara nga vërshimet në disa komuna të Kosovës, pritet së shpejti të dërgohen në komisionin vlerësues në nivel qendror.

Skenderaj dhe Mitrovica janë komunat më të dëmtuara, duke lënë pas Istogun, Rahovecin dhe Podujevën. Zyrtarë të këtyre komunave kanë theksuar se janë në përfundim të raportit përfundimtar për tri kategoritë: ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi.

Javën e ardhshme pritet që komunat e dëmtuara nga vërshimet e fundit, t’i dorëzojnë në nivelin qendror raportet me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në tri kategori: ekonomi familjare, biznese dhe bujqësi. Dëme të mëdha janë shkaktuar në Skenderaj ku ato shkojnë mbi 15 milionë euro, thotë për Radio Kosovën zëdhënësi i komunës, Amir Lushtaku.

“Komisioni për vlerësimin e dëmeve në Komunën e Skenderajt është në prag të finalizimit. Ky raport në një mbledhje të jashtëzakonshme do t’i dorëzohet ditën e enjte Kuvendit Komunal të Skenderajt, dhe pas miratimit nga Kuvendi, do t’i drejtohet komisionit vlerësues në nivel qendror, me të gjitha dëmet në të gjitha fushat, në ekonomi familjare, në biznese, në shkolla, në vetura, në infrastrukturë e kështu me radhë. Dëmet e shkaktuara, ashtu siç ka qenë një parashikim janë mbi 15 milionë”, tha ai.

Edhe Komuna e Mitrovicës është në përfundim të raportit përfundimtar për dëmet. Të dhënat preliminare theksojnë se dëmet shkojnë mbi 10 milionë euro, thotë për Radio Kosovën drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni.

“I kemi krijuar tri komisione të cilat janë dalë në terren për mbledhjen dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e fundit, komisioni për biznese, ai për ekonomi familjare dhe komisioni për infrastrukturë dhe bujqësi. Dëmet janë mbi 10 milionë euro, edhe pse komisioni qendror e ka një raport preliminar, jemi në përfundim të raportit përfundimtar i cili do të dërgohet te Komisioni Vlerësues në nivel qendror”, tha ai.

Ndërkohë në Komunën e Istogut janë në trajtim rreth 240 kërkesa për dëme në ekonomi familjare, bujqësi dhe biznese. Zyrtari për Emergjenca në këtë komunë, Skënder Hasanxhekaj, thotë për Radio Kosovën se dëmet llogariten të jenë diku rreth 3 milionë euro.

“Kemi shumë kërkesa të mëdha ndërsa tereni është i gjerë. Komisionet e caktuara janë çdo ditë në teren, kemi edhe disa kërkesa të patrajtuara në ekonomi familjare dhe bujqësi, të tjerat janë të përfunduara dhe deri të premten, do të përfundojmë vlerësimin e të gjitha kërkesave. Kërkesat kanë qenë në bujqësi, biznese dhe ekonomi familjare. Për sa i përket këtyre tri grupeve, janë rreth 240 kërkesa në përgjithësi, përjashtuar numrin e dëmeve në infrastrukturë dhe objekteve kolektive. Vlerësimi preliminar ka qenë 2 milionë e 997 mijë euro, por ende nuk është përfundimtar”, tha ai.

Nga vërshimet nuk ka shpëtuar as Komuna e Rahovecit. Kjo e fundit është dëmtuar në sektorin e bujqësisë. Shef i kabinetit të kryetarit në Komunën e Rahovecit, Ali Morina, thotë për Radio Kosovën, se janë dëmtuar rreth 100 mijë fermerë, e dëmet shkojnë 300 mijë euro.

“Dëme ka pasur përgjatë lumit të Drinit të Bardhë, ku janë vërshuar kryesisht tokat e mbjella me kulturën e grurit, kemi formuar komisionin për vlerësimin e dëmeve, ata janë në terren ndërsa vlera llogaritet të jetë diku rreth 300 mijë euro, ku janë dëmtuar rreth 100 mijë fermerë. Pritet që gjatë kësaj jave të përfundohet raporti”, tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka konfirmuar se dëmet në këtë komunë llogariten të jenë rreth 2 milionë euro në tri kategoritë. Për këtë çështje, ditë më parë, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se deri në sigurimin e raporteve finale për dëmet e shkaktuara, nuk kanë ndarë fond të veçantë për mbështetjen e komunave të prekura nga vërshimet, pasi që raportet përfundimtare nuk kanë arritur në nivelin qendror./Media Ndërtimi

Aktuale

Ministria e Mjedisit shënon ditën botërore të ujërave me moton botërore “Përshpejto Ndryshimin”

Published

on

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me SKAT programi IWRM-K, me rastin e 22 Marsit, “Ditës Ndërkombëtare të Ujit” dhe 23 Marsi “Dita Ndërkombëtare e Meteorologjisë”, mbajti takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të zyrës Zvicerane në Kosovë, partner të MMPHI-së, përfaqësues të Komunave, Kompanive Rajonale të Ujësjellësve, ekspert lokal dhe ndërkombëtar të fushës së ujërave.

Në fjalën e saj zv. Ministrja e MMPHI-së znj. Linda Çavdarbasha theksoi se ne jemi sot këtu për të shënuar 22 marsin “Ditën Botërore të Ujit”, që sivjet mbahet me moton botërore “Përshpejto Ndryshimin”- “Bëhu ndryshimi që do të shohësh në botë”. Ajo falënderoj partneret për mbështetje të deri tanishme. Pasi që ne jemi në proces të hartimit të Planeve të Menaxhimit të Pellgjeve Lumore si dokumentet themelore strategjike për menaxhimin gjithëpërfshirëse të ujërave me të cilët përcaktohen objektivat dhe veprimet e nevojshme për të siguruar zhvillim dhe menaxhim të qëndrueshëm të ujerave me qellim të plotësimit të nevojave për pije, zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Plani i Menaxhimit të Pellgut Lumor “Drini i Bardhe” ka përfunduar. I dukshëm është suksesi i qeverisjes me shërbime ujore, ku këtu kemi një avancim në reforma në krahasim me rajonin dhe jemi të gatshëm t’i shkëmbejmë përvojat. Qeveria ka punuar edhe në përmirësimin e performancës së Kompanive Rajonale të Ujit.

Në vazhdim, z. Servet Spahiu Sekretari i Përgjithshëm i MMPHI-së theksoi se shënimi i secilës festë mjedisore ka rëndësinë e saj. Investimet në sektorin e ujërave në vitet e fundit janë rritur në masë të madhe që demonstron përkushtimin tonë për investime në këtë sektor me rëndësi strategjike për mirëqenien e popullatës dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror. Ne, si Ministri e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës jemi duke punuar me qëllim zhvillimin e kapaciteteve dhe menaxhimin sa më të mirë të resurseve ujore, duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare, në pajtueshmëri dhe përputhshmëri me EU ACQUIS COMMUNAUTAIRE, në pikat si vijon:

 Kompletimi i kuadrit ligjor (Hartimi i ligjit të ri për ujëra, Kompletimi i akteve nënligjore që kërkohen me Ligjin për Ujëra, Inicimi i hartimit të një ligji për financimin e menaxhimit të ujërave)

 Konsolidimi institucional dhe ngritjen e kapaciteteve

 Konsolidimi i burimeve dhe mekanizmave të financimit të menaxhimit të ujërave

 Ndërtimi i akumulacioneve të reja të ujit me qëllim rritjen e kapacitetit të akumuluar për banorë

 Mbrojtja e burimeve të ujit të pijshëm

 Monitorimi kualitativ dhe kuantitativ të ujërave

 Hartimi i Planeve të Menaxhimit të Pellgjeve Lumore

 Mbrojtja e lumenjve nga degradimi

 Zbatimi i masave për sigurinë e digave

 Fuqizimin e Sistemit Informativ Ujor

Kurse, z.Naser Afizi Drejtor i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në MMPHI: -Ne jemi mobilizuar për të adresuar sfidat për ujin, duke u nisur nga forcimi i kornizës ligjore duke vazhduar me veprimet konkrete për adresimin e nevojës për ndërtimin e akumulimeve të reja (me mbështetjen e WBIF, duke filluar nga ato që janë prioritet i padiskutueshëm siç është diga e Firajës që do të sigurojë ujë për rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës dhe diga e Kamenicës për të siguruar ujin e nevojshëm për zonën më të thatë me ujëra. Po ashtu, tashmë kemi iniciuar hartimin e studimeve të fizibilitetit për tri diga tjera: Dragaqinë (Therandë), Pollatë (Podujevë) dhe Kuçicë (Skenderaj) si dhe hartimin e një plani në nivel të Kosovës përmes mbështetjes së Bankës Botërore, për ndërtimin e digave të reja, që është një përditësim i masterplanit të ujërave.

Takimi publik vazhdoi me z. Shiqeri Dermaku, udhëheqës i Divizionit të Ujërave, njëherit edhe Kryesues i GPN, me prezantimin dhe hapjen e debatit me të gjithë pjesëmarrësit për Koncept Dokumentin e Fushës së Ujërave me temat: Planet e menaxhimit të katër pellgjeve lumore; Siguria e ujit të pijes përmes ndërtimit të digave të reja; Menaxhimi i përmbytjeve/hartat e rrezikshmërisë./Media Ndërtimi.

Continue Reading

Aktuale

Qeveria ndan 6 milionë euro të tjera për tejkalim të krizës me energji

Published

on

Qeveria ka ndarë 6 milionë euro për tejkalimin e krizës energjetike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kjo është e nevojshme për të vazhduar subvencionimin e tarifave dhe qytetarëve që e kursejnë energjinë elektrike.

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e Ministrisë së Financave për ndarjen e gjashtë milionë euro për subvencionim të faturave të energjisë elektrike për amvisëritë të cilat kanë ulur konsumin krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

“Në kuadër të subvencionimit të energjisë elektrike, bëjmë ndarjen e radhës në shumë 6 milionë euro në mënyrë që të vazhdohet subvencionimi i atyre që kanë kursyer energjinë elektrike”, ka thënë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Masa 3.7 e Pakos për Ringjallje Ekonomike parasheh mbështetjen e qeverisë në tejkalimin e krizës energjetike.

“Amvisëritë të cilat ulin konsumin e energjisë elektrike krahasuar me muajt përkatës të vitit paraprak e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me subvencionim të faturës së energjisë elektrike në raport me kursimin, duke filluar nga fatura e muajit Shtator 2022”, thuhet në Pakon për Ringjallje Ekonomike.

Qeveria e Kosovës nga muaji shtator ka filluar të subvencioni qytetarët të cilët kursejnë energjinë elektrike. Ky subvencionim i energjisë elektrike, është në kuadër të pakos që është përgatitur nga ekzekutivi për të përballuar inflacionin.

Qytetarët do të subvencionohen për dyfishin e kursimit të energjisë elektrike. Konsumatorët nuk kanë nevojë të aplikojnë pasi do të përdoren të dhënat nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati kishte njoftuar që nëse një familje ka shpenzuar 1,000 kilovat në shtatorin e vitit të kaluar ndërsa në shtatorin e këtij viti ka harxhuar 900 kilovatë, ajo do të subvencionohet për dyfishin e kursimit, do të thotë 20% (pasi që 10% është kursimi në mes dy muajve, ndërsa dyfishi i kursimit është 20%)./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Qeveria emëron bordin e drejtorëve të Infrakos

Published

on

Qeveria në mbledhjen e fundit, ka emëruar edhe Bordin e Drejtorëve të ndërmarrjes publike Infrakos.

Kryesuese është zgjedhur Edona Nahi.

“Edona Nahi kryesuese, Genc Hyndozi anëtar, Besarta Uka anëtare dhe Fitim Rraci anëtar”, tha kryeministri Albin Kurti.

Po ashtu, janë miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare për marrje të kredive.

Njëra për zhvillimin e sektorit te energjisë dhe përmirësimin e rrjetit të transmetimit, kurse tjetra për Projektin e Ngrohtores Solare të Prishtinës.

Në anën tjetër, ekzekutivi ndau edhe 6 milionë euro si mbështetje për subvencionimin e energjisë elektrike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending