Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.
Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.
Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.
Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.
Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.
Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.
Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.
Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.
Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.
E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.
Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.
Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi