Connect with us

Aktuale

Policia nis hetimet për rrugën ku u paguan urat e nuk u ndërtuan

Published

on

Hetuesit e krimeve ekonomike në policinë e Kosovës ka nisur hetimet lidhur ndërtimin e rrugës “Bardh i Madh -Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521m”.

Hetuesi ka vënë në shënjestër zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, pasi ky institucion e kishte realizuar tenderin në fjalë.

Hetimet janë duke u zhvilluar nën pretendimin se në këtë projekt, pozicionet të cilat ishin lëshuar në situacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit, disa nga to nuk ishin kryer. Pra, janë bërë pagesa për pozicionet që nuk janë kryer, në mesin e tyre edhe dy ura.

Duke u thirrur në burime të veta, lajmi.net ka raportuar vitin e kaluar për këtë rast. Ndërkohë, para pak ditëve këtë fakt e ka theksuar edhe Zyra Kombëtare e Auditimit –ZKA, në Raportin për Pasqyrat Financiare për vitin 2019 të Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajmi.net ka mësuar se fillimisht janë intervistuar zyrtarët e ministrisë të cilët ishin autorizuar për të bërë pranimin teknik të rrugës, të cilët kishin konstatuar që mungojnë disa pozicione.

“Ish-sekretari i ministrisë, Betim Reçica kishte mandatar komisionin për pranimin teknik për këtë projekt në përbërje prej tre anëtarëve, Ardian Begaj –anëtar, Hysen Merovci dhe Skënder Uka – anëtar. Pasi ka dalë në terren, ky komision e ka hartuar një raport ku në të ka shkruar se mungojnë dy urat (lëshesat pllakose) si dhe disa pozicione tjera nuk janë të kryera sipas projektit. Por, për autoritet të ministrisë, raporti nuk ka qenë i pranueshëm. Më pas sekretari e ka formuar një komision të ri për pranimin teknik të rrugës në përbërje prej Nebi Luzha, Isa Berisha dhe një tjetër anëtar. Ata e kanë bërë pranimin teknik brenda dy ditëve. Për momentin janë intervistuar komisioni i parë i ministrisë, të cilët kishin konstatuar që ka shkelje”, kanë bërë të ditur për lajmi.net një burim.

Zyra Kombëtare e Auditmit, para pak javëve ka publikuar Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare të vitit 2019 për ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Në këtë raport është theksuar kjo shkelje që ka të bëjë me kontratën “Ndërtimi i rrugës Bardh i Madh -Lismir, Fushë Kosovë”.

Në ZKA kanë thënë për lajmi.net se kanë bashkëpunim me organet e hetuesisë, por nuk kanë treguar nëse e kanë dërguar këtë lëndë në polici.

“ZKA deri tani ka publikuar 80 raporte të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të institucioneve publike për vitin 2019, përfshirë këtu edhe raportin për Ministrinë e Infrastrukturës. Raportet përmbajnë informata të rëndësishme për mënyrën e menaxhimit të parasë publike nga organizatat buxhetore dhe rekomandime konkrete se si të përmirësohet gjendja. Përderisa raporti i auditimit është publik, organet e drejtësisë mund të marrin në konsideratë të dhënat e shpalosura në raport nëse ato përmbajnë elemente të mjaftueshme për të filluar hetimet. Nisja dhe zhvillimi i hetimeve edhe në rastet kur për bazë janë marrë gjetjet nga raporti i auditimit janë kompetencë ekskluzive e organeve të drejtësisë me të cilat Zyra Kombëtare e Auditimit ka bashkëpunim të ngushtë në kuadër të ushtrimit të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese”, thuhet në një përgjigje të departamentit për komunikim dhe zhvillim profesional të ZKA-së.

Zyra për informim e policisë së Kosovës nuk ka dhenë informata lidhur me atë se deri ku kanë shkuar hetimet dhe kush është intervistuar deri më tani.

“Mund t’ju konfirmojmë se informata është duke u trajtuar nga kompetentët”, thuhet në një përgjigje të zyrës për informim të këtij institucioni në pyetjet e dërguara para disa ditëve nga lajmi.net.

“Ndërtimi i rrugës Bardh i Madh – Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521.00m” ishte tenderuar në fund të vitit 2017. Kontrata është nënshkruar me grupin e kompanive N.N.T. “Milazim Shala” & Npsh “Bageri”. Çmimi i kontratës ka qenë 434.013,57 euro.

Auditori ka shkruar në raport se e ka bërë ekzaminimin fizik të kësaj kontrate, me ç`rast ka identifikuar se për pozicione të cilat ishin lëshuar në situacionin financiar për pagesë si të përfunduara nga operatori ekonomik dhe të verifikuara nga menaxheri i projektit, disa nga to nuk ishin kryer. Po ashtu, sipas auditorit kishte ndryshim në disa pozicione të projektit apo mosrealizim të pozicioneve për të cilën nuk ishin marrë aprovime nga njësia kërkuese.

Sipas Auditorit, pozicionet për punët e pranuara, por të pa përfunduara (sipas ekzaminimit) ishin si në vijim:

Punët tokësore Pozicioni 1.3.8.1 Humusim i skarpateve të rrugës me trashësi t=15cm, përfshihen edhe kyçjet, ishte paguar vlera 5,519 euro, ndërsa nuk ishte punuar fare ky pozicion;

Punët tokësore Pozicioni 1.3.1 Gërmimi i dheut, vlera 30,266€, ishte kryer pjesërisht dhe jo sipas projektit;

Sinjalizimi Horizontal (Termoplastikë) Pozicioni 1.1 – 1.6, furnizimi dhe realizimi i vijës ndarëse të shiritave të qarkullimit, vlera e paguar 19,522€, ndërsa është bërë furnizim me ngjyrë të thjeshtë (nuk ishte ngjyrë termoplastikë);

Sinjalizimi Vertikal Pozicioni 2.1-2.4, furnizimi dhe vendosja e shenjave të udhëkryqeve, shkallët e lajmërimit dhe dimensionim sipas standardeve, vlera e paguar 1,760€, sinjalizimet ishin fiksuar shumë dobët (shumica e tyre me dorë mund të lëvizeshin nga vendi, dhe dy prej tyre ishin rrëzuar).

Ashtu, siç kishte raportuar lajmi.net, Auditori ka shkruar se, në dosjen e projektit është vërejtur se me vendimin nr. 10991 të datës 11.10.2019, Sekretari kishte emëruar komisionin për pranimin teknik dhe llogarinë përfundimtare të punëve të kryera në “Bardh i Madh, Lismir, Fushë Kosovë, L=3,521 m“. Po sipas auditorit, ky komision me datë 31.10.2019 kishte dërguar raportin tek menaxhmenti i ministrisë për pranimin teknik për punët e kryera sipas kontratës, dhe ka theksuar se punimet nuk janë kryer sipas projektit kryesor të hartuar, se me pëlqimin e menaxherit të kontratës janë bërë ndryshime pa aprovime paraprake të Autoritetit Kontraktues.

“Në fund, nga komisioni është konkluduar se nuk pranohen punët e kryera, ka shkelje të kushteve të kontratës dhe mos zbatim të projektit, dhe jeta e përdorimit nuk mund të përcaktohet për këtë projekt. Gjatë ekzaminimit tonë të punëve, ishin prezent edhe këta anëtarë të komisionit. Këtë raport menaxheri i kontratës e kishte refuzuar, dhe kishte kërkuar nga sekretari të ndryshohet komisioni i pranimit teknik. Ndërkohë, menaxheri i kontratës kishte bërë disa ndryshime në situacionin përfundimtar për pagesë, duke ndryshuar disa pozicione të cilat i kishte aprovuar më parë tek pagesat11”, thuhet në raport.

Tutje Auditori ka bërë të ditur se, Sekretari me datë 06.12.2019 me vendim kishte ndryshuar anëtarët e komisionit, dhe kishte kërkuar që të bëhet një vlerësim i ri për pranimin teknik.

“Komisioni i ndryshuar, me datën 23.12.2019 kishte hartuar raportin për pranim teknik të projektit. Konkluzioni i komisionit ishte se pranohen punimet e kryera sipas kontratës, pasi që vërehet se punët janë kryer sipas kualitetit të kërkuar. Mirëpo, duhet të theksohet se në këtë periudhë, menaxheri i kontratës kishte ndryshuar situacionin final në disa pozicione nga ai që kishte pasur në dispozicion komisioni i parë. Kjo kishte ndodhur për shkak se menaxheri i projektit kishte nënshkruar raportet që punët janë përfunduar sipas kushteve të kontratës, përderisa ato nuk ishin kryer. Po ashtu, edhe si rezultat i neglizhencës së menaxhmentit për të pranuar dhe analizuar raportin e pranuar nga komisioni i parë, dhe marrjen e veprimeve të duhura për këtë projekt”, thuhet në raport.

Aktuale

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se mbrojtësit e familjes së tij u tërhoqën nga lënda pasi u kërcënuan nga dikush

Published

on

Në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Dejan Llaziq, i cili tha që gjatë procedurave gjyqësore lidhur me rikthimet e parcelave avokatët e familjes së tij janë kërcënuar e më pas janë tërhequr nga lënda.

Fillimisht dëshmitari Llaziq pohoi se familja e tij ka pasur një tokë në Çagllavicë dhe e njëjta është trashëgimi familjare dhe se prej vitit ‘ 90-ta e mban në mend se e kishin punuar të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, tregoi se toka tashmë është në pronësi të dikujt tjetër, mirëpo sipas familjarëve të tij kurrë nuk e kanë shitur të njëjtën, përveç se e kanë pasur një marrëveshje paraprake me blerësit potencial, por jo të finalizuar.

“Pasi që kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes, pasi që është dhënë një kapar, ata njerëz kanë ardhë me një avokat dhe na kanë thënë që ata nuk do ta blejnë dhe po tërhiqen, pas më shumë se gjashtë muaj dhe kanë kërkuar që ajo kapar t’ju kthehet. Të gjitha këto janë të kthyera (kapari është kthy). Më vonë kam marrë vesh se ata njerëz tani në kadastër janë pronarë”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me këtë kontest ai deklaroi se iu kanë drejtuar EULEX-it.

Pas pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova për angazhimin e ndonjë avokati nga ana e familjes së tij lidhur me këtë çështje, dëshmitari Llaziq tha se avokati Anton Nokaj i është ankuar dikujt në familje se nga dikush është kërcënuar, duke mos përmendur ndonjë emër konkret.

Ai gjithashtu theksoi se në cilësinë e përfaqësues ligjore të familjes ka qenë edhe Fatime Berisha, e cila e kishte tërhequr padinë pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në atë kohë, pasi që edhe ajo në atë kohë kinse ka marrë kërcënime.

“Nuk e di se çfarë kërcnime dhe nga kush. Kinse thuhet sepse unë nuk kam qenë prezent në ato biseda me Fatimen…dhe për këto kam dëgjuar prej familjarëve të mi”, tha dëshmitari Llaziq.

I njëjti ka mohuar se e njeh të akuzuarin Mehmet Prishtina.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës, Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi pas deklarimit të dëshmitarit se nuk ka qenë prezent në asnjë procedurë por vetëm ka dëgjuar nga familjarët e tij, duke konsideruar se aktakuza është ngarkuar me shumë prova të panevojshme.

“Prokuroria Speciale me dëgjimin e këtij dëshmitari, nuk e ka marrë parasysh faktin se edhe në fazën e hetimeve edhe në seancat e gjykimit, gjithçka që është përgjigj ka pas thënie të dëgjuara nga familjarët e tij dhe asnjëherë s’ka qenë pjesëmarrës në asnjë veprim procedural për asnjë çështje penale për të cilat jemi këtu. Kjo do të thotë aktakuza është ngarku me shumë prova të panevojshme”, tha avokatja Mjekiqi.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili bëri të ditur që ky shqyrtim fillon rishtazi, ashtu që në vend të gjykatëses Suzana Çerkini, tani është gjykatësi Rrahman Beqiri, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet procedurale u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një kompani ndërtimi dëmton kabllot e rrjetit nëntokësor në lagjen “Pejton”, mbesin pa energji elektrike një numër i caktuar i konsumatorëve

Published

on

Një kompani ndërtimi, teksa kryente punime në lagjen “Pejton”, ka shkaktuar dëmtimin e kabllove të rrjetit nëntokësor.

Me këtë rast kanë mbetur pa rrymë një numër i caktuar i konsumatorëve të kësaj lagjeje dhe asaj të Dardanisë.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të evituar dëmin e shkaktuar. Falë përkushtimit të tyre deri më tash është arritur që pjesërisht të rikyçen në rrjet disa konsumatorë, derisa po punohet në mënyrë intensive që furnizimi t’u rikthehet të gjithë konsumatorëve të afektuar.

Për këtë rast janë informuar organet e rendit, dhe KEDS u bën thirrje kompanive të ndërtimit që të kenë kujdes të shtuar gjatë realizimit të punëve, meqë përveçse dëmtojnë asetet elektroenergjetike të KEDS-it, lënë pa furnizim me energji elektrike edhe konsumatorët./Media Ndërtim

Continue Reading

Aktuale

“Termokos” përfundon sezonin ngrohës 2023/2024

Published

on

Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat.

Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m².

Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë.

NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë./Media Ndëtimi

Continue Reading

Trending