Connect with us

Aktuale

Pa mërgimtarët, Kosova do të mbetet pa infuzionin e saj vjetor

Published

on

Situata e pandemisë ka shkaktuar probleme enorme financiare për bizneset në Kosovë. Një shpresë për ta është ardhja e mërgimtarëve në pushimet verore. Në rast mungese, ekspertët e ekonomisë thonë se buxheti i Kosovës do të jetë në minus për rreth 400 milionë euro. Ndërsa, bizneset e vogla rrezikojnë mbylljen.

Ashtu si tërë Evropën, pandemia e Covid-19 ka prekur edhe Kosovën duke bërë që të ndërmerren masa të ashpra për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. U mbyllën shumë vende të punës si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Mbyllja që zgjati për afër tre muaj ka bërë që një goditje të rëndë financiare ta pësojnë bizneset në Kosovë.  Eksperti i ekonomisë, profesor Muhamet Mustafa ka sqaruar për albinfo.ch humbjet ekonomike që i janë paraqitur Kosovës në periudhën mars, prill dhe maj, kur pothuajse të gjithë sektorët pushuan së funksionuari. Dhe, siç ka theksuar Mustafa, kjo situatë ka prekur direkt buxhetin e Kosovës.

“Kosova zbatoi një sërë masash shtrënguese të kufizimit të aktiviteteve ekonomike e sociale për të frenuar përhapjen e epidemisë dhe kjo ndikoi në reduktimin e aktiviteteve ekonomike thuaja në gjithë sektorët. Kemi pasur një pako emergjente masash prej rreth 170 milionë Eurosh që e shpalli Qeveria e që u zëvendësua këto dite, por e cila nuk u zbatua tërësisht dhe nuk pati efekte të ndjeshme pasi ishte e kufizuar me pamundësinë që të bëjë rebalancin buxhetit. Sipas hulumtimeve tona, në shumë degë ekonomike pati një rënie të prodhimit dhe shitjeve në tre muajt e kaluar për 40-80%, të ardhurat në buxhet u zvogëluan për rreth 200 milionë Euro, ndërsa numri i të papunëve të regjistruar u rrit për 30.000 vetëm muajin e fundit e për rreth 60,000 nga fillimi i vitit”, ka thënë Mustafa.

Normalizimi i ekonomisë, vetëm në vitin 2021

Mustafa ka folur për pasojat ekonomike që ka lënë situata pandemike në Kosovë. Ai ka thënë se një normalizim në këtë drejtim mund të ndodhë vetëm në pjesën e dytë të vitit 021. Dhe, kjo vetëm nëse nuk ka një valë të dytë pandemike.

“Pasojat nga rënia e aktiviteteve do të shfaqen edhe tek çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit dhe shitjes brenda dhe jashtë vendit, vështirësinë për përballimin e pagesave ndaj kreditorëve dhe borxheve ndaj bankave, partnerëve dhe taksave, tatimeve, ndërprerjen e aktivitetit investues në projekte të caktuara, rënien e investimeve të jashtme, zvogëlim të ardhurave nga remitancat. Sipas vlerësimeve, nën supozim se nuk do të kemi një shpërthim të serishëm pas qershorit, GDP do të pësojë një tkurrje 5% në krahasim me një vit më parë, dhe një normalizim do të mund te pritej vetëm në kuartalin e dytë të vitit 2021”, ka thënë Mustafa.

Diaspora – “Infuzioni” 400 milionësh i Kosovës

Një rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e bizneseve në Kosovë e luajnë mërgimtarët. Mustafa ka thënë se në rast të mungesës së tyre në muajt e verës, buxheti i Kosovës do të dëmtohet me rreth 400 milionë euro.

“Ka një rol të rëndësishëm. Efekti i të ashtuquajturit “turizmi i diasporës” që vlerësohet rreth 400 milionë euro është një infuzion i rëndësishëm për shumë sektorë ekonomie gjatë muajve të verës në Kosovë e sidomos në sektorin e gastronomisë. Të shpresojmë se nuk do të mungojë tërësisht, pasi që kjo do ta përkeqësonte ndjeshëm situatën”, ka thënë Mustafa.

Ndërsa, Valdrin Krasniqi, gazetar në Kosovë, mundësinë e mosardhjes së mërgimtarëve në vendlindje, e quan “goditje të dytë” për Kosovën.

“Mosardhja e mërgimtarëve këtë vit në Kosovë mund ta dëmtojë jashtëzakonisht shumë ekonominë e vendit. Bizneset kanë pësuar goditje të madhe nga virusi korona dhe në rast se mërgimtarët nuk do të vijnë këtë verë në vendlindje, atëherë do ta marrin goditjen e dytë dhe rreziku është shumë i madh që disa prej bizneseve ndoshta edhe të falimentojnë”, ka thënë ai.

Edhe sipas Krasniqit, mërgimtarët janë “infuzioni” i ekonomisë kosovare.

“Të gjithë e dimë se ardhja e mërgimtarëve rrit konsumin në Kosovë. Ata i japin një infuzion ekonomisë së vendit pasi që të gjitha kursimet e vitit i derdhin në vendlindje. Ne po shpresojmë që situata epidemiologjike do të përmirësohet dhe shtetet do të përgatisin plane urgjente për rimëkëmbjen ekonomike, e cila ka prekur gjithë botën”, është shprehur ai.

Bizneset rrezikojnë mbylljen, shpresojnë ardhjen e mërgimtarëve

Salloni i bukurisë “Endivito” në Prishtinë, nuk ka funksionuar për tre muaj. Trodarta Gjinovci thotë se mbyllja tre mujore e ka dëmtuar shumë mbarëvajtjen e biznesit.

“Pandemia në biznesin tonë ka ndikuar keq në të gjitha aspektet. Është sikur t`ia fillosh një biznesi nga fillimi, e jo sikur që jemi biznes i hapur qe 12 vite. Për tre muaj nuk kemi funksionuar. Për ne, ardhja e mërgimtarëve luan një rol të madh, meqë është plus i madh për ne. Nëse do të ketë një përsëritje të pandemisë, atëherë do të mendojmë që edhe ta mbyllim biznesin”, ka thënë Gjinovci.

Ndërsa, për Bujar Tërstenën, pronar i diskontit të pijeve “A&B” në Ferizaj, ardhja e Diasporës luan padyshim rol në rimëkëmbjen ekonomike të bizneseve në Kosovë. “Mendoj se çdo biznes i ka pasur vështirësitë e veta, ashtu ka qenë edhe për mua. Si diskont i pijeve, gjatë muajve të verës kam shumë punë për furnizimin e lokaleve dhe restoranteve. Ndërsa, mbyllja e këtyre sektorëve ka ndikuar direkt në mos-funksionimin e biznesit tim. Por, shpresoj që të gjithë të kemi fillimisht shëndetin dhe edhe mërgimtarët të kenë mundësinë të vijnë e t`i vizitojnë familjarët e tyre. Pastaj, sigurisht që kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë në ngritjen ekonomike të bizneseve”, ka thënë Tërstena.

Dr. Mustafa: “Pasojat nga rënia e aktiviteteve do të shfaqen edhe tek çrregullimi i zinxhirëve të furnizimit dhe shitjes brenda dhe jashtë vendit, vështirësinë për përballimin e pagesave ndaj kreditorëve dhe borxheve ndaj bankave, partnerëve dhe taksave, tatimeve, ndërprerjen e aktivitetit investues në projekte të caktuara, rënien e investimeve të jashtme, zvogëlim të ardhurave nga remitancat”.

Ja sa është dëmtuar ekonomia kosovare

Sipas hulumtimeve tona, në shumë degë ekonomike pati një rënie të prodhimit dhe shitjeve në tre muajt e kaluar për 40-80%, të ardhurat në buxhet u zvogëluan për rreth 200 milionë Euro, ndërsa numri i të papunëve të regjistruar u rrit për 30.000 vetëm muajin e fundit e për rreth 60,000 nga fillimi i vitit”, ka thënë Mustafa.

Aktuale

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se mbrojtësit e familjes së tij u tërhoqën nga lënda pasi u kërcënuan nga dikush

Published

on

Në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Dejan Llaziq, i cili tha që gjatë procedurave gjyqësore lidhur me rikthimet e parcelave avokatët e familjes së tij janë kërcënuar e më pas janë tërhequr nga lënda.

Fillimisht dëshmitari Llaziq pohoi se familja e tij ka pasur një tokë në Çagllavicë dhe e njëjta është trashëgimi familjare dhe se prej vitit ‘ 90-ta e mban në mend se e kishin punuar të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, tregoi se toka tashmë është në pronësi të dikujt tjetër, mirëpo sipas familjarëve të tij kurrë nuk e kanë shitur të njëjtën, përveç se e kanë pasur një marrëveshje paraprake me blerësit potencial, por jo të finalizuar.

“Pasi që kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes, pasi që është dhënë një kapar, ata njerëz kanë ardhë me një avokat dhe na kanë thënë që ata nuk do ta blejnë dhe po tërhiqen, pas më shumë se gjashtë muaj dhe kanë kërkuar që ajo kapar t’ju kthehet. Të gjitha këto janë të kthyera (kapari është kthy). Më vonë kam marrë vesh se ata njerëz tani në kadastër janë pronarë”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me këtë kontest ai deklaroi se iu kanë drejtuar EULEX-it.

Pas pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova për angazhimin e ndonjë avokati nga ana e familjes së tij lidhur me këtë çështje, dëshmitari Llaziq tha se avokati Anton Nokaj i është ankuar dikujt në familje se nga dikush është kërcënuar, duke mos përmendur ndonjë emër konkret.

Ai gjithashtu theksoi se në cilësinë e përfaqësues ligjore të familjes ka qenë edhe Fatime Berisha, e cila e kishte tërhequr padinë pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në atë kohë, pasi që edhe ajo në atë kohë kinse ka marrë kërcënime.

“Nuk e di se çfarë kërcnime dhe nga kush. Kinse thuhet sepse unë nuk kam qenë prezent në ato biseda me Fatimen…dhe për këto kam dëgjuar prej familjarëve të mi”, tha dëshmitari Llaziq.

I njëjti ka mohuar se e njeh të akuzuarin Mehmet Prishtina.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës, Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi pas deklarimit të dëshmitarit se nuk ka qenë prezent në asnjë procedurë por vetëm ka dëgjuar nga familjarët e tij, duke konsideruar se aktakuza është ngarkuar me shumë prova të panevojshme.

“Prokuroria Speciale me dëgjimin e këtij dëshmitari, nuk e ka marrë parasysh faktin se edhe në fazën e hetimeve edhe në seancat e gjykimit, gjithçka që është përgjigj ka pas thënie të dëgjuara nga familjarët e tij dhe asnjëherë s’ka qenë pjesëmarrës në asnjë veprim procedural për asnjë çështje penale për të cilat jemi këtu. Kjo do të thotë aktakuza është ngarku me shumë prova të panevojshme”, tha avokatja Mjekiqi.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili bëri të ditur që ky shqyrtim fillon rishtazi, ashtu që në vend të gjykatëses Suzana Çerkini, tani është gjykatësi Rrahman Beqiri, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet procedurale u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një kompani ndërtimi dëmton kabllot e rrjetit nëntokësor në lagjen “Pejton”, mbesin pa energji elektrike një numër i caktuar i konsumatorëve

Published

on

Një kompani ndërtimi, teksa kryente punime në lagjen “Pejton”, ka shkaktuar dëmtimin e kabllove të rrjetit nëntokësor.

Me këtë rast kanë mbetur pa rrymë një numër i caktuar i konsumatorëve të kësaj lagjeje dhe asaj të Dardanisë.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të evituar dëmin e shkaktuar. Falë përkushtimit të tyre deri më tash është arritur që pjesërisht të rikyçen në rrjet disa konsumatorë, derisa po punohet në mënyrë intensive që furnizimi t’u rikthehet të gjithë konsumatorëve të afektuar.

Për këtë rast janë informuar organet e rendit, dhe KEDS u bën thirrje kompanive të ndërtimit që të kenë kujdes të shtuar gjatë realizimit të punëve, meqë përveçse dëmtojnë asetet elektroenergjetike të KEDS-it, lënë pa furnizim me energji elektrike edhe konsumatorët./Media Ndërtim

Continue Reading

Aktuale

“Termokos” përfundon sezonin ngrohës 2023/2024

Published

on

Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat.

Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m².

Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë.

NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë./Media Ndëtimi

Continue Reading

Trending