Connect with us

Aktuale

Kreu i Arkitektëve të Shqipërisë: Së shpejti një muze për punën e Maks Velos

Published

on

Kreu i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë, Armand Vokshi, ishte një ndër të paktët që morën pjesë në ceremoninë mortore të artistit të madh, Maks Velo. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Vokshi tregon takimet e fundit me arkitektin e ndjerë, këndvështrimi dhe diskutimet me Velon për hapësirën publike në Shqipëri dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen me punën e tij.

Kur jeni takuar për herë të fundit me Maks Velon dhe për çfarë keni diskutuar?

Së pari dua të shpreh keqardhjen ne emër të Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë për këtë ikje të shpejtë të tij në këto momente mjaft të çuditsheme që po kalon njerëzimi. Prej kësaj situate na mbetet pengu që nuk arritëm t’i bënim të gjitha ritualet e duhura të lamtumires së fundit, të cilat i takojnë një njeriu të madh. Por nga ana tjetër, si pjesë e jetës dramatike që kaloi në tetëdhjetë e katër vitet e tij, nuk mund të mos ishte ndryshe për Maksin edhe akti i fundit i largimit nga ne.

Maksi ishte një njeri jashtëzakonisht aktiv, produktiv dhe mjaft prezent nëpër të gjitha aktivitetet mbi arkitekturë dhe artin. Me të kemi realizuar një sërë eventesh dhe herën e fundit që u takuam ishte para disa javësh, ku ne kishim ndërmend të organizonim në Prishtine një ekspozitë me veprat e tij dhe të arkitektit Petraq Kolevica.

Ishte shumë i lumtur që do shkonim atje edhe për të parë Prishtinen, por edhe për t’u treguar kolegëve tanë atje mbi arkitekturën e tij dhe të kolegut të tij në Shqipëri. Ky vit nuk na e dha mundësinë të bënim shumë bashkë, perveç pjesëmarrjes së tij në konferencën ndërkombetare Share, që organizuam në shkurt si SHASH, ku ai ishte një nga të ftuarit kryesor nga Shqipëria.

A ka pasur ndonjë projekt që Velo e ka lënë përgjysmë dhe ju do ta çoni në fund si një mënyrë për të plotësuar amanetin e tij?

Në arkitekturë Maks Velo nuk ka pasur ndonjë projekt të ri kohët e fundit me sa di, perveç restaurimit në qendër ngjitur me Hotel Tiranën, të “Pallatit të Shkrimtarëve” të projektuar prej tij në vitet ‘70, apo “Pallatit me Kuba” siç quhet ndryshe, të cilin po e realizonin në bashkëpunim me zotin Artan Shkreli. Pas hapjes së unazës së vogël dhe trasformimit të shtëpisë-muze të Ismail Kadaresë, kjo godinë tashmë po restaurohet nga jashtë dhe ai vetë po merrte pjesë në të. Maks Velo, sidomos në vitet e fundit, më shumë ishte dedikuar artit dhe shkrimeve të ndryshme. Shoqata e Arkitektëve ka promovuar pa masë projektet e tij dhe është munduar t’i japë vendin që i takon në debatet e ndryshme, mendimet mbi arkitekturën si dhe mbi kualitetin e lartë që i ka lënë në qytetet tona. Mendoj, pasi të kalojë kjo situatë anormale, ne do t’u kthehemi përsëri planeve të nisura me të dhe për të, në aktivitetet e ndryshme mbi arkitekturën.

Në 2019 për herë të parë dhatë titullin “Mjeshtër në arkitekturë” Maks Velos. Çfarë vlerësonit ju tek figura e Velos dhe si e priti ai këtë çmim?

Edhe pse duhet ta kishte bërë shumë kohë më parë, Shoqata e Arkitektëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, arriti t’i jepte titullin “Mjeshtër në arkitekturë” në 2019. Titulli ishte një mirënjohje e thellë e bashkësisë së kontributeve të jashtëzakonshme që ai dha në arkitekturë, parë kjo nga të gjitha këndvështrimet e profesionit.

Së pari duhet të kuptoni që ai ka qenë nga të parët arkitektë shqiptarë që perceptoi dhe thithi frymën e Lëvizjes Moderne në thellësinë e saj dhe arriti ta perthyejë atë në qytetet tona. Ai arriti të lidhë pikërisht në kohë tepër të vështirë në Shqipëri, artin dhe poezinë me shkencën e ndërtimit. Kurrë me parë nuk kishim parë një evolucion të tillë. Arkitektura e tij, edhe pse jo e një sasie të madhe, për shkak të izolimit që i bëri regjimi, ishte tejet e arrirë në raport me kohën kur u ndërtua.

Ajo mënyre kompozimi shpresëdhënëse u quajt një devijim nga linja e kulturës së Partisë së Punës. Maks Velo mbahet si nga të rrallat raste në botë, qe lë tekstualisht me gojëhapur çdo koleg të huaj kur ja tregojmë, që për shkak të realizimit të një modeli arkitekture poetike e arti atipik, jashtë binarëve të kohës së regjimit, është përndjekur, burgosur dhe ndaluar së projektuari.

Pra, imagjinoni çfarë mund të kishte bërë Maks Velo në rast se do kishte vazhduar së projektuari në vitet ‘70 e më pas. Pra, edhe arkitektura e ndaluar si dhe mohimi i mundësisë për të prodhuar ishte një shkas më shume për këtë çmim.

Së dyti, publikimet e tij kritike mbi arkitekturën dhe artin dominojnë libraritë e bibliotekat e qyteteve tona. Në do vërehet analiza dhe ngritja e problematikave profesionale, kulturore apo edhe politike e shoqërore, në mënyrë mjaft të mprehtë dhe shpesh në kontrast me pushtetin apo me kolegë, duke mos e ulur asnjëherë tonin. Maksi fliste kur masivisht të tjerët heshtnin. Ai ishte një institucion më vete i prodhimtarisë së debatit profesional.

Ky kontribut kritik i tij është i domosdoshëm në një vend si i yni, i cili po ndryshon radikalisht fytyrën e tij në këto 30 vite post diktature. Debati i munguar profesional i cili duhet të ishte një normalitet në tryezat e arkitektëve, në fakt kishte një aktivist e avokat te saj i cili ishte Maks Velo.

Daljet e tij publike priteshin me shumë interes nga të gjithe pasi gjithmonë kishte një mesazh të fortë të cilin e shoqëronte me një arsyetim të kuptueshëm e direkt edhe për ata që nuk ishin të profesionit. Edhe pse ishte një nga pionierët e Modernizmit në Shqipëri, zëri tij ishte në mbrojtje frontale të çdo pjese të trashëgimisë së kohrave të ndryshme së qyteteve tona.

Mendoj se kjo temë do të dojë shumë më shumë kohë për të bërë të mundur kompletimin e mozaikut të figurës së Maks Velos. Në të ardhmen do të kemi një muze dedikuar punës së tij dhe kjo do t’i bënte nder qytetarëve të kryeqytetit.

Duke qenë afër tij, si e shikonte Maks Velo hapësirën publike, artin e arkitekturës në Shqipëri, duke qenë se ai ishte një nga zërat më kritikues? A kishte diçka që donte ta ndryshonte në këtë vend?

Siç e theksuam më lart, Maksi në çdo event apo dalje publike, ishte mjaft kritik për ndryshimet e shpejta që po ndodhin në vendin tonë, pasi shpesh ato shoqërohen edhe me probleme të cilat bien në kontrast me principet e ruajtjes së trashëgimisë, apo janë zgjedhje të cilat humbasin raportet me madhësinë e qytetit, me vetë qytetarët.

Shpesh kritikonte edhe kolegët të cilët e kishin “shitur” profesionin sipas tij, duke u bërë vegël në “duart e gabuara”, kundër koncepteve bazë të anës profesionale. Ai kritikonte edhe përçundimin që u bëheshin edhe arkitekturave të projektuara jo vetëm në kohën e viteve para diktaturës, por edhe ato të realizuara gjatë saj.

Kritika e tij ka qenë gjithmonë direkte dhe e duartrokitur gjatë sidomos nga kolegët e rinj dhe nga studentët e arkitektures si pjesa më e çiltër profesionale. Shpresoj që Maks Velo të mbetet për ta përherë etaloni krahasues i punës dhe formimit të tyre kulturor.

Aktuale

Eurostat: Shqiptarët më punëtorët në Evropë, por me paga me të ulëta

Published

on

Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.

Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.

Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.

Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.

Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.

Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.

Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.

Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.

Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.

Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

BE do të jap 1 miliard euro ndihmë financiare për mbrojtjen sociale në Liban

Published

on

Gjatë vizitës së saj në Bejrut, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, diskutuan sfidat e rëndësishme të brendshme dhe rajonale me të cilat përballet Libani dhe se si BE-ja mund ta mbështesë më mirë vendin dhe njerëzit.

Ajo njoftoi se BE-ja do të ofrojë një paketë ndihme financiare për Libanin me vlerë 1 miliard euro për 2024-2027.

Kjo mbështetje e vazhdueshme e BE-së do të forcojë shërbimet bazë si arsimi, mbrojtja sociale dhe shëndeti për njerëzit në Liban. Ajo do të shoqërojë reformat urgjente ekonomike, financiare dhe bankare. Për më tepër, Forcat e Armatosura libaneze dhe forcat e tjera të sigurisë do t’i ofrohet mbështetje me pajisje dhe trajnime për menaxhimin e kufirit dhe për të luftuar kundër kontrabandës.

Vizita e Presidentes von der Leyen në Liban vjen pas takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 17-18 prill, ku Këshilli konfirmoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në Liban, duke përfshirë refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe komunitetet pritëse, si si dhe forcimin e mbështetjes për Forcat e Armatosura libaneze, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës. Këshilli Evropian ripohoi gjithashtu nevojën për të arritur kushte për kthime të sigurta, vullnetare dhe dinjitoze të refugjatëve sirianë, siç përcaktohet nga UNHCR./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Zyra e Kryeministrit Kurti furnizohet me mobile luksoze në vlerë prej 54 mijë euro

Published

on

Karrige lëkure, tepisona, vitrina e mobile të ndryshme luksoze. Të gjitha këto janë porositur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Orenditë e reja po kapin shifrën e 54 mijë eurove.

Zyra e Kryeministrit të Albin Kurti, ka hapur disa tenderë për blerjen e disa orendive të reja.

Zyra e kryeministrit dhe disa ministri tjera janë në pritje të furnizimit me karrige të lëkurës, me tepsiona, me pajisje të reja për byfe, e vitrina, të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 53 mijë e 977 euro, shkruan Insajderi.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte hapur tender për “furnizim me karrige lëkure”, 50 copë.

Vlera e parashikuar është 9,999.00 euro.

Poashtu në muajin e kaluar nga ZKM’ja është hapur tenderi për “Furnizim me lloje të ndryshme vitrinash”, ku ceken mobile druri për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender është 40.000 euro.

Me 1 maj, Zyra e Kryeministrit ka hap tender për “Furnizim me pajisje byfeje”. Ku theksohet për “frigoriferë dhe ngrirësit”.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 990 euro.

Bëhet fjalë për tri karrige statike nga materiali krom, të veshura me lëkurë artificiale, kualitet i lartë i ngjyrës së zezë.

Po ashtu edhe për një karrige rrotative nga rrjeta me mekanizëm lëvizës. Ku vetëm këto kanë kushtuar hiç më pak se 999 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending