Connect with us

Aktuale

Akuza për korrupsion në tenderin e autostradës së Gjilanit, ish-u.d i Prokurimit Publik ngarkohet për shpëlarje të parave

Published

on

Eksperti i prokurimit, Fehmi Zena, ka thënë në Gjykatë se në ekspertizë i ka renditur operatoret me çmimet më të ultë kur ka ndërtuar ekspertizën për tenderin e autostradës për Gjilan.

Një deklarim i tillë ekspertit Zena e dha gjatë fazës së administrimit të provave në rastin ku për korrupsion në tenderin e autostradës për Gjilan po akuzohen ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica, dhe tre zyrtarët tjerë Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

“Realisht i kom rendit me çmimet ma të ulëta edhe përderisa i kom rendit realisht ose nuk i ka pas dokumentacionin ose i ka mungu diçka”, tha eksperti Zena.

Paraprakisht, eksperti Zena shtoi se, ekspertizën e ka bërë në bazë të dokumentacioneve që i ka pas në dispozicion që ia ka ofruar ministria.

Eksperti Zena ka deklaruar se mbetët pranë ekspertizës dhe prapa asaj përgjigje dhe që ka hartuar, andaj nuk mund të ndryshojë dhe as të shtojë asgjë.

Ai ka shtuar se, në kohën kur e ka përgatitur ekspertizën ka folur për disa pika të OSHP-së, të cilat nuk i ka elaboruar e po ashtu nuk i ka përfshi në raport, nuk i ka përfshi disa vendime të OSHP-së, për të cilat ka thënë se ka menduar se nuk janë relevante.

“Kohen kur e kom përgatit kom mëndu qe nuk është relevante për këtë ekspertizë edhe nuk e kom përfshi… me siguri nuk e kam parë të arsyeshme dhe nuk e kom përshi”, tha Zena.

Tutje, ai deklaroi se vendimet e OSHP-së nuk janë përfundimtare, realisht janë përfundimtare për autoritetin kontraktues, por të njëjtat mund të dërgohen në gjykatë nga palët e pakënaqura.

Më pas, eksperti Zena është pyetur nga i akuzuari Reçica se kujt i takon vendimi përfundimtar lidhur me një aktivitetet të prokurimit.

“Autoritetit kontraktues”, është përgjigjur ai.

 

Ndërsa, ka shtuar se, në rasti konkret autoriteti kontraktues ka qenë Ministria e Infrastrukturës (MI), kurse vendimin përfundimtar e ka marr zyrtari i autorizuar për prokurim.

Ndërsa, i pyetur nga gjykatësi Musa Konxheli se në qoftë se e dinte sa here ishte trajtuar kjo çështje, dy here sa i kujtohej  tha eksperti Zena, po nuk i kujtohej se cilat ishin dallimet mes tyre.

Në këto rrethana, pas dëgjimit të ekspertit të prokurimit, seanca u ndërpre, ndërsa vazhdimi i seancës të do vazhdojë me 23 dhe 27 qershor 2023.

Në seancën e radhës pritet të dëgjohet eksperti Shaip Bytyqi.

Në seancën e mbajtur me 22 prill 2022, trupi gjykues kishte aprovuar propozimin e prokurores speciale Habibe Salihu, për të ndaluar publikimin e dëshmive deri në përfundimin e dëgjimit të të gjithë dëshmitarëve të propozuar

Lidhur me këtë gjykatësi Konxheli ka njoftuar që mund të bëhet publikimi i dëshmitarëve tani e tutje me arsyetimin se ndalimi i publikimit të dëshmitarëve ishte bërë për shkak që disa dëshmitarë të mos ndikohen nga deklarimi i dëshmitarit paraprak.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së  Kosovës më 15 shkurt 2021, Reçica po akuzohet se në cilësinë e ushtruesit së detyrës së drejtorit te Prokurimit Publik në Ministrinë e Infrastrukturës gjatë vitit 2017, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion” nga Tirana, ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë te Isa Berisha, kryetar i Komisionít Rivlerësues dhe Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të këtij komisioni, që ishin vartës të tij, duke i vënë në presion kohor që rivlerësimin e tenderit për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit ta kryejnë për 10 ditë.

Gjithnjë sipas aktakuzë, i akuzuari Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e këtij komisioni që të shkojnë në takim me ministrin Pal Lekaj, e që pastaj ta shpallin fitues operatorin ekonomik “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit më mirë se OE & GP& “Papenburg Adriani”, që e kishte rekomanduar Komisioni Rivlerësues, i cili për shumën prej 1 milion e 630 mijë e 487 euro kishte ofruar çmim më të ulët se “Gjoka Konstruktion”, me çka për këtë shumë ka dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431, par.1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tetë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, Reçica më 2 tetor 2019 në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte nxjerrë vendim me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të bëhet kompensimi financiar (shtesa në pagë) për 14 zyrtarë të kësaj ministrie, edhe pse të njëjtit ishin të angazhuar në detyra të rregullta zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 9,049 euro.

Në këtë pikë të aktakuzës, mbi Reçicën rëndojnë akuzat se në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër, duke nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, me qëllim që të bëhet kompensimi financiar për dy zyrtarë të angazhuar në Komisione për realizimin e Projekteve kapitale në MI, Hysen Merovcin dhe Ardian Begaj.

Sipas aktit akuzues, me vendimin e nxjerrë nga Reçica më 11 qershor 2019, zyrtari i MI-së, Hysen Merovci ishte kompensuar në vlerë prej 800 euro, ndërsa Ardian Begaj në vlerë prej 600 euro, në mënyrë retroaktive që nga data 7 qershor 2018, me ç’rast këta dy zyrtarë përfituan kundërligjshëm shumën prej 8 mijë e 838 euro, e për këtë është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës.

Ndërsa, aktakuza thotë se me vendimin e nxjerrë nga Reçica të 14 gushtit 2019, kundërligjshëm dy zyrtarët e MI-së, Hysen Merovci e Ardian Begaj janë kompensuar financiarisht me shtesa në pagë, duke filluar që nga themelimi i marrëdhënies së punës, pra për Merovcin që nga muaji maj i vitit 2010, kur i njëjti është punësuar dhe për Begajn që nga fillimi i vitit 2010, kur ky po ashtu është punësuar, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 68 mijë e 500 euro.

Me këto veprime, Reçica ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritet zyrtar”, nga neni 414, par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Reçica ngarkohet edhe për shpëlarje të parave, ai akuzohet se gjatë vitit 2019, mjetet financiare të cilat i kishte përfituar nga aktiviteti kriminal, i cili ishte i ndërlidhur me veprat e sipërcituara, e me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, ka blerë veturën “Audi F2 S7 Sportback”, të prodhuar në vitin 2019, të cilën veturë me qëllim të fshehjes së të ardhurave të krijuara me vepër penale e ka regjistruar në emër të vëllait të tij, Bekim Reçica.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Reçica se ka kryer veprën penale “Shpëlarje e parave” nga neni 308 të Kodit Penal, lidhur me nenin 56, par. 1, nënpar. 1.1 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit.

Ndërsa, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen nga PSRK-ja se Isa Berisha, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Rivlerësues në MI, Leonora Limani dhe Mirdit Emini në cilësinë e anëtarëve të atij komisioni, të themeluar nga Sekretari i përhershëm i ministrisë, më 21 nëntor 2017, për rivlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomik të paraqitura në tenderin për ndërtimin e Autoudhës së Gjilanit, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare për të shpallur fitues operatorët ekonomik që ofertuan çmimin më të ulët, që ishte kriteri kryesor për shpalljen e fituesve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ata akuzohet se kishin shpallur fitues për Lot I (një) operatorin ekonomik “Graniti Inginiering” & “Armendi & EX” që kishte ofertuar çmimin 18 milionë e 468 mijë e 426 euro 58 centë e jo operatorin ekonomik “AL TRADE” SHPK & “SALILLARI” që kishte ofertuar me çmimin 16 milionë e 24 mijë e 128 euro e 28 centë, i cili ishte më i ulët për 2 milionë e 444 mijë e 298 euro e 38 centë, e pastaj për Lotin -II- (dy) shpallën fitues operatorin ekonomik “GP&Papengburg Ardiani” e jo operatorin ekonomik “2A group & Alko IMPEX&ex – FIX&2T”, që kishin ofertuar me çmimin 4 milionë e 275 mijë e 806 euro e 22 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 630 mijë e 487 euro e 45 centë.

Gjithnjë sipas prokurorisë, të akuzuarit Berisha, Limani e Emini, kishin shpallur fitues për Lot IV (katër) Operatorin Ekonomik “2A GROUP” & “ALKO IMPEX” & “EX-FIX” & “2T”, që kishin ofertuar me çmimin 8 milionë e 700 mijë e 127 euro e 36 centë, e jo operatorin ekonomik “PEVLAKU & “BASE JOOS KRASNIQI”, që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 784 mijë e 756 euro e 72 centë, i cili ishte më i ulët për 915 mijë e 370 euro e 64 centë, pastaj për Lot VI (gjashtë) shpallën fitues “KAG ASPHALT & BENI COM” e jo operatorin ekonomik “SALLAHU”, i cili kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme konform kërkesave të DT dhe njoftimit për kontratë.

Po ashtu, për Lot VII (shtatë) të akuzuarit e lartcekur shpallën fitues “AL TRADE SHPK” & “SALILLARI” që kishin ofertuar me çmimin 7 milionë e 247 mijë e 86 euro e 87 centë, e jo operatorin ekonomik “KAG ASPHALT” & “BENI COM” që kishin ofertuar me çmimin 6 milionë e 147 mijë e 674 euro e 16 centë, i cili ishte më i ulët për 1 milionë e 99 mijë e 412 euro e 71 centë, pastaj për Lot VIII (tetë) shpallën fitues Operatorin Ekonomik “JOOS KRASNIQI & PEVLAKU” që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 913 mijë e 157 euro e 91 centë, e jo operatorin ekonomik “RSM COMPANY” & “BENITA COMPANY”, që kishin ofertuar me çmimin 11 milionë e 571 mijë e 113 euro e 42 centë, i cili ishte më i ulët për 342 mijë e 44 euro e 49 centë, ashtu që përfitimi në total i operatorëve ekonomik ishte 88 milionë e 618 mijë e 511 euro e 95 centë, nga e cila shumë buxheti i Republikës së Kosovës, u dëmtua për 6 milionë e 200 mijë e 313 euro e 13 centë.

Me këto veprime, të akuzuarit Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini  ngarkohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjithnjë sipas PSRK-së, Betim Reçica akuzohet edhe se në cilësinë ushtruesit të detyrës se drejtorit të Prokurimit Publik në MI, me qëllim të përfitimit financiar për kompaninë “Gjoka Konstruktion’” nga Tirana, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetenca e përcaktuara me ligj, në atë mënyre që më 21 nëntor 2017, ka ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues dhe OE “Gjoka Konstruktion’” e ka shpall të përgjegjshëm përkundër faktit se e ka ditur se ky operator nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për tu shpallur i tillë dhe e ka ditur se OE “2Agroup & Alko IMPEX &EX FIS&2T” kanë ofertuar me çmim më të lirë, me ç’rast e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 1 milionë e 630 mijë e 48 euro e 45 centë.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Betim Reçica se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./Media Ndërtimi

Aktuale

Dëshmon Haradinaj në rastin e njohur si 53-milionëshi

Published

on

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj do të dëshmojë në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është i akuzuar bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj dhe të tjerë.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri. Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Inspektorati i Kryeqytetit gjobit për mosrespektim të urdhrit të ndërtimit në Lagjen Bregu i Diellit

Published

on

Inspektorati i Kryeqytetit njofton gjithë opinionin se ka zhvilluar procedurat inspektuese lidhur me rastin e publikuar nëpër disa medie dhe rrjete sociale që ndërlidhet me sanimin- rinovimin e një Pullazi – Kulmi në lagjen “Bregu I Diellit” i cili ishte i dëmtuar nga zjarri.

Inspektorati ka urdhëruar palën që të sanoj gjendjen përkatësisht pjesët e dëmtuar nga zjarri duke respektuar formën, lartësinë dhe gjitha pozicionet e mëparshme ndërkaq për mosrespektim të urdhrit të inspektoratit të ndërtimit i njëjti me dt.18.09.2023 me procesverbal ka urdhëruar palën që kulmin të kthej në gjendjen e mëparshme dhe ka shqiptuar gjobë mandatore për shkeljet e gjetura.

Në ditët në vijim inspektorati i ndërtimit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore duke eliminuar të gjitha shkeljet e bëra nga pala në këtë rast./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Tjetërsimi i pronës 10 milionëshe, i vazhdohet edhe për dy muaj arresti shtëpiak të dyshuarit

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak të dyshuarit Afrim Gashi, i cili u arrestua pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi“, nën dyshimin për tjetërsimin e pronës në Veternik, në vlerë rreth 10 milionë euro përmes dokumentit të falsifikuar.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqekolla-Sadiku.

Ndryshe, Policia e Kosovës më 25 gusht njoftoi për arrestimin e të dyshuarit, në bazë të urdhëresës së gjykatës.

“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me datë 25.08.2023 ka zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente me ç ‘rast është realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme, në një shtëpi dhe në një lokal, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara”, thuhej në njoftim.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu e kishte konfirmuar se bëhet fjalë për pronën në Veternik, rast ky që është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” kishte hulumtuar se si një pronë në Veternik  dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar te djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.

I dyshuari Gashi ishte ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Policisë, hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari Afrim Gashi në bashkëveprim me të dyshuarin Ylber Hyseni, i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar.

“Lidhur me rastin gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 (një) pistoletë,  1 (një) karikator me 9 (nëntë) fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë,  2 (dy) pistoleta me gas,  4 (katër) pushkë ajrore,  2 (dy) llaptopë, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) dollar amerikan,  100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhej më tej në njoftimin e Policisë.

 

Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili sipas burimeve brenda Prokurorisë gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.

Continue Reading

Trending