Connect with us

Aktuale

Projektet me të cilat Kosova prezantohet në Londër janë të fokusuara në infrastrukturë

Published

on

Kosova do të prezantohet me rreth 40 projekte që kapin vlerën e rreth 500 milionë eurove në samitin që do të organizohet në Londër për vendet e Ballkanit Perëndimor me përkrahjen e Bankës Evropiane për Rindertim dhe Zhvillim.

Kështu kanë bërë të ditur kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërrxhaliu dhe Gazmend Abrashi, koordinator nacional për Ballkanin Perëndimor në zyrën e kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Me projekte të tyre do të prezantohen në këtë samit 18 komuna të Kosovës, projektet e të cilave janë pranuar për t’u prezantuar në këtë samit.

Gërxhaliu tha se e veçanta e këtij samiti do të jetë paraqitja e Kosovës me projekte konkrete, ku totali i vlerës që do të tentohet të argumentohet është afër 500 milionë euro. Ajo që e bënë të veçantë nga këndvështrimi i Kosovës një samit të tillë, sipas tij, është fakti që për herë të parë Kosova është përgatitur që të ketë propozime konkrete.

“Ajo çka e veçon këtë samit është edhe fakti që Kosova do të jetë e paraqitur, përveç aspektit politik edhe me projekte konkrete dhe për herë të parë përveç projekteve me rëndësi publike, projekteve me rëndësi nga partneriteti publiko-privat do të ketë edhe projekte për të aplikuar nga sektori privat. Totali i vlerës që do të tentohet të argumentohet është afër 500 milionë euro dhe kjo e dëshmon me së miri rëndësinë dhe qasjen e Kosovës në këtë samit”, tha Gërrxhaliu, përcjell ksp.

Kreu i OEK-ut, pati kritika edhe për bllokadën rreth mos miratimit të demarkacionit me Malin e Zi. Gërxhaliu tha se ky samit po ndodhë në një moment ku Kosova nuk po mund të çlirohet nga një agjendë politike e cila në momente të caktuara interesat politike po ngritën mbi interesa të popullit dhe zhvillimit ekonomik.

“Jemi dëshmitarë të asaj çfarë është duke ndodhur në parlamentin e Kosovës ku kemi një bllokadë të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion. Kjo po ndodh në kohën kur Kosova do të vizitohet nga krerët evropian, nga Junker, Mogherini dhe Hahn, po ndodh e tëra kjo kur kemi një samit të tillë dhe besoj se është koha kur duhet të kuptojnë që mbi interesa të shtetit nuk mund të jetë interesi politik dhe ai partiak. Por jam optimist se Kosova do të mbijetojë edhe në këtë kohë dhe do të funksionojë si shtet ndoshta për inati të armiqve dhe për inati të politikanëve në Kosovë”, theksoi Gërxhaliu.

Ndërsa, koordinatori nacional për Ballkanit Perëndimor pranë zyrës së kryeministrit, Gazmend Abrashi, tha se kanë përgatitur diku 40 projekte që do të prezantohen në samitin e Londrës.

Abrashi theksoi se nga këto projekte 14 apo 15 projekte do të jenë nga bizneset private.

“Kësaj here e kemi marrë më seriozisht këtë pjesëmarrje të Kosovës dhe kemi përgatitur mesë 40 projekte. Projektet kanë të bëjnë me infrastrukturë, gjegjësisht projekte infrastrukturore në të cilat janë kyç kryesisht të gjitha komunat dhe janë projekte të cilat në bashkëpunim me Oden Ekonomike të Kosovës kemi ftuar komunitetin e biznesit të aplikoj që së bashku me zyrën e kryeministrit do të jenë prezentë në samitin e Londrës”, tha Abrashi.

E mira e krejt këtyre projekteve, sipas Abrashit është se shumë projekte kanë të bëjnë me energjinë solare. Ai përmendi dy projekte që flasim për mbi 250 megavat në energjinë solare, derisa, ka projekte që kanë të bëjnë edhe me energjinë e ripërteritshme të ujit, erës dhe formave tjera.

Në këtë samit, njëra ndër projektet kryesore që do të prezantohet është unaza e brendshme të Prishtinës që lidhë periferinë e kryeqytetit me autostradat ekzistuese, e që kap vlerën e 63 milionë euro.

Pos këtyre projekteve, në sasmitin e Londrës Abrashi tha se do të prezantohen edhe dy projekte të veçanta që janë nacionale dhe shumë të mëdha. Projekti i gazsjellësit dhe linja hekurudhore Kosovë-Shqipëri.

“Jashtë këtyre projekteve është me rëndësi të cekim që janë dy projekte tjera nacionale që kryeministri Haradinaj do t’i prezantoj në EBRD. Është projekti i gaz sjellësit i cili është në ndërtim e sipër i ashtuquajturi TAP, i cili niset nga Azerbajxhani, vjen në Gjeorgji, Turqi, Greqi dhe Shqipëri. Ky gaz sjellës vazhdon prej Fierit dhe shkon në pjesën jugore të Italisë….Projekti i dytë i cili është më shumë projekt të cilin është duke e shtyrë pala kosovare është ndërlidhja e rrjetit hekurudhor të Kosovës me Shqipërinë. Siç e dini nuk ekziston rrjet hekurudhor me Shqipërinë, ideja është të nisemi prej Fushë Kosovës në Tiranë-Durrës dhe me dal në portin e Durrësit”, theksoi ai.

Abrashi tha se 17 kilometra është pjesa e Kosovës nga Prizreni deri në kufi që duhet ndërtuar, ndërsa pjesa tjetër është diku 108 kilometra, nga kufiri deri në Milot.

Aktuale

Eurostat: Shqiptarët më punëtorët në Evropë, por me paga me të ulëta

Published

on

Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.

Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.

Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.

Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.

Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.

Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.

Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.

Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.

Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.

Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

BE do të jap 1 miliard euro ndihmë financiare për mbrojtjen sociale në Liban

Published

on

Gjatë vizitës së saj në Bejrut, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, diskutuan sfidat e rëndësishme të brendshme dhe rajonale me të cilat përballet Libani dhe se si BE-ja mund ta mbështesë më mirë vendin dhe njerëzit.

Ajo njoftoi se BE-ja do të ofrojë një paketë ndihme financiare për Libanin me vlerë 1 miliard euro për 2024-2027.

Kjo mbështetje e vazhdueshme e BE-së do të forcojë shërbimet bazë si arsimi, mbrojtja sociale dhe shëndeti për njerëzit në Liban. Ajo do të shoqërojë reformat urgjente ekonomike, financiare dhe bankare. Për më tepër, Forcat e Armatosura libaneze dhe forcat e tjera të sigurisë do t’i ofrohet mbështetje me pajisje dhe trajnime për menaxhimin e kufirit dhe për të luftuar kundër kontrabandës.

Vizita e Presidentes von der Leyen në Liban vjen pas takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 17-18 prill, ku Këshilli konfirmoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në Liban, duke përfshirë refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe komunitetet pritëse, si si dhe forcimin e mbështetjes për Forcat e Armatosura libaneze, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës. Këshilli Evropian ripohoi gjithashtu nevojën për të arritur kushte për kthime të sigurta, vullnetare dhe dinjitoze të refugjatëve sirianë, siç përcaktohet nga UNHCR./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Zyra e Kryeministrit Kurti furnizohet me mobile luksoze në vlerë prej 54 mijë euro

Published

on

Karrige lëkure, tepisona, vitrina e mobile të ndryshme luksoze. Të gjitha këto janë porositur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Orenditë e reja po kapin shifrën e 54 mijë eurove.

Zyra e Kryeministrit të Albin Kurti, ka hapur disa tenderë për blerjen e disa orendive të reja.

Zyra e kryeministrit dhe disa ministri tjera janë në pritje të furnizimit me karrige të lëkurës, me tepsiona, me pajisje të reja për byfe, e vitrina, të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 53 mijë e 977 euro, shkruan Insajderi.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte hapur tender për “furnizim me karrige lëkure”, 50 copë.

Vlera e parashikuar është 9,999.00 euro.

Poashtu në muajin e kaluar nga ZKM’ja është hapur tenderi për “Furnizim me lloje të ndryshme vitrinash”, ku ceken mobile druri për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender është 40.000 euro.

Me 1 maj, Zyra e Kryeministrit ka hap tender për “Furnizim me pajisje byfeje”. Ku theksohet për “frigoriferë dhe ngrirësit”.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 990 euro.

Bëhet fjalë për tri karrige statike nga materiali krom, të veshura me lëkurë artificiale, kualitet i lartë i ngjyrës së zezë.

Po ashtu edhe për një karrige rrotative nga rrjeta me mekanizëm lëvizës. Ku vetëm këto kanë kushtuar hiç më pak se 999 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending