Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Valmir Abazi ka thënë se një pjesë të parcelës e kishte blerë nga i akuzuari Mehmet Prishtina, në shumën prej 100 mijë euro.
Në këtë rast, të akuzuarit Mehmet Prishtina, Nexharije Hoti, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se gjatë vitit 2011 kishin blerë si familje disa parcela në Çagllavicë, pasi që i kishin parë në internet që janë në shitje.
Tutje, dëshmitari Abazi ka thënë se kishte biseduar me të akuzuarin Prishtina përmes telefonit dhe më pas e kishin caktuar takimin për t’i parë parcelat. Parcela i kishin pëlqyer dhe kishin arritur marrëveshje për ti blerë.
Ai ka sqaruar se shumica e parcelave ishin në një vend, ndërsa 4 të tjera në një vend tjetër, e këto të fundit me vendim të gjykatës ishin bllokuar, e as sot nuk ka njohuri nëse janë zhbllokuar.
Çmimi total i parcelave dëshmitari ka thanë se nuk i kujtohet, por për 4 parcelat si dhe për një tokë tjetër kishte paguar shumën prej 100 mijë euro, të cilën pagesë e kishte kryer përmes bankës në xhirollogari të akuzuarit Mehmet Prishtinës.
Para se me i ble këto parcela, dëshmitari ka thënë se ishin në komunë për të bërë verifikimin e tyre dhe ju ishte thënë se nuk ka asnjë problem rreth këtyre pronave dhe çdo gjë është në rregull.
Gjithashtu në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Minire Hajdini, Besa Krasniqi dhe Mirsad Jetullahu.
Dëshmitarja Hajdini ka thënë se nga viti 2009 deri në mars të 2013, kishte punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Ajo ka thënë se e ka njohur ish-zyrtaren e AKP-së, Serpil Aliu, me të cilën kishte pasur raport kolegiale.
E njëjta ka thënë se kishte dëgjuar se znj. Aliu kishte keqpërdorur punën zyrtare dhe për këtë ishte zhvilluar procedurë disiplinore në kuadër të AKP-së, dhe më pas për këtë rast kishte dëgjuar në mediat, por që znj. Aliu sipas saj, ia kishte mohuar që kishte të bënte me këtë çështje.
Dëshmitarja Hajdini ka thënë se qëndron prapa deklaratës së dhënë më parë për këtë çështje penale, edhe pse në detaje nuk i kujtohej e njëjta.
Ndërkaq, dëshmitarja Krasniqi ka deklaruar se kishte punuar në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, ndërsa tash punon në Gjykatën Themelore në pozitën e referentes.
Lidhur me atë se a kishte qenë ndonjëherë i akuzuari Emërrlahu në zyrën e saj, dëshmitarja Krasniqi ka thënë se nuk i kujtohet, por që nga viti 2010-2011, punët me palë i kryejnë në sportele.
Kurse, dëshmitari Jetullahu në dëshminë e tij ndër të tjera tha se ishte menaxher i firmës “ABC”, e që kjo firmë kishte punuar në rregullimin e infrastrukturës për kompaninë “New Residente Prishtina”, andaj nga i akuzuar Prishtina për punën e tyre ishin kompensuar me parcela.
Sipas tij, ishte kompensuar me 8 parcela të cilat ishin përafërsisht me sipërfaqe rreth 4 ari dhe shumicën e të cilave e kishte shitur.
Në fund i njëjti tha se me të akuzuarin Prishtina ishin ndarë mirë dhe nuk i kishin mbetur borxh njëri-tjetrit.
Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Prishtina, avokati Skender Musa, i ka kërkuar gjykatës që t’i kthehet të mbrojturit të tij, vlera e dorëzanin në shumën prej 50 mijë euro, pasi që kanë ndryshuar të gjithat rrethanat për çka ishte caktuar e njëjta.
Avokati Musa kërkoi nga gjykata edhe që në bazë të nenit 119 par 5 të largoi nga lista dëshmitarët-bashkëpandehurit, me arsyetimin se kjo dispozitë shprehimisht e thotë se deklaratat e të bashkëpandehurve nuk mund të shfrytëzohen si prova kundër të bashkëpandehurve tjerë.
Ndërsa, kërkesa e tretë e tij, drejtuar gjykatës ishte në lidhje me një parashtresë që kolegët kishin dorëzuar para 6 muajve, lidhur me vlerësimin e krimit të organizuar dhe veprave të parashkruar deri në këtë fazë të procedurës.
Andaj, avokati Musa kërkoi nga trupi gjykues që jashtë seance të vendosin për veprat e parashkruara sipas Kodit Përkohshëm Penal të Kosovës, që ka qenë fuqi kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale.
Gjithashtu, avokati Musa kërkoi që të hiqen nga lista dëshmitarët, të cilët nuk kanë të bëjnë me këta 4 të akuzuarit, duke shtuar se kjo pa asnjë dyshim i ndihmon procedurës, për faktin se kjo çështje zvarritet, e që pa fajin e trupit gjykues dhe prokurores që përfaqëson është zvarritur më shumë se 10 vite.
Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.
Për “Shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.
Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.
Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”./Media Ndërtimi