Connect with us

Aktuale

208 mijë automjete të paregjistruara, sfidë për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Published

on

Numri i madh i automjeteve të paregjistruara dhe mos anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) po i pamundësojnë vendit të jetë pjesë e Kartonit të Gjelbër.

Megjithëse për zgjidhjen e kësaj sfide, Byroja Kosovare e Sigurimeve i ka paraqitur së fundmi Qeverisë aktuale disa alternativa.

Drejtori Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku thotë se deri në fund të vitit 2020 numri i automjeteve të paregjistruara është 208 mijë e 10 apo 30 për qind e automjeteve në vend që nuk kanë regjistrim.

Numri i atyre që janë të regjistruara është 370 mijë, kurse sipas Mazrekut, kriter për Kartonin e Gjelbër është që vendi të ketë numrin e përgjithshëm të automjeteve të paregjistruara nën 5 për qind.

Mazreku thotë se duhet të zgjidhen këto probleme të brendshme në bashkëpunim me institucionet përkatëse deri në fund të vitit që pastaj, siç deklaron ai, të arrihet marrëveshje veç e veç me shtetet anëtare të BE-së siç janë Gjermania, Austria, Sllovenia e kështu me radhë.

“Unë nuk mundem me dhënë premtime politike, ne mundemi të bëjmë vetëm propozime se cilat janë problemet e brendshme, cilat janë zgjidhjet që ne duhet t’i bëjmë bashkë me Qeverinë, bashkë me ministritë, si dhe me Bankën Qendrore që deri në fund të vitit ta kemi një situatë të re të gjendjes së brendshme që nesër-pasnesër të ulemi me Austrinë, Slloveninë, Gjermaninë apo me ndonjë shtet tjetër mik për ta bërë një zgjidhje alternative dhe jo direkt përmes Brukselit. Ky është premtim publik që është i mundshëm, mirëpo që nuk varet vetëm nga Byroja Kosovare e Sigurimit, sepse kudo që shkon bëhen pyetje specifike, dhe disa tema që diskutohen, se sa është numri i automjeteve të paregjistruara, sa janë aksidentet në Kosovë. Prandaj, po e potencoj, duhet të kryhen disa probleme të brendshme para se të bëjmë zgjidhje për Kartonin e Gjelbër”, thekson Mazreku.

Ndërkaq, tash e shumë vjet qytetarët e Kosovës para se t’i regjistrojnë automjetet e tyre janë të detyruar që të paguajnë taksë komunale, si pagesën e tatimit në pronë, si dhe gjobat e trafikut.

Për këtë, drejtori Mazreku ka kërkuar heqjen e këtyre kushtëzimeve që sipas tij janë kundër kushtetuese.

Derisa ka bërë të ditur se që nga paslufta deri më 2020, 55 milionë euro janë dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara.

“Ajo çka ka ndodhur në këto vite është që Byroja nuk ka mundur të inkasojë më shumë mjete se sa 500 mijë euro. Do të thotë totali i të hyrave që i ka kthyer këto pagesa është vetëm 500 mijë euro, që i bie se edhe nga Byroja ka pasur një qasje ndryshe për këto raste. Mirëpo, kemi bërë një plan të ri dhe thirrja ime është që qytetarët të mos dalin pa sigurim, sepse të gjitha dëmet që i shkaktojnë pa sigurim ata në fund duhet t’i paguajnë vet. Unë besoj me një qasje ndryshe, me një partneritet me qeverinë, me disa ndryshime ligjore ku hyn ligji i automjeteve, heqja e kushtëzimeve që ne mendojmë se janë kundër kushtetuese. Sa i përket kushtëzimit të regjistrimit të veturave, unë personalisht e kam bërë një ankesë te Avokati i Popullit ku e kam potencuar që në disa vite më herët Ministria e Financave në mënyrë që t’iu ndihmojë komunave e ka nxjerrë një udhëzim ku iu ka mundësuar që ta kushtëzojnë pagesën e taksës prej 10 euro për regjistrimin e veturave me pagesën e tatimit në pronë. Në momentin kur ne kemi bërë një ankesë dhe kemi kërkuar që kjo të hiqet ka avancuar procesi nga një udhëzim, MF e ka vendos tash në ligj, ne të njëjtën e kemi kundërshtuar përmes institucionit të Avokatit të Popullit dhe mendoj që qeveria për t’ju ndihmuar qytetarëve duhet që këto kushtëzime t’i heqin që janë tatimi në pronë, gjobat e trafikut dhe çdo kushtëzim tjetër i cili e pamundëson që qytetarët t’i vazhdojnë regjistrimet me kohë”, thekson ai.

Sa i përket mundësisë së vazhdimit të marrëveshjes së vitit të kaluar me qeverinë për pagesën e sigurimeve në kufi për bashkatdhetarët, Mazreku thotë se nuk është që ka pasur interesim dhe kërkesë nga ekzekutivi.

Ndonëse nuk ka qenë e dobishme për Byronë, ai thotë se nuk ishte dashur të ulet çmimi në 35 për qind marrë parasysh edhe numrin e vogël të bashkatdhetarëve që kanë ardhur vitin e kaluar për shkak të pandemisë.

Sipas Mazrekut, BKS-ja nga kjo marrëveshje ka mbetur pa i inkasuar rreth 300 mijë euro.

“Unë besoj që është dashur të ndodhë e kundërta, jo të ulet çmimi, ose të mbetet sa ka qenë, ose të rritet për një masë të vogël, duke qenë kështu një masë shtesë për t’i ndihmuar Byronë që dëmet të paguhen në kohë. Marrëveshja ka përfunduar më 31 dhjetor, neve na kanë mbetur edhe disa mjete pa inkasuar për shkak se në marrëveshjen e vitit të kaluar është potencuar që çdo polisë që shitet duhet të kalojë në verifikim nga Policia e Kufitare duke ditur që qytetarët nuk kanë pasur mundësi të dalin jashtë Kosovës dhe qytetarët kanë pasur mundësi për të blerë polisën online, në zyrën qendrore, dhe faktikisht nuk kanë kaluar përmes kamerave të policisë. Ndërsa, po shohim si të bëjmë zgjidhje për këtë pjesë ku është një shumë e pa inkasuar prej 293 mijë euro në total që nuk është inkasuar nga ajo marrëveshje, mirëpo kam propozuar që të bëhet një grup punues dhe të shihen format për të mbyllur atë marrëveshje. Për marrëveshjen e re nuk është që ka ndonjë interesim, por nëse Qeveria ka interesim, normal që duhet të bëhet një kërkesë tek ne, të shqyrtohet dhe për t’i parë mundësitë edhe për të vazhduar tutje”, shprehet ai.

Pandemia e koronavirusit ka krijuar probleme edhe në industrinë e sigurimeve, sipas drejtorit Mazreku, kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të automjeteve të pasiguruara.

Për këtë Mazreku në takimin e fundit me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin ka kërkuar urgjent që të formohet një grup punues për gjetjen e zgjidhjes së automjeteve të paregjistruara.

Aktualisht nëse flasim me shifra nga viti 2001 deri në vitin 2020 kemi saktë 208 mijë e 10 vetura (të paregjistruara). Mirëpo, këtu duhet të bëhet një sqarim që besoj edhe Ministria e Punëve të Brendshme e sqaron të njëjtën mënyrë se kjo ministri ende nuk e ka nxjerrë një udhëzim që ne e kemi kërkuar që duhet dhe është shumë e nevojshme që të pastrohen listat e automjeteve të paregjistruara. Mirëpo duhet të potencohet që edhe nga të dhënat që kemi marrë nga Ministria e Brendshme, kjo ministri këto të dhëna që nuk vazhdohen (sigurimi) i sheh si të dhëna të arkivuara. Nuk ka marrë asnjë lloj veprimi, as nuk kanë shkuar për të vazhduar regjistrimin, as nuk kanë shkuar për ta ç’lajmëruar. Për ata ne kemi kërkuar dhe kemi bërë një plan konkret. Edhe gjatë takimit me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kemi kërkuar që urgjent të formohet një grup punues”, thotë ai.

Në fund Mazreku ka thënë se kanë në plan dhe i kanë propozuar Ministrisë së Punëve të Brendshme nënshkrimin e një marrëveshjeje të re të bashkëpunimit ku Byroja Kosovare e Sigurimit investon në pajisje teknologjike tek Policia e Kosovës që i identifikojnë komplet veturat e paregjistruara dhe i ndihmojnë policisë në këtë proces./ shkruan Koha.net

 

Aktuale

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se mbrojtësit e familjes së tij u tërhoqën nga lënda pasi u kërcënuan nga dikush

Published

on

Në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Dejan Llaziq, i cili tha që gjatë procedurave gjyqësore lidhur me rikthimet e parcelave avokatët e familjes së tij janë kërcënuar e më pas janë tërhequr nga lënda.

Fillimisht dëshmitari Llaziq pohoi se familja e tij ka pasur një tokë në Çagllavicë dhe e njëjta është trashëgimi familjare dhe se prej vitit ‘ 90-ta e mban në mend se e kishin punuar të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, tregoi se toka tashmë është në pronësi të dikujt tjetër, mirëpo sipas familjarëve të tij kurrë nuk e kanë shitur të njëjtën, përveç se e kanë pasur një marrëveshje paraprake me blerësit potencial, por jo të finalizuar.

“Pasi që kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes, pasi që është dhënë një kapar, ata njerëz kanë ardhë me një avokat dhe na kanë thënë që ata nuk do ta blejnë dhe po tërhiqen, pas më shumë se gjashtë muaj dhe kanë kërkuar që ajo kapar t’ju kthehet. Të gjitha këto janë të kthyera (kapari është kthy). Më vonë kam marrë vesh se ata njerëz tani në kadastër janë pronarë”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me këtë kontest ai deklaroi se iu kanë drejtuar EULEX-it.

Pas pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova për angazhimin e ndonjë avokati nga ana e familjes së tij lidhur me këtë çështje, dëshmitari Llaziq tha se avokati Anton Nokaj i është ankuar dikujt në familje se nga dikush është kërcënuar, duke mos përmendur ndonjë emër konkret.

Ai gjithashtu theksoi se në cilësinë e përfaqësues ligjore të familjes ka qenë edhe Fatime Berisha, e cila e kishte tërhequr padinë pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në atë kohë, pasi që edhe ajo në atë kohë kinse ka marrë kërcënime.

“Nuk e di se çfarë kërcnime dhe nga kush. Kinse thuhet sepse unë nuk kam qenë prezent në ato biseda me Fatimen…dhe për këto kam dëgjuar prej familjarëve të mi”, tha dëshmitari Llaziq.

I njëjti ka mohuar se e njeh të akuzuarin Mehmet Prishtina.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës, Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi pas deklarimit të dëshmitarit se nuk ka qenë prezent në asnjë procedurë por vetëm ka dëgjuar nga familjarët e tij, duke konsideruar se aktakuza është ngarkuar me shumë prova të panevojshme.

“Prokuroria Speciale me dëgjimin e këtij dëshmitari, nuk e ka marrë parasysh faktin se edhe në fazën e hetimeve edhe në seancat e gjykimit, gjithçka që është përgjigj ka pas thënie të dëgjuara nga familjarët e tij dhe asnjëherë s’ka qenë pjesëmarrës në asnjë veprim procedural për asnjë çështje penale për të cilat jemi këtu. Kjo do të thotë aktakuza është ngarku me shumë prova të panevojshme”, tha avokatja Mjekiqi.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili bëri të ditur që ky shqyrtim fillon rishtazi, ashtu që në vend të gjykatëses Suzana Çerkini, tani është gjykatësi Rrahman Beqiri, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet procedurale u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një kompani ndërtimi dëmton kabllot e rrjetit nëntokësor në lagjen “Pejton”, mbesin pa energji elektrike një numër i caktuar i konsumatorëve

Published

on

Një kompani ndërtimi, teksa kryente punime në lagjen “Pejton”, ka shkaktuar dëmtimin e kabllove të rrjetit nëntokësor.

Me këtë rast kanë mbetur pa rrymë një numër i caktuar i konsumatorëve të kësaj lagjeje dhe asaj të Dardanisë.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të evituar dëmin e shkaktuar. Falë përkushtimit të tyre deri më tash është arritur që pjesërisht të rikyçen në rrjet disa konsumatorë, derisa po punohet në mënyrë intensive që furnizimi t’u rikthehet të gjithë konsumatorëve të afektuar.

Për këtë rast janë informuar organet e rendit, dhe KEDS u bën thirrje kompanive të ndërtimit që të kenë kujdes të shtuar gjatë realizimit të punëve, meqë përveçse dëmtojnë asetet elektroenergjetike të KEDS-it, lënë pa furnizim me energji elektrike edhe konsumatorët./Media Ndërtim

Continue Reading

Aktuale

“Termokos” përfundon sezonin ngrohës 2023/2024

Published

on

Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat.

Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m².

Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë.

NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë./Media Ndëtimi

Continue Reading

Trending