Vepron Komuna e Prishtinës, do të rrënohet çerdhja që po rrezikon fëmijët

0

Çerdhja “Yllkat” në lagjen Vellusha të Prishtinës e ndërtuar në vitin 1984 do të rrënohet pasi ky objekt po paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes.

Në vend të saj Komuna e Prishtinës do të ndërtojë një çerdhe të re.

Dëmtimet e shumta, plasaritjet brenda objektit që janë më të thella dhe janë horizontale, gjë të cilat dëshmojnë se themelet e objekti “kanë fjetur” e kanë vërtetuar edhe inxhinierët. Inxhinierët këta të cilët ishin dërguar në vendin e ngjarjes, pasi Drejtoria Komunale e Arsimit, Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave kishin vërejtur plasaritjet në këtë pjesë.

“Gjatë kontrollimit, inxhinierët kanë vërejtur se ky objekt tashmë është shumë i dëmtuar, dhe se paraqet rrezik për fëmijët dhe stafin e çerdhes. Në disa pjesë të themeleve, janë vërejtur plasaritje të theksuara, kurse brenda objektit plasaritjet janë edhe më të thella dhe janë horizontale, gjë që dëshmon se themelet e objektit “”kanë fjetur”. Në njërën prej dhomave të fëmijëve ka lëvizur pllaka e dyshemesë. Kësisoj, komisioni i përbërë nga 3 inxhinierë të ndërtimtarisë, ka vlerësuar se: “Dëmtimet në këtë objekt janë jashtëzakonisht të mëdha, andaj propozojmë që urgjentisht të merren masat si preventivë – largimi i fëmijëve dhe personelit me qëllim të evitimit të pasojave eventuale”, thuhet në njoftimin për medie të Komunës së Prishtinës.

Bazuar në këtë vlerësim të komisionit, Komuna e Prishtinës ka vendosur që t’i largojë fëmijët dhe stafin nga ajo çerdhe, dhe t’i zhvendosë përkohësisht në çerdhe të tjera, në konsultim edhe me prindërit dhe grupet e interesit.

Objekti çerdhes “Yllkat” do të rrënohet, dhe do të ndërtohet një çerdhe e re në këtë lagje.

REKLAMA