Shtëpia e rrallë e Përlepnicës që pret të shndërrohet në muze

0

Fshati Përlepnicë i Gjilanit tash është i mbushur me shtëpi e gjallëri. Shumica syresh ndërtime të reja, të rregulluara bukur. Por në mesin e tyre njëra është vërtet e veçantë.

Shtëpia më e moçme që ka mbetur në këmbë në këtë fshat është ajo e Muhamer Shabanit, pronar i tanishëm i monumentit që u ndërtua këtu e fiks 138 vjet më parë nga stërgjyshi i tij, Shabani. E ky ishte i biri i Ahmet Spahisë, një pasanik i asaj kohe.

Muhameri nuk jeton në shtëpinë që e ka trashëguar. Është në kurbet. Një pjesë të mirë të parave që ka fituar atje ka vendosur që t’i investojë në shtëpinë e tij, për ta konservuar e mbrojtur. Synimin e ka të qartë: ta kthejë këtë objekt në një muze etnologjik, ku do të grumbulloheshin artefakte të trashëguara të kulturës materiale. Rinovimin e ka përfunduar, e për muzeun po punohet ende. Për këtë po i ndihmon edhe vëllai i tij, Sami Shabani, skulptor e arsimtar i artit.

Ai mban barrën edhe për të rrëfyer diçka për shtëpinë, jo vetëm për gazetarë, por edhe për vizitorë, që thotë se nuk janë të paktë.

Vlera në çdo detaj

Sami Shabani (55) e di saktë vitin e ndërtimit të shtëpisë familjare.

“Kjo shtëpi është ndërtuar në vitin 1880, prej stërgjyshit tim që e ka pasur emrin Shaban. Ka qenë djali i Ahmet Spahisë dhe ai ka pasur në pronësi mullinj dhe Valavicë – vend ku është përpunuar tekstili”, rrëfen Shabani, që nuk mund ta fshehë krenarinë për paraardhësit.