Connect with us

Aktuale

Reagon ministri Çeku, del në mbrojtje të restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës

Published

on

Restaurimi i monumenteve bëhet për t’i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash, ka deklaruar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku pas zërave kundër restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

Monumenti është pronë publike, ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës” edhepse kryesisht ka pasur përdorim publik, përfshi si shtëpi shëndeti. Prandaj nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht. Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit, përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndesishëm krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët.

Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit në vitin 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor). Nisma e fundit për restaurimin e këtij monumenti i takon verës së vitit të kaluar (faza e dytë dhe e fundit, funksionalizim), dhe është pjesë e programit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës me Bashkimin Europian dhe UNDP-në, ku bëjnë pjesë edhe monumente të tjera (xhami, kisha, shtëpi, kulla, muze). Përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Lajmin për këtë e kemi publikuar fillimisht në muajin qershor të vitit të kaluar dhe më pas në disa raste të tjera, ndërsa kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe nga mediet. Është e habitshme se si muaj më pas dhe krejt papritur kjo u shndërrua në “çështje shqetësuese”.

Pas restaurimit, monumenti është planifikuar t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeal dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit. Hapësira muzeale mund t’i dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument e meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbej edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë.

Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para se gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë. Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherit duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqej njërës apo palës tjetrës, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun. Diskursi që legjitimon dhunën kundër arkitekturës është i rrezikshëm, sepse ai çon drejt zhdukjes së kulturës materiale. Popujt e civilizuar e ruajnë kulturën e tyre materiale, pra dëshmitë e prekshme të historisë së tyre, ndërsa historia, siç e dimë të gjithë, nuk është gjithmonë e lavdishme. Kjo e fundit nuk duhet të na frikësojë dhe as të shndërrohet në argument kundër trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës është duke investuar në gjithë trashëgiminë tonë kulturore, pa dallim, përfshi xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera.

Sivjet do të restaurohet ndërtesa që do të akomodojë Qendrën Hebraike në Prizren, ndërsa kemi dakordim në parim që Jeëish Museum Vienna të na ndihmojë në kurimin e hapësirës. Në planet e Ministrisë së Kulturës për sivjet janë edhe Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, Kisha Katolike në Ferizaj, Xhamia “Suudi Efendi” në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Hamami i Qytetit në Mitrovicë.

Ndërhyrje do të ketë edhe në shumë monumente të tjera që mbajnë emra personalitetesh nga historia e hershme dhe e vonshme. Mulliri i Gjikokajve, Dyqani i Musa Goranit, Kompleksi Emin Gjiku, Kulla e Et’hem Godenit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Shtëpia e Hynilerëve, Rezidenca e Ibrahim Rugovës, Lagjja e Hajdinëve, Shkolla Jeronim de Rada.

Në listën e mbrojtjes ka shumë monumente që mbajnë emra të sulltanëve e pashallarëve, mbretërve e shenjtorëve, familjeve me shtëpi tradicionale e atyre me kullë, prijësve politik, ushtarak e fetar. Secili histori më vete, në kohë e regjime të ndryshme, mundësi e vullnete të diskutueshme. E përbashkëta e gjithë këtyre? Dëshmitë materiale të së kaluarës, ose ajo që quhet trashëgimia kulturore e Kosovës.

Dhe për fund, duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike. Prandaj, u bëj thirrje që sikurse në të kaluarën, të na qëndrojnë pranë edhe më tej. Me ndihmën e tyre, monumentet tona do t’i shpëtojnë më shpejt degradimit në mënyrë që t’i shërbejnë nevojave socio-ekonomike të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, feje a përkatësie tjetër.

Aktuale

Ish-drejtori i Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës akuzohet se bëri raport në favor të “Sallahu” SH.P.K

Published

on

Drejtori i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzad Musliu dhe ish-pronari i kompanisë “Sallahu” SH.P.K, Naim Sallahu, kanë dalë para Gjykatës së Prishtinës më 16.05.2024 për t’u përballur me akuzat që u ngarkohen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzat Musliu në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., që sipas prokurorisë është e ndaluar me ligj.

Në seancën e 16.05.2024 janë dëgjuar Hysen Merovci, Shaban Krasniqi dhe Mexhide Behluli të cilët ishin propozuar si dëshmitarë për t’u dëgjuar nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve.

Mexhide Behluli e cila ishe ftuar të dëshmojë në rolin e zyrtares ligjore në Ministri të Infrastrukturës tha se nuk i kujtohej se ka qenë në takimin në të cilin ishte diskutuar nga sekretari i kësaj ministrie dhe udhëheqësit të divizionit lidhur me kërkesën për futjen e kompanisë “Sallahu” SH.P.K, në listën e zezë.

“Nuk më kujtohet që kam qenë pjesë e këtij takimi” – tha Mexhide Behluli gjatë dëshmisë së saj në gjykatë.

Ajo mohoi të jetë në dijeni se ka pasur një kërkesë nga Vlamire Bllaca për ta futur në listën e zezë të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kompaninë e “Sallahu” SH.P.K.

Mexhidi tha se fushë-veprimtaria e saj ishte të jetë si pikë kontakti mes avokaturës shtetërore dhe MI në lidhje me lëndët Gjyqësore në të cilat MI ishte palë e paditur.

Pas Behlulit, dëshmoi Hysen Merovcit, i cili kishte qenë udhëheqës i divizionit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Për dallim nga Behluli, dëshmitari Merovci tha se është mbajtur një takim me sekretarin e MI, Izedin Bytyqin për të diskutuar lidhur me kërkesën e Valmire Bllacën për ta futur në listë të zezë të kompanisë “Sallahu” SH.P.K.

“Sekretari i MI Izedin Bytyqi më ka kërkuar mua në cilësinë e udhëheqësit të divizionit të projektit edhe kjo çika e departamentit ligjor, Mexhide në takim me zyrën e sekretarit në lidhje me një ankesë që është bërë nga Operatori Ekonomik ‘Sallahu’, e ka lyp mendimin tonë, në lidhje me vlerësimin e një tenderi për ndërtimin e urës M9 Pejë – Kuqisht” – tha Merovci.

Në fund është dëgjuar edhe dëshmitari Shaban Krasniqi i cili ishte gjeodet në kompaninë “Sallahu” SH.P.K.

Me të përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve, gjyqtari Avni Syla njoftoi të pranishmit në sallë se meqë nuk ka asnjë propozim për plotësimin e provave, do të kalohet në fazën e dhënies së mbrojtjes nga të akuzuarit.

Ky rast po gjykohet nga gjykatësit Avni Syla, kryetar i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe Sulltane Hoti – anëtarë. Aktakuza përfaqësohet nga prokurori i krimeve të rënda, Bashkim Zeqaj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Begzad Musliu, në nëntor të vitit 2020 i kishte tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Auditimi i lëndës së prokurimit është bërë për projektin me emrin “Ndërtimi i urës në zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Pejë – Kuqishtë me lokacionin Drelaj”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Publikohet platforma digjitale për historinë e Prishtinës

Published

on

Historia qindravjeçare e Prishtinës tash e tutje do të mund të njihet edhe përmes platformës digjitale “Prishtina në histori”.

E krijuar nga “Trembelat”, kjo platformë prezanton qindra dokumente origjinale për Prishtinën, që nga shekulli i 13-të.

Përmes një komunikate për media, “Trembelat” kanë bërë të ditur se platforma digjitale (qerthulli) “Prishtina në histori” përmbledh një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13-të deri në vitete e para të shekullit 20-të.

Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20-të, shumica prej tyre, siç thuhet në komunikatë janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.

Në anën tjetër, po sipas komunikatës, shumë studime të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.

“Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti (Prishtina në histori)”- thuhet në komunikatën e ‘Trembelave”.

Po siaps komunikatës, në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht, pjesa më e madhe e tyre, sic thuhet më tej në komunikatë, janë botuar në këtë fazë fillestare.

Platforma është iniciativë e “Trembelave” me siglën botuese “Varg” e mbështetur financiarisht nga Komuna e Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës, të cilët edhe kanë mundësuar qasjen në dokumentet nga arkivat osmane, që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës organizon kuvendin zgjedhor

Published

on

Të nderuar anëtarë të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, duke u bazuar në Ligjin Nr. 06/L-043, për Lirinë e Asocimit ne Organizata Joqeveritare dhe Nenit 26, të Statutit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, të vitit 2022, shpallë Zgjedhjet e rregullta për Kryetarin e a-a-k.

KUVENDI ZGJEDHOR i a-a-k, do të mbahet:

Datë: 23.05.2024 (E Enjte)

Ora: 17:00 h

Vendi: MODELARIUMI në Fakultetin e Arkitekturës në UP-ë.

Ftohen, të gjithë anëtarët e Asociacionit të Arkitëktëve të Kosovës që të marrin pjesë në kuvendin zgjedhor, dhe në frymën e konkurencës së lirë dhe kandidimit, të shprehin vullnetin e tyre për tu kandiduar për pozitën e kryetarit të a-a-k, duke u mbështetur në nenin 32, të Statutit./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending