Drejtorati për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit sot në sallën e Kuvendit Komunal, ka mbajtur diskutim publik ku është prezantuar Draft – Plani Zhvillimor Komunal – Profilin e Komunës.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi tha se hartimi i Planit Zhvillimor Komunal ka një rëndësi të veçantë për faktin se është dokument afatgjatë, që ka për qëllim të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të planifikimit hapësinor për tërë territorin e komunës, përmes qeverisjes së mirë, shfrytëzimit të përshtatshëm të tokës, mbrojtjes së mjedisit dhe trashëgimisë kulturore e natyrore.
Drejtori i DPUMM-së, Imri Semetishti tha se ky dokument që është në fazën e hartimit dhe diskutimit publik, do të ndikojë drejtëpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve të komunës sonë. Ai ka shtuar se në Profilin e komunës janë përmbledhur, identifikuar dhe strukturuar informatat bazë në fushat tematike, ku përfshihet shqyrtimi i të dhënave për:
– Historinë e zhvillimit të Komunës;
– Gjendjen ekzistuese të Komunës; dhe
– Kapacitetet njerëzore dhe financiare.
Në vazhdim u prezantua “Profili i Komunës” ku pjesëmarrësit kanë parashtruar pyetje dhe të njëjtit kanë marrë përgjigje nga përfaqësuesit komunal.
Drejtori Semetishti po ashtu ka njoftuar se ky proces i diskutimeve publike do të vazhdoj, andaj ka kërkuar nga pjesëmarrësit dhe të gjithë qytetarët që të kontribuojnë me komentet dhe sugjerimet e tyre, në mënyrë që të arrihet të finalizohet një dokument sa më përmbajtjesor për komunën e Lipjanit.
Prandaj, “Profilin e Komunës” – si dokument të gjithë të interesuarit mund ta gjejnë në faqen zyrtare të Komunës dhe mund t’i paraqesin komentet e tyre në formë të shkruar në Drejtoratin për Planifikim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit deri më datën 18 janar 2023./Media Ndërtimi.