1.
Vend e pavend, herë me leje e shumëherë më shpesh pa të, me plan – pa plan.
Ndërtimet kanë pasur ndikim të madh përcjellës në Kosovë: punësimin e mijëra zanatlinjve të ndryshëm, por edhe të punëtorëve të krahut që kanë fituar kafshatën e familjes së tyre ndershëm dhe me djersë, shpesh në rrezik jete dhe pa siguri bazike në punë.
Arkitektët, ndërtimtarët, zdrukthëtarët, izoluesit, molerët – të gjithë ata artizanë që shtrojnë pllaka, ngjisin dyer e dritare, shtinë ujin, rrymën, kanalizimin, sistemet e klimatizimit, ata që dekorojnë, të gjithë që transportojnë material, por edhe që e shesin ose prodhojnë, krejt ata – nga dozat e injorancave tona kolektive, nuk kemi denjuar as t’i emërtojmë si duhet. Ata janë themeli i ekonomisë së një vendi.
Kur puna bie, efekti në shoqëri dhe ekonomi është dramatik. Nga të gjitha familjet e tyre, për të cilat, në shumicën e kohës, ata janë shtylla të mirëqenies, por edhe te të gjitha ekonomitë tjera lokale: nga dyqani i lagjes, te kafeneja, byrektorja, gjellëtorja, deri te të gjitha ndërmarrjet tregtare që janë në lidhje direkte ose indirekte. Shpeshherë as që mendohet për punëtorët dhe familjarët e tyre.
Mund të tingëllojë që kjo prek vetëm një strukturë e cila është e padukshme për qytetarin mondan, por efekti shpejt shkon edhe te bankat dhe punëtorët e tyre, institucionet strukturore dhe vet qeveria.
Menjëherë kuptohet kur ndërtimtaria hyn në krizë.
2.
Para pak ditësh, Kryeministri Kurti ia tërhoqi vërejtjen kabinetit të tij: “Koha për t’i përmbushur zotimet tona po pakohet”. Shumë nga ato zotime që përkojnë pikërisht me të përditshmen dhe realen nuk kanë filluar fare.
Pas shpërndarjes së banesave kolektive para 35 e kusur viteve, problemi i banimit ishte tejkaluar për një gjeneratë. Sot, as në Agjencinë e Statistikave banimi nuk merret parasysh në kalkulimin e kostos së jetesës, inflacionit, e me radhë. Megjithëse teorikisht ishte pjesë e zotimeve parazgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, asnjë vendim nuk është marrë në këtë drejtim nga ministria përkatëse gjatë kësaj periudhe.
Është e debatueshme nëse shteti, ose ndonjë kompani publike banesore, duhet të ndërtojë dhe të administrojë banesa të përballueshme. Shpesh, barra nuk e vlen qiranë. Por, ka forma të incentivave fiskale dhe subvencioneve të tjera për personat dhe kompanitë private që do të mund ta zgjidhnin këtë problem.
Në Francë, për shembull, incentivat fiskale financojnë deri në 30% të një banese të re nëse ajo do të lëshohet me qira të caktuar të përballueshme për një periudhë 9-12 vjeçare. Vlera e qirasë caktohet sipas zonave (ngjashëm me zonat fiskale), ndërsa është e kufizuar në zonat ku ka kërkesa më të mëdha për banim. Kjo ka ndikuar që një pjesë e madhe e ndërtimit të ri banesor të bëhet përmes këtyre skemave. Sektori i ndërtimit lulëzon, ka banesa me qira të përballueshme për nevojtarët, qytetet mbeten të diversifikuara dhe janë zvogëluar getot urbane.
Nëse banimi i përballueshëm bëhet direkt nga qeveria, edhe pse po duket që nuk e ka vërtet ndërmend, krijimi i blloqeve të koncentruara banesore sociale shumë shpejt do të shndërrohet në një problem tjetër, vështirë të menaxhueshëm. Shpjegimi i arsyeve nuk është i lehtë, por përvojat e vendeve tjera me këtë koncentrim të banimit social kanë qenë të hidhura dhe shpesh janë transformuar në burim të problemeve tjera.
Partneriteti me sektorin privat mundëson që, p.sh., dikush me këtë skemë të blejë banesë në secilën nga ndërtesat ku ende ka banesa të reja në shitje, duke e bërë kështu një miks të duhur social. Për më tepër, kontributi prej 30% është shumë më i ulët sesa shuma e plotë që do të duhej të paguhej nëse gjithçka do të ishte nën menaxhimin shtetëror, duke përfshirë këtu mirëmbajtjen dhe administratën.
3.
Banimi i përballueshëm, kushtet e punës, pagat e dinjitetshme, por para-së-gjithash: humbja e vendit të punës, janë arsyet që mund të shtyjnë dikë që të marrë rrugë dhe të gjejë një vend pune në një shtet tjetër. Diku tjetër, ku kërkesa për zanatlinj të kategorive të ndryshme është gjithmonë shumë e madhe.
Ditë më parë, Instituti GAP publikoi një analizë ku tregoi që niveli i shitblerjeve të patundshmërive ka rënë dukshëm me vitin paraprak. Kjo gjendje nuk duhet të kalohet pa një debat më të thellë profesional dhe pa ndërmarrje të masave të nevojshme për ta mbajtur vazhdueshmërinë e punës në sektorin e ndërtimit.
Mundësisht, edhe me përmbushjen e zotimit ndaj familjeve të reja për banimin e përballueshëm.
Shkruar nga opinionisti Gazmend Demolli. /Media Ndërtimi