Aktuale

Pal Lekajt i kalon afati për t’u njoftuar me aktakuzën e ‘53 milionëshit’

Published

on

Ish ministri Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri pritet që sot të ulen në bankën e të akuzuarve nën akuzat për korrupsion ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’, në rastin e ‘53 milionëshit’.

Kujtojmë që seanca e fundit nuk ishte mbajtur pasi i akuzuari Pal Lekaj kishte kërkuar dhjetë ditë kohë që ta lexonte aktakuzën që rëndon ndaj tij, raporton Kallxo.com.

“Nuk m`ka mjaftuar koha se shumë e shkurtë, se mua më duhen konsultimet edhe gjatë leximit të aktakuzës. Më duhen 10 ditë që të deklarohem rreth saj”, deklaroi i akuzuari Pal Lekaj.

Kjo kërkesë ishte aprovuar nga gjykatësja Violeta Namani.

Në fillim të seancës së kaluar mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Musa Damati deklaroi se mbrojtja nuk e ka pranuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

“Nuk e kemi pranuar aktakuzën e ngritur. Aktakuzën e ka pranuar avokati paraprak Arianit Koci”, tha Damati.

Gjithashtu, avokatët e të akuzuarve të tjerë kishin deklaruar se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës nga Prokuroria.

Mbrojtja propozoi që seanca të shtyhet për një datë tjetër në mënyrë që të jenë të gatshëm rreth deklarimit të fajësisë.

Në shkurt 2022, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit lidhur me ndërtimin e Autostradës Prishtinë – Han i Elezit.

Në aktakuzë, të cilën Kallxo.com e ka siguruar, Prokuroria Speciale jep detaje për zbatimin e këtij projekti me ç’rast pretendohet se të pandehurit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Pal Lekaj në cilësinë e kryesuesit të Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe ministrit në Ministrisë e Infrastrukturës, së bashku me sekretarin e kësaj Ministrie, Nebih Shatrin dhe drejtorin e Prokurimit Publik, Besim Tahirin, nënshkruajnë marrëveshje me kompaninë “Bechtel & Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë por pa përcaktuar koston financiare.

Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurve, sipas aktakuzës, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro./Media Ndërtimi.

Trending

Exit mobile version