Connect with us

Aktuale

Paketa konjukturore: Gjermania në krye të shteteve evropiane

Published

on

Gjermania kalon një hap përpara fqinjëve me paketën e re konjukturore. Masat e emergjencës pasohen nga fonde e ulje taksash për të ndihmuar ekonominë pas pandemisë.

Paketën konjukturore e pritën me duartrokitje shumë ekonomistë në Gjermani. Të kënaqura janë edhe partitë e koalicionit qeveritar, konservatorët e CDU/CSU dhe socialdemokratët për atë që arritën, pas 21 orë negociatash.”Ne kemi gjendjen më të vështirë ekonomike që kur ekziston Republika Federale”, kujtoi kancelarja Angela Merkel.”Tani është një kohë kur shteti duhet të bëjë më tepër se ç’bën normalisht”.

Paketa konjukturore kap shumën 130 miliardë Euro. Kjo shumë është rreth katër përqind e prodhimit ekonomik të vjetshëm të Gjermanisë. Është paketa më e madhe konjukturore që ka miratuar ndonjëherë qeveria gjermane. Dhe ajo e vë Gjermaninë në pararojë të shteteve evropiane: asnjë nga fqinjët nuk ka kaluar deri tani nga masat e emergjencës në politika për rindërtimin dhe që nxisin kërkesën e konsumatorit.

Kjo është paketa e dytë pas paketës me masa emergjente, që u miratua në mars. Ajo ishte nga paketat më të mëdha të ndihmës në botë: 353 miliardë Euro masa me ndikim në buxhet dhe 819,7 miliardë Euro si garanci.

Cilët sektorë të ekonomisë dhe cilat shtresa të popullatës mbështet paketa?

Paketa konjukturore përmban 57 pika. Dhe siç e theksoi edhe kryetari i CSU-së, kryeministri bavarez Markus Söder, një nga aspektet qëndrore është ulja e TVSH-së, taksës mbi vlerën e shtuar (financohet me 20 miliardë Euro). Ajo do të ulet për gjashtë muaj, nga 1 korriku deri në 31 dhjetor 2020. Nga 19 përqind aktualisht do të bëhet 16 përqind. Atje ku është shtatë përqind, si p.sh. te ushqimet, do të bëhet pesë përqind. Kancelarja Merkel tha se ulja e TVSH-së “në aspektin social është bërë në mënyrë shumë të drejtë”.

Dhe me të vërtetë, ulja e TVSH-së është një masë që ndihmon para së gjithash njerëzit me të ardhura të ulëta. Ata e shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave mujore për shpenzimet e jetesës. Ulja e TVSH-së pritet të ulë çmimet e shitjes, kjo është të paktën shpresa e qeverisë. Element tjetër i ndjeshëm pritet të jetë një bonus prej 300 eurosh, i cili do të jepet për fëmijët.

Elementë të tjerë që tërheqin vëmendjen janë: ndihma për komunat: ato do të marrin për vitin 2020 një kompensim për taksën e biznesit, të cilën nuk ua paguan dot sipërmarrjet për shkak të krizës (financim me 5,9 miliardë Euro); do të ulen shpenzimet për energjinë: federata do të subvencionojë taksën për energjitë e ripërtëritshme, prej vitit 2021 (11 miliardë Euro); paketa lehtëson sipërmarrjet: hapësira për kompensimin e humbjeve aktuale të sipërmarrjeve ndaj fitimeve nga vitet e kaluara do të zgjerohet deri në vitin 2021; ofron grante për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe sidomos për degët më të goditura të ekonomisë si restorantet, hotelet, zyrat e udhëtimeve dhe kompanitë që organizojnë panaire: për muajt qershor deri gusht atyre u paguhen një pjesë e shpenzimeve fikse (25 miliardë Euro); hekurudha gjermane (DB) do të marrë 5 miliardë Euro për të kompensuar humbjet nga mungesa e udhëtarëve.

Industria automobilistike pa prim për automjetet me naftë

Industria automobilistike është nga dega më e madhe e ekonomisë gjermane. 800.000 vetë punëson ajo aktualisht në Gjermani. Kështu që paralajmërimi i saj, se po nuk mori ndihma do të ketë shkurtime të vendeve të punës në fabrika, tërhoqi vëmendjen këto javë. Daimler-Benzi, BMW-ja dhe Volkswageni luftuan deri në fund për një prim, për një lehtësim financiar kur blen automjete me naftë dhe me benzinë.

Por Partia Socialdemokrate tha se me të kjo kërkesë nuk do të kalonte, dhe kështu u bë. Si fitore të tyre e konsiderojnë mosmiratimin edhe shoqatat ambjentaliste dhe Të Gjelbrit, që e kundërshtuan kërkesën që në krye. Problemet me manipulimin e emetimit të gazeve të automjeteve nga shumë koncerne automobilistike, kanë bërë që tani të mos zbatohet si më parë çdo kërkesë e industrisë automobilistike.

Krejt duarbosh, megjithatë, industria automobilistike nuk doli. Nga njëra anë ajo do të përfitojë nga ulja e TVSH-së edhe për automjetet. Një veturë që kushton 30.000 Euro pritet që të kushtojë 900 Euro më pak. Por më pak do të kushtojnë edhe biçikletat, skuterat elektrikë dhe patinat. Dhe kjo është një urë drejt së ardhmes.

Nga ana tjetër, qeveria ofron lehtësime edhe më të mëdha për blerjen e automjeteve elektrike. Ai që blen një automjet elektrik deri në fund të vitit 2021 do të lehtësohet me 9000 Euro, nga 6000 Euro, sa lehtësohej nga primi aktual. Këto janë hapa drejt kthesës për një mobilitet që e mbron më mirë klimën. Siç tha kancelarja Merkel, është një paketë me “aspekte të së ardhmes”.

“Paketa e së ardhmes”

Pjesë të mëdha të paketës do të derdhen në zgjerimin më të shpejtë të standardit të telefonisë celulare 5G. Me pesë miliardë euro do të mbyllen njollat e bardha, pa sinjal për celularët, në Gjermani. Synimi është që në vitin 2025 qytetarët ta përdorin kudo me shpejtësi maksimale edhe në celularë internetin. Do të ngrihen shumë pika ngarkimi për automjete elektrike. Mbështetet gjithashtu edhe kërkimi shkencor për lëvizshmërinë elektrike, për ndërtimin e baterive për automjetet dhe për inteligjencën artificiale.

Me mbi dy miliardë euro do të ndërtohen të paktën dy kompjutera kuantikë. Siç dihet, kompjuterat kuantikë janë në gjendje të zgjidhin shumë shpejt detyra, për të cilat edhe supercompjuterve të sotëm, u duhen dekada. Një kompjuter kuantik përllogarit p.sh. të gjitha alternativat si mund të drejtohet në mënyrë optimale qarkullimi në një metropol. Apo përllogarit të gjitha mundësitë e furnizimit të një anijeje kozmike në hapësirë. /DW/

Aktuale

KAWA Group, tashmë pjesë e industrisë së ndërtimit në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

Kompania e njohur e ndërtimit KAWA Group, sapo ka inauguruar hapësirën në qendër të Londrës.

Përmes një ceremonie festive është hapur hapësira më e re e KAWA Group, e cila edhe zyrtarisht do të operoj në Mbretërinë e Bashkuar,

KAWA Group do të bëj eksportin e shtëpive modulare, kabinave, kontejnerëve, përpunimin e kuzhinave, dyerve dritareve dhe gjithçka tjetër rreth produkteve të drurit e metalit.

https://www.facebook.com/profile.php?id=61554337212013

https://www.instagram.com/kawagroup.uk/

Këtë vit, KAWA Group do të shënoj vitin jubilar, 15 vjetorin e themelimit, ndërsa si kompani vazhdon të jetë liderë në tregun e ndërtimeve.

Përgjatë viteve, KAWA i ka shtuar gamës së gjerë të ndërtimeve, njësi tejet inovative të banimit dhe biznesit.

Pas zyrës së hapur në Londër, KAWA Group shumë shpejt pritet që rrjetin e operimit ta zgjeroj edhe në qendrat kryesore të Evropës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Përfaqësuesit e personave me nevoja të veçanta kërkojnë t’iu sigurohet transporti për punë

Published

on

Në Komisionin për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media është mbajtur dëgjim publik për ndryshim plotësimin e Ligjit për zyrtarët publik. Kërkesa për votimin e këtij projektligji patën personat me aftësi të kufizuar, të cilët me anë të saj kërkojnë transport dhe mundësimi i punës online.

Përfaqësuesi i personave me aftësi të veçanta, Gentrit Zeqiri, është shprehur se mungesa e kushteve për transport po ua vështirëson krijimin e kushteve për punë të këtyre zyrtarëve.

“Propozimi i parë ka qenë sigurimi i transportit të zyrtarëve me nevoja të veçanta nga shtëpia në punë dhe anasjelltas dhe propozimi i dytë, është të ju lejohet zyrtarëve me aftësi të veçanta të punojnë edhe nga shtëpia së paku 3 ditë në javë. Sa i përket propozimit të parë është t’iu sigurohet transporti për shkak të mungesës së qasjes ku kemi shume raste, ankesa të këtyre zyrtarëve përkundër faktit që pranohen në shumë punë…për shkak të transportit ata detyrohen t’i lënë këto punë për shkak të vështirësive që kanë”, tha Zeqiri.

Për Zeqirin është e rëndësishme edhe mundësimi i punës online për këta zyrtarë, sipas tij kërkesa e këtij grupi është të mundësohet puna nga shtëpia së paku për tri ditë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbi 70 biznese promovohen në panairin “Pan Expo Group-Kosova 2024”

Published

on

Është hapur Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Pan Expo Group-Kosova 2024”, në Prishtina Mall, për herë të parë në Kosovë, ku po marrin pjesë mbi 70 biznese nga vendi, rajoni dhe më gjerë.

Qëllimi i këtij panairi është që kompanitë pjesëmarrëse të ndajnë eksperiencën e tyre me njëra- tjetrën, të mund të shpalosin ofertat e tyre, si dhe të tërheqin klientë dhe bashkëpunëtorë rinj.

Përveç kësaj, qëllim tjetër i këtij organizimi është promovimi i ndërmarrësisë, inovacionit si dhe edukimit të gjeneratave të reja për iniciativën e lirë në biznes.

Organizimi i këtij panairi u vlerësua shumë i rëndësishëm edhe nga vetë bizneset pjesëmarrëse, për çka edhe u shprehën të kënaqur me mundësinë e dhënë për të promovuar produktet dhe shërbimet e tyre.

Drejtoresha e “Pan Expo Group”, Elisa Stefa tha se pavarësisht sfidave të kaluara për organizmin e një panairi të tillë, është e kënaqur me pjesëmarrjen, kualitetin dhe cilësinë e bizneseve. Ajo tregoi se në këtë panair po marrin pjesë biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera jashtë rajonit.

Panairi “Pan Expo Group-Kosova 2024” do të jetë i hapur deri më datën 19 maj. Përgjatë ditëve të panairit do të ketë showroom-e, prezantime live, seminare, aktivitete dhe konferenca./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending