Shkronjat e monumentit NEWBORN, këtë vit kanë kuptim shtesë. Histori të ditura e të dëgjuara, por që ende u mungon zëri i duhur. Çdo përjetim i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe jo vetëm, çdo ditë do të jetë i gjallë për të kërkuar drejtësinë e munguar, shkruan Ndërtimi.info.
Në shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, monumenti NEWBORN, që i bëri të ditur botës lindjen e një shteti të pavarur, mori pamjen që do të ndikojë në vetëdijesimin për krimin seksual që u ushtrua në gra e burra, duke u lënë plagë gjatë tërë jetës. Përveç kësaj, ky monument gjithashtu tani do të “brohoras” në vetëdijesim se kjo kategori janë edhe krenaria e shoqërisë.
Në zyrtarizmin e pamjes së re të NEWBORN, drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se duhet të ndalet paragjykimi ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
“Mendojmë që një herë e mirë shoqëria kosovare do të ndalet së paragjykuari dhe së anashkaluari ata zëra, klithma, ato vuajtje që i kanë përjetuar viktimat e dhunës seksuale. Unë dua ta falënderoj kryetarin e Kuvendit të Kosovës që i është bashkangjitur fushatës sonë me qëllim që përtej shoqërisë civile dhe shoqërisë kosovare që kanë me i pa dhe lexu rrëfimet e dhunës seksuale, zëri i të mbijetuarve të dëgjohet edhe në Parlamentin e Kosovës edhe në institucionet e Kosovës”, tha ajo.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se zëri i këtyre viktimave do të dëgjohet në institucionet e vendit.
“Njëra prej tyre më bëri përshtypje, thotë ‘Dua që plaga ime të ketë zë’. Dëshiroj edhe një herë të zotohemi që ajo plagë të ketë zë, sot e përgjithmonë. Do të ketë zë në institucionet e Kosovës, do të ketë zë në institucionet ndërkombëtare, ashtu siç i dua zë në Kongresin Amerikan Vasfije Krasniqi-Goodman, ashtu siç i dha zë këtyre dhimbjeve Shyhretja, po ashtu çdo ditë i jep zë zonja Kadire. Prandaj, zotohemi bashkë që në Kuvendin e Kosovës dot ë jetë vendi ku do të kumbojë çdo ditë zëri i plagëve, vendi ku do ti tregojmë botës mbarë dhimbjet e këtyre grave”, tha ajo.
Në anën tjetër, Nafi Krasniqi, vëllai i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman, kërkoi mbështetje për këtë kategori të shoqërisë.
“Nëse është dikush që ka vuajtur shumë 20 vjet pas luftës, 12 vjet pas pavarësisë, është pikërisht kjo kategori e grave dhe burrave që kanë fatin e zi, fatin e keq. Ne ju bëjmë thirrje të gjithëve që me i mbështet për shkak se ajo çfarë ju ka ndodhur ajo atyre nuk është turp, është turp për ata, mirëpo më turpi më i madh është se ne që si shoqëri kemi bëre shumë pak”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, monumenti NEWBORN që u vendos në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës – më 17 shkurt 2008, që nga viti 2013 çdo vit ndryshon pamjen, për të përçuar mesazhe në lidhje me procese të ndryshme. /Ndërtimi.info/
You must be logged in to post a comment Login