Ndërtohen dy çerdhe publike brenda këtij viti

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se gjatë këtij viti do të fillojë ndërtimi i dy çerdheve publike në qytet. Ai ka përkujtuar se aktualisht në Prizren nuk funksionon asnjë çerdhe publike dhe se gjatë mandatit të tij do të ndërtohen gjithsej katër sosh.

Në të njëjtën kohë, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e CARITAS-it zviceran, Haskuka ka pohuar se do të nisë edhe përgatitja e kuadrove profesionale, që do të punojnë në këto çerdhe.

“Prej 4 çerdheve publike, sa ka pasur Prizreni deri para 10 vjetësh, sot nuk e ka asnjë. Gjatë mandatit 4 -vjeçar do të hapen 4 çerdhe publike, 2 nga të cilat do të fillojnë të ndërtohen këtë vit. Por, përveç objektit për edukimin e fatosave, nevojiten edhe kuadro profesionale. Në takim me përfaqësuesit e CARITAS-it u dakorduam që të fillohet me trajnimin e mësimdhënësve dhe edukatorëve”, ka bërë të ditur Haskuka, përmes rrjeteve sociale. Por lidershipi komunal nuk ka publikuar ndonjë hollësi mbi koston e projekteve të ndërtimit të dy çerdheve e as për burimet e financimit.

Kreshnik Basha nga Zyra e CARITAS-it zviceran në Kosovë ka deklaruar për gazetën se në takim është diskutuar për projektet e kësaj organizate, në mesin e të cilave bën pjesë edhe ai i edukimit parashkollor.

REKLAMA