Në kuadër të projektit ‘’Studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës’’ po mbahet punëtoria tematike ‘’Rrugëtimi i gjatë i parashtesës RE (RI). Nga RE-starurimi në RE-gjenerim për përmirësimin e integruar të strukturës urbane’’.
Aty po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore nga MKRS dhe MMPHI, Kuvendit të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe OJQ-ve.
Përmes kësaj punëtorie tematike synohet të orientohet identifikimi se cilat aspekte do të jenë të dobishme për ndërtimin e një sistemi lokal të përmirësimit të integruar të strukturës urbane të zonës historike. Ideja është të diskutohet se cilat veprime, strategji, ndërhyrje janë më të përshtatshmet për strukturën urbane të zonës historike të konsideruar si peizazh kulturor.
Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës./Media Ndërtimi.