Në kuadër të Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, UN-Habitat Kosova organizoi takimin e Kolegjiumit të AKK-së për Planifikim Hapësinor në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).
Takimi ka trajtuar një gamë të gjerë temash që trajtojnë realitetet e kornizës ligjore në fushën e planifikimit hapësinor, me pjesëmarrjen e drejtorëve të departamenteve të planifikimit urban nga komunat e Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe Instituti për Planifikim Hapësinor.
Theks i veçantë i është vënë procesit të vazhdueshëm të Projektligjit për Planifikim Hapësinor dhe rolit të grupit punues përkatës në këtë drejtim.
Ndër temat e trajtuara ishin përfshirja e komunave në procesin e vlerësimit ex-post të Ligjit për Planifikim Hapësinor në proceset aktuale reformuese dhe sfidat e hasura në zbatimin e kornizës aktuale ligjore në fushën e planifikimit hapësinor.
Pjesëmarrja dhe kontributi i komunës u pa e nevojshme për hartimin e një ligji të përshtatshëm dhe të zbatueshëm.
Po ashtu, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës prezantuan Projektligjin për Performancën e Energjisë në Ndërtesa. Kjo u pasua nga një diskutim konstruktiv mbi mundësitë dhe sfidat për tranzicionin energjetik në sektorin e ndërtimit.
Programi i Zhvillimit Gjithëpërfshirës zbatohet nga UN-Habitat Kosova, PAX, CBM dhe NSI dhe financohet nga Qeveria e Suedisë./Media Ndërtimi.