Ndërmarja publike lokale “Prishtina Parking” në muajin korrik ka nënshkruar kontratë të re me kompaninë “INT Class Marketing Sh.p.k” në vlerë 250 mijë euro në vit për të kryer shërbime në menaxhimin e parkingjeve.
Për tri vjet sa është kohëzgjatja e kontratës i bjen që vlera totale të jetë 750 mijë euro. Për të njëjta shërbime, kjo ndërmarje me të njëjtën kompani kishte nënshkruar kontratë në tetor të vitit 2021.
Kallxo.com ka dërguar pyetje në adresë të ndërmarrjes Prishtina Parking për të kërkuar sqarime shtesë për këtë kontratë, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.
Procedurat janë kryer me procedurë të negociuar, pa njoftim paraprak. Tenderi iu dha kompanisë “INT Class Marketing Sh.p.k”.
Kontrata ka hyrë në fuqi me datën 27 korrik 2022 me afat deri më 27 korrik 2024. Sipas kontratës, operatori ekonomik do të kryejë vendosjen në dispozicion për shfrytëzim nga NPL Prishtina Parking të sistemit të integruar të parkimit me pagesë në përdorim të autorizuar të operatorit ekonomik “Sistemi” i cili konsiston në një platformë elekontronike nëpërmjet të cilës NPL Prishtina Parking do të monitorojë dhe administrojë shërbimin e parkimit me pagesë nga qytetarët apo subjektet tregare në rrugë.
“Kontrektisht nëpërmjet “Sistemit”, NPL Prishtina do të realizojë, parkimin publik me pagesë në rrugë dhe zonat e përcaktuara nga NPL “Prishtina Parking”, monitorimin e parkimit publik me pagesë nga qytetarët, arkëtimin e të ardhurave nga tarifat e parkimit publik me pagesë pranë buxhetit të NPL “Prishtina Parking”, Inspektimin e zbatimit nga qytetarët/subjektet tregtare të parkimit me pagesë në rrugë në zonat e përcaktuara si të tilla nga Komuna”, – thuhet në dosjen e kontratës.
Tutje pika tjetër e kontratës thotë se operatori ekonomik ka për obligim të ofroj, asistencë teknike gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, mirëmbajtjen e sistemit, ofrimin e asistencës teknike për pajisjet e dëmtuara, trajnimin e stafit të NPL Prishtina Parking të punësuar për vendosjen në punë, operimin, monitorimin dhe inspektimin e sistemit të kontrollit me pagesë të parkimit.
Opozita mirëpret shkarkimin e kryeshefit pas reagimit për tenderët
Pas vendimit të shkarkimit/dorëheqjes së kryeshefit Restelica, partia opozitare në Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur duke thënë se u dëshmua reagimi i tyre për kontratën 750 mijë euro.Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar Bordi i Ndërmarrjes që menjëherë ta anuloj kontratën, gjithashtu thonë se presin veprime konkrete nga organet kompetente për hetimin dhe sqarimin e “të gjitha keqpërdorimeve të mundshme që kanë ndodhur deri tani”.
“U dëshmua se reagimi ynë për kontratën e dyshimtë të zhvilluar nga Ndërmarrja “Prishtina Parking”, ku një aplikacion kësaj Ndërmarrje i kushtoi 750.000.00€, ishte i drejtë dhe parimor. Kërkojmë nga Bordi i Ndërmarrjes që menjëherë ta anuloj kontratën të cilën e kemi denoncuar dhe poashtu presim veprime konkrete nga organet kompetente për hetimin dhe sqarimin e të gjitha keqpërdorimeve të mundshme që kanë ndodhur deri tani”, raporton Kallxo.com.
Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmuan atë çfarë kemi potencuar për kohë të gjatë mbi paligjshmërinë dhe parregullsitë e vazhdueshme në këtë ndërmarrje komunale. Ashtu siç denoncuam këtë aferë, kontratën e paligjshme dhe ekonomikisht të dëmshme të “Prishtina Parking”, njejtë do të ngrisim zërin për çdo veprim eventual me tendenca abuzive në çdo ndërmarrje apo institucion të Komunës së Prishtinës. Ndërmarrjet Publike Komunale janë pasuri e përbashkët e qytetarëve të Prishtinës dhe qëllimi i tyre primar duhet të jetë ofrimi i shërbimeve për këta qytetarë” – thuhet në reagimin e LVV-së në Prishtinë./Media Ndërtimi.