Connect with us

Aktuale

’53 milionëshi’ – Pse Gjykata e Prishtinës vendosi që kompensimi të zgjidhet në kontest juridiko-civil

Published

on

Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtor ish-ministrin Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, ushtruesin e detyrës së drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretarin e MI, Nebih Shatri lidhur me rastin e ‘53 milionëshit’.

Në shpallje të aktgjykimit më 31.01.2024 trupi Gjykues me kryetaren Violeta Namani, Vesel Ismaili dhe Musa Konxheli, kanë marrë vendim që lidhur me dëmin që i është shkaktuar buxhetit të shtetit nga katër të akuzuarit, të zgjidhet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Pra themelorja nuk kishte marrë vendim lidhur me dënimin plotësues që prokuroria e kishte propozuar në aktakuzë.

Prokuroria Speciale kishte kërkuar që katër të akuzuarit të urdhërohen që në mënyrë solidare të bënin kompensimin e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të shtetit.

Sipas arsyetimit që ka nxjerrë themelorja më datë 20.03.2024 thuhet se Gjykata nuk kishte vendosur lidhur me dënimin plotësues pasi që pala e dëmtuar, avokatura shtetërorë kishte kërkuar nga Gjykata që rasti të referohet në kontest të rregullt civil.

“Gjykata ka vendosur që pala e dëmtuar, Avokatura Shtetërore e Kosovës, pranë Ministrisë së Drejtësisë, të udhëzohet për realizimin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Ngase e njëjta përmes parashtresës së datës 22.11.2022 kishte kërkuar nga Gjykata që të udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil për shkak se këtë të drejtë do ta realizonin në procedurë të rregullt”- thuhet në Aktgjykim.

Kujtojmë që Prokuroria Speciale e përfaqësuar nga Valdet Gashi dhe Atdhe Dema, përpos kompensimit të dëmit kishte kërkuar si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të funksionit në administratë publike, për të pandehurit që do të shpallen fajtor.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, për Kallxo.com kishte thënë se çështja e dëmshpërblimit për rastin e ‘53 milionëshit’ është çështje e Gjykatës për të cilën “nuk mund të përzihen”.

Durmishi kishte deklaruar për Kallxo.com se varësisht se si përfundon si proces do të shohin se çfarë vendime do të marrin si Ministri.

“Kjo është çështje e Gjykatës dhe në vendime të Gjykatës nuk mund të përzihem. Janë dy raste të ndara, nuk është vetëm çështja e 53 milionëshit, është çështja edhe e 44 milionëshit, njëra është që janë paguar 53 milionë në emër të dëmshpërblimit në kohëzgjatje të afatit të kryerjes së punimeve, dhe tjetra është 44 milionë për punë shtesë edhe pse kontrata ka qenë me “çelësa në dorë” që nuk lejohet të ketë punë shtesë. Pra gjithsej 96 milionë, i mbetet gjykatave të marrin vendime meritore” – kishte thënë Durmishi në një prononcim për Kallxo.com./Media Ndërtimi

Aktuale

Eurostat: Shqiptarët më punëtorët në Evropë, por me paga me të ulëta

Published

on

Shqiptarët punojnë me orë më të gjata pune krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse paguhen më pak.

Sipas të dhënave nga Eurostat, një javë e zakonshme pune për personat e moshës 20-64 vjeç në BE është mesatarisht 37.5 orë, ndërsa për shqiptarët rreth 43.7 orë në javë.

Konkretisht, shqiptarët punojnë një ditë më shumë se vendet e BE-së ose 6 orë më tepër në javë.

Pavarësisht këtij fakti, orët e zgjatura të punës në Shqipëri nuk përkthehen me paga më të larta, pasi aktualisht vendi ynë ka nivelin më të ulët të pagës mesatare në rajon dhe Europë, gati dyfish më pak se Serbia e Mali i Zi dhe ndjeshëm më pak se Bashkimi Europian.

Kjo tregon një mospërputhje të qartë midis orëve, pagës apo edhe produktivitetit të punëtorëve.

Direkt pas vendit tonë renditet Serbia, ndërsa sa i takon vendeve të BE-së, Greqia ka përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur, rreth 11.6%, e ndjekur nga Qiproja 10.4% dhe Franca 10.1%.

Orët e zgjatura të punës në Greqi lidhen edhe me normën më të lartë të papunësisë, e si rrjedhojë orët shtesë të punonjësve aktivë i referohen zëvendësimit të mungesës së fuqisë punëtore në vend.

Holanda ka javën më të shkurtër të punës me rreth 33.2 orë, e ndjekur nga Gjermania me 35.3 dhe Danimarka me 35.4 orë.

Duke qenë se Shqipëria ka rekordin më të lartë të të vetëpunësuarve në rajon me një normë prej 36%, orët e gjata të punës lidhen kryesisht me nivelin e lartë të vetëpunësimit dhe punën e fundjavës.

E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, ku 29.3% e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata krahasuar me të punësuarit, të cilët përbënin 3.6% e totalit.

Në Shqipëri administrata publike është ajo që punon më pak, me rreth 38.8 orë në javë, ndërsa punëtorët e sektorëve të prodhimit dhe ndërtimit punojnë më tepër.

Ndërsa në BE, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punonjësve të kualifikuar të bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit me 27.5% dhe menaxherëve me 21.9%./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

BE do të jap 1 miliard euro ndihmë financiare për mbrojtjen sociale në Liban

Published

on

Gjatë vizitës së saj në Bejrut, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e shoqëruar nga Presidenti i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, diskutuan sfidat e rëndësishme të brendshme dhe rajonale me të cilat përballet Libani dhe se si BE-ja mund ta mbështesë më mirë vendin dhe njerëzit.

Ajo njoftoi se BE-ja do të ofrojë një paketë ndihme financiare për Libanin me vlerë 1 miliard euro për 2024-2027.

Kjo mbështetje e vazhdueshme e BE-së do të forcojë shërbimet bazë si arsimi, mbrojtja sociale dhe shëndeti për njerëzit në Liban. Ajo do të shoqërojë reformat urgjente ekonomike, financiare dhe bankare. Për më tepër, Forcat e Armatosura libaneze dhe forcat e tjera të sigurisë do t’i ofrohet mbështetje me pajisje dhe trajnime për menaxhimin e kufirit dhe për të luftuar kundër kontrabandës.

Vizita e Presidentes von der Leyen në Liban vjen pas takimit të posaçëm të Këshillit Evropian më 17-18 prill, ku Këshilli konfirmoi vendosmërinë e BE-së për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në Liban, duke përfshirë refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe komunitetet pritëse, si si dhe forcimin e mbështetjes për Forcat e Armatosura libaneze, luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës. Këshilli Evropian ripohoi gjithashtu nevojën për të arritur kushte për kthime të sigurta, vullnetare dhe dinjitoze të refugjatëve sirianë, siç përcaktohet nga UNHCR./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Zyra e Kryeministrit Kurti furnizohet me mobile luksoze në vlerë prej 54 mijë euro

Published

on

Karrige lëkure, tepisona, vitrina e mobile të ndryshme luksoze. Të gjitha këto janë porositur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Orenditë e reja po kapin shifrën e 54 mijë eurove.

Zyra e Kryeministrit të Albin Kurti, ka hapur disa tenderë për blerjen e disa orendive të reja.

Zyra e kryeministrit dhe disa ministri tjera janë në pritje të furnizimit me karrige të lëkurës, me tepsiona, me pajisje të reja për byfe, e vitrina, të cilat i kanë kushtuar hiç më pak se 53 mijë e 977 euro, shkruan Insajderi.

Me datën 30 të muajit të kaluar, Zyra e Kryeministrit kishte hapur tender për “furnizim me karrige lëkure”, 50 copë.

Vlera e parashikuar është 9,999.00 euro.

Poashtu në muajin e kaluar nga ZKM’ja është hapur tenderi për “Furnizim me lloje të ndryshme vitrinash”, ku ceken mobile druri për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës për këtë tender është 40.000 euro.

Me 1 maj, Zyra e Kryeministrit ka hap tender për “Furnizim me pajisje byfeje”. Ku theksohet për “frigoriferë dhe ngrirësit”.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është 990 euro.

Bëhet fjalë për tri karrige statike nga materiali krom, të veshura me lëkurë artificiale, kualitet i lartë i ngjyrës së zezë.

Po ashtu edhe për një karrige rrotative nga rrjeta me mekanizëm lëvizës. Ku vetëm këto kanë kushtuar hiç më pak se 999 euro./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending