Connect with us

Aktuale

Komuna e Prishtinës kërkon që ish objekti i “Gërmisë” të shndërrohet në galeri dhe t’i bashkohet salla koncertale

Published

on

Arkitekti i njohur japonez, Kengo Kuma, bashkautor i projektit fitues për sallë koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”, ka ardhur për herë të parë në Prishtinë. Të dielën pasdite e ka takuar kryetarin Përparim Rama, me të cilin ka folur për projektin dhe vizionin e tij.

Pas takimit, Kuma – i njohur si njëri prej arkitektëve më influencues në botë – ka vizituar edhe objektin i cili pritet të transformohet me projektin e tij. Por Kumas dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, u është kërkuar ta ndryshojnë projektin, sepse ka ndryshuar qasja e Komunës: ish-objekti i “Gërmisë” të bëhet galeri, e asaj t’i shtohet një sallë koncertale. Kërkesën ua ka bërë kryetari Rama.

Gati dy vjet pasi që projekti i hartuar nga studioja e tij në bashkëpunim me staf vendor është përzgjedhur për sallë koncertale në Prishtinë, Kengo Kuma ka vizituar Prishtinën.

Arkitekti japonez me nam botëror, të dielën pasdite ka arritur në kryeqytet për një vizitë rreth 16-orëshe. Pas takimit me kryetarin e kryeqytetit, Përparim Rama, Kuma tok me bashkëprojektuesin vendor të sallës koncertale, arkitektin Bekim Ramku kanë vizituar ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”.

Në prill të vitit 2021 projekti i dyshes, i titulluar “One Roof – Germia for Concert Hall” qe përzgjedhur si plani fitues i transformimit të ndërtesën në sallë koncertale. Por tash muhabeti ka ndërruar goxha.

Kompania e Kumas së bashku me Ramkun do të ndryshojnë projektin ideor gjatë përpilimit të planit të detajuar për sallën koncertale.

Me saktësi japoneze, Kuma në 17:20 ka qenë para Komunës së Prishtinës. Pos kryetarit Rama, atë e kanë pritur edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Arbër Sadiki dhe një pjesë tjetër e stafit. Rama pasi i ka uruar mirëseardhje, mysafirit ia ka bërë të ditur se qasja e Komunës ndaj projektit të tij ka ndryshuar.

Thirrja publike ndërkombëtare për shndërrimin e “Gërmisë” në sallë koncertale qe hapur nga ish-menaxhmenti i kryeqytetit me kryetar Shpend Ahmetin. E Rama ka qenë i qartë për qasjen e re.

“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, ka thënë ai. Kume me qetësi ka konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama ka pasur edhe një arsyetim tjetër.

“Edhe nga perspektiva që të mos kemi nevojë të demolojmë ndërtesën aktuale”, ka thënë ai. Kuma prapë ka konfirmuar se mund të bëhet një gjë e tillë. Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale, ka hyrë në dekadën e dytë.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt kishte marrë 82.42 pikë duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.

“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.

Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet atë që ka kërkuar të dielën kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.

Rama i ka thënë Kumas se është kënaqësi për kryeqytetin që ta ketë një shenjë të tij e cila do të ketë ndikim në të ardhmen. Kërkesat që gjatë projektit të detajuar të veprohet ndryshe nga projekti ideor, Rama i ka arsyetuar edhe me debatin e vjetër se si duhet rifunksionalizuar ndërtesa ku deri vonë ka zënë vend një pjesë e Administratës Tatimore.

“Kemi komunitetin artistik ku artistët vizualë duan një muze e muzikantët që duan sallë koncertale. Por me qasjen që po them unë, mund t’i kemi të dyja. Pra, galerinë e qytetit dhe sallën koncertale. Do të ishte një trashëgimi juaja shumë e mirë për qytetin”, ka thënë ai gjatë takimit ku mysafirit i ka dhuruar një replikë të simbolit të Prishtinës, “Hyjneshën në Fron”.

Rama ka falënderuar Kuman për durimin meqenëse janë bërë gati dy vjet prej kur ka nisur procesi. Ka shpalosur edhe një risi.

“Bashkimi Evropian ka thënë se nuk ka fonde për këtë fazë. Por do ta financojmë ne dhe Ministria e Kulturës na ka thënë se do të na bashkohen. Mendojmë ta tenderojmë ndërtimin në fund të vitit që në mars të vitit 2024 të nisim ndërtimin”, ka thënë ai. Kuma bashkë me partnerët vendorë do të bëjë ndryshimet gjatë përpilimit të projektit të detajuar. Krejt kjo Komunës do t’i kushtojë rreth 1.5 milion euro.

“BE-ja ka thënë se do të financojë projektin në ndërtim”, ka thënë Rama. E Kume ka qenë fort i shkurtër.

“Kjo ndërtesë është shumë e rëndësishme për ne. Ne jemi të lumtur që do të vazhdojmë këtë projekt”, ka thënë japonezi studioja e të cilit ka projektuar ndërtesa që janë duke u implementuar në 30 vende të botës.

Më pas krejt bashkë kanë shkuar këmbë deri te ndërtesa. Kuma ka dëgjuar sqarimet e kryetarit Rama. Ka qenë fjalëpak. Nga brenda nuk ka qenë e qasshme krejt hapësira. I kanë renë rrotull për ta parë të plotë nga jashtë bashkë me fasadën ikonike që ka. Më pas kanë bërë edhe xhiro në bulevardin kryesor të kryeqytetit.

Qasja e re e Komunës është krejt e afërt me qasjen që kishte arkitekti Arber Sadiki ku qe konkurrent për transformimin e ndërtesës e jo drejtor si Drejtorisë së Urbanizmit. Fillimisht kishte kundërshtuar publikisht transformimin e ndërtesës nga ana arkitektonike.

“Kjo, përpos që zhduk një ndërtesë që ne konsiderojmë se ka vlera të trashëgimisë arkitekturore, do të ishte humbje edhe në kuptimin ekonomik”, kishte thënë ai. Më pas kishte deklaruar se duke parë qëndrimin e autoriteteve komunale që pa ndonjë argument insistonin në shndërrimin e saj në sallë koncertesh, duke kulmuar me shpalljen e konkursit arkitektonik në fillim të vitit 2021, bashkë me arkitektin Gëzim Paçarizi që jeton në Gjenevë, vendosën të marrim pjesë me një propozim.

“Duke ndarë qëndrimet e njëjta me të për çështjet e cekura më lart, arsyeja kryesore e pjesëmarrjes tonë kishte të bënte me ofrimin e një propozimi i cili me intervenime të tipit revitalizues me një investim prej rreth 2 milionë eurosh do të kthente ndërtesën ekzistuese në galeri arti, ndërsa në hapësirat e lira përreth ndërtesës do të vendosej salla e madhe koncertale me rreth 1700 spektatorë, dy salla të vogla njëra me 400 dhe tjetra 200 spektatorë”, kishte thënë ai. Sadiki kishte thënë se s’ka dyshim që rruga e konkursit arkitektonik ndërkombëtar është ajo që duhet ndjekur, por duhet punuar vazhdimisht që kredibiliteti i tij të mbrohet përgjatë gjithë procesit.

“Përgjigjet që kemi marrë deri tani, nuk japin kurrfarë sqarimi se si kanë ardhur deri tek rangimi i projekteve, gjë që nuk është praktikë e konkurseve kredibile. Le të shpresojmë se ditët në vazhdim do t’i marrim, ne konkurruesit, por edhe gjithë publiku, sqarimet se cilat kanë qenë kriteret mbi bazën e të cilëve juria ka marrë vendime dhe sa dhe si, secili prej aplikuesve i ka plotësuar”, kishte shtuar ai.

Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të implementohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake ende.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të vitit 2020, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e Këshillit të Evropës të ridestinohen dhe të humbë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion prej 11.4 milionë eurosh. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që ajo ndërtesë të shndërrohet në muze të artit bashkëkohor./Media Ndërtimi

Aktuale

Rasti “Toka 2”, dëshmitari thotë se mbrojtësit e familjes së tij u tërhoqën nga lënda pasi u kërcënuan nga dikush

Published

on

Në seancën e së premtes, në rastin e njohur si “Toka 2”, është dëgjuar dëshmitari Dejan Llaziq, i cili tha që gjatë procedurave gjyqësore lidhur me rikthimet e parcelave avokatët e familjes së tij janë kërcënuar e më pas janë tërhequr nga lënda.

Fillimisht dëshmitari Llaziq pohoi se familja e tij ka pasur një tokë në Çagllavicë dhe e njëjta është trashëgimi familjare dhe se prej vitit ‘ 90-ta e mban në mend se e kishin punuar të njëjtën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti, tregoi se toka tashmë është në pronësi të dikujt tjetër, mirëpo sipas familjarëve të tij kurrë nuk e kanë shitur të njëjtën, përveç se e kanë pasur një marrëveshje paraprake me blerësit potencial, por jo të finalizuar.

“Pasi që kanë nënshkruar kontratën e shitblerjes, pasi që është dhënë një kapar, ata njerëz kanë ardhë me një avokat dhe na kanë thënë që ata nuk do ta blejnë dhe po tërhiqen, pas më shumë se gjashtë muaj dhe kanë kërkuar që ajo kapar t’ju kthehet. Të gjitha këto janë të kthyera (kapari është kthy). Më vonë kam marrë vesh se ata njerëz tani në kadastër janë pronarë”, tha dëshmitari Llaziq.

Lidhur me këtë kontest ai deklaroi se iu kanë drejtuar EULEX-it.

Pas pyetjes së prokurores speciale Merita Bina-Rugova për angazhimin e ndonjë avokati nga ana e familjes së tij lidhur me këtë çështje, dëshmitari Llaziq tha se avokati Anton Nokaj i është ankuar dikujt në familje se nga dikush është kërcënuar, duke mos përmendur ndonjë emër konkret.

Ai gjithashtu theksoi se në cilësinë e përfaqësues ligjore të familjes ka qenë edhe Fatime Berisha, e cila e kishte tërhequr padinë pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme në atë kohë, pasi që edhe ajo në atë kohë kinse ka marrë kërcënime.

“Nuk e di se çfarë kërcnime dhe nga kush. Kinse thuhet sepse unë nuk kam qenë prezent në ato biseda me Fatimen…dhe për këto kam dëgjuar prej familjarëve të mi”, tha dëshmitari Llaziq.

I njëjti ka mohuar se e njeh të akuzuarin Mehmet Prishtina.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës, Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi pas deklarimit të dëshmitarit se nuk ka qenë prezent në asnjë procedurë por vetëm ka dëgjuar nga familjarët e tij, duke konsideruar se aktakuza është ngarkuar me shumë prova të panevojshme.

“Prokuroria Speciale me dëgjimin e këtij dëshmitari, nuk e ka marrë parasysh faktin se edhe në fazën e hetimeve edhe në seancat e gjykimit, gjithçka që është përgjigj ka pas thënie të dëgjuara nga familjarët e tij dhe asnjëherë s’ka qenë pjesëmarrës në asnjë veprim procedural për asnjë çështje penale për të cilat jemi këtu. Kjo do të thotë aktakuza është ngarku me shumë prova të panevojshme”, tha avokatja Mjekiqi.

Paraprakisht në këtë seancë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili bëri të ditur që ky shqyrtim fillon rishtazi, ashtu që në vend të gjykatëses Suzana Çerkini, tani është gjykatësi Rrahman Beqiri, ashtu që me pajtimin e palëve të gjitha veprimet procedurale u konsideruan të lexuara.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një kompani ndërtimi dëmton kabllot e rrjetit nëntokësor në lagjen “Pejton”, mbesin pa energji elektrike një numër i caktuar i konsumatorëve

Published

on

Një kompani ndërtimi, teksa kryente punime në lagjen “Pejton”, ka shkaktuar dëmtimin e kabllove të rrjetit nëntokësor.

Me këtë rast kanë mbetur pa rrymë një numër i caktuar i konsumatorëve të kësaj lagjeje dhe asaj të Dardanisë.

Ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të evituar dëmin e shkaktuar. Falë përkushtimit të tyre deri më tash është arritur që pjesërisht të rikyçen në rrjet disa konsumatorë, derisa po punohet në mënyrë intensive që furnizimi t’u rikthehet të gjithë konsumatorëve të afektuar.

Për këtë rast janë informuar organet e rendit, dhe KEDS u bën thirrje kompanive të ndërtimit që të kenë kujdes të shtuar gjatë realizimit të punëve, meqë përveçse dëmtojnë asetet elektroenergjetike të KEDS-it, lënë pa furnizim me energji elektrike edhe konsumatorët./Media Ndërtim

Continue Reading

Aktuale

“Termokos” përfundon sezonin ngrohës 2023/2024

Published

on

Në harmoni me parashikimet meteorologjike për përmirësimin e motit, NP “Termokos” SH.A. ka marrë vendim, që të përmbyllë sot sezonin ngrohës 2023/2024.

Pas 195 ditësh furnizim të mjaftueshëm dhe cilësor me ngrohje për rreth 30 mijë konsumatorë, përfundon një nga sezonat më të suksesshme ngrohëse, në kuadër të cilës ndërmarrja ka shënuar një varg arritjesh në të gjitha fushat.

Gjatë sezonit ngrohës 2023/2024 janë prodhuar rreth 328 mijë MWh energji termike apo 7% më shumë se sezonën e kaluar, nga KEK-u janë ekstraktuar 303.15 GWh energji, që në raport krahasues me sezonin ngrohës paraprak ka një rritje prej 14.6%, ashtu sikur edhe tek liferimi i energjisë termike, që ka qenë 270 GWh. Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 317 objekte banesore me 13.313 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 1,122,538.00 m².

Ky sezon ngrohës ka qenë fazë testuese para fillimit të aplikimit të metodës së re të faturimit sipas konsumit. Si rrjedhojë e testimeve, analizave e krahasimeve, që janë realizuar, tanimë mbi 1 mijë konsumatorë i kanë marrë faturat e para testuese sipas konsumit, bazuar në të cilat 33% e konsumatorëve si rezultat i kursimit të energjisë ngrohëse kanë pranuar fatura më të ulëta se ato që kanë marrë më parë.

NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet për modernizimin e mëtutjeshëm të shërbimeve dhe realizimin e projekteve të shumëta, që do të kenë ndikim të shumëfishtë pozitiv në mirëqenien e qytetarëve tanë./Media Ndëtimi

Continue Reading

Trending