Gurëthyesi te Kalaja e Lipës, afër Pejës, ka detyruar Institutin Arkeologjik të Kosovës të dalë sërish në terren e bashkë me të edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Kompania ka thyer perimetrin prej 100 metrash, që ishte caktuar para gati tre vjetësh. Por përderisa pronarët e gurthyesit janë ndërruar disa herë, problemi mbetet i njëjtë: rrezikimi i monumentit që daton qysh nga shekujt IV-VI të erës sonë.
Historia e ekskavatorëve, buldozerëve e dinamitit për të nxjerrë gurë afër gërmadhave të Kalasë zë fill në shtator të vitit 2013.
Janë bërë shtatë vjet prej se shteti dhe Kalaja e Lipës sfidohen nga kompanitë gurëthyese. Përderisa pronarët e kompanisë që synon të nxjerrë zhavorr në fshatin afër Pejës janë ndërruar disa herë, problemi mbetet i njëjtë: rrezikimi i monumentit që daton qysh nga shekujt IV-VI të erës sonë.
Historia e ekskavatorëve, buldozerëve e dinamitit për të nxjerrë gurë afër gërmadhave të kalasë zë fill qysh më 2013, kur kompania e një ish-komandanti të UÇK-së nisi eksploatimin në atë zonë. Rasti i fundit është ai i javës së shkuar, kur banorët kishin lajmëruar institucionet se në atë pjesë është duke u punuar.
Instituti Arkeologjik i Kosovës është detyruar që të dalë prapë në terren. Bashkë me të edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Ky i fundit ka qenë në fshatin malor edhe të hënën, katër ditë pasi kishte ndalur punën. Të hënën, disa banorë të fshatit kanë shkuar te zona ku synohet të bëhet eksploatimi. Banorët e fshatit Lipë kanë qenë të zëshëm vazhdimisht dhe kanë lajmëruar institucionet sa herë ua ka marrë mendja se monumenti është duke u rrezikuar.
I pranishëm ka qenë edhe drejtori i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, Imer Hakaj, i cili është zgjedhur në këtë pozitë dy muaj më parë. Ai ka thënë se pesë apo gjashtë qytetarë në mënyrë shumë të qetë kanë kërkuar nga pronarët e gurëthyesit që të mos punohet e të ruhen mbetjet e Kalasë.
“E ne i kemi përsëritur rekomandimet tona detyruese që të mos punohet pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.
Paraprakisht më 30 prill Inspektorati ka nxjerrë një rekomandim detyrues për kompaninë që kishte nisur të punonte.
“Të mos ndërmerrni asnjë veprimtari në hapësirën e mbrojtur pa miratim, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, ku nuk lejohet ndërhyrja pa pëlqim paraprak të IAK-ut, institucion kompetent”, shkruhet në rekomandim. Aty shkruhet se duhet të zbatohet pëlqimi për realizimin e veprimtarisë i lëshuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës në gusht të vitit 2017.
Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka treguar se asokohe kishin dalë në terren dhe kishin përcaktuar perimetrin e mbrojtur në kuadër të Kalasë.
“Ne i kemi vendosur kufijtë me koordinata 100 metra larg mbetjeve të Kalasë. Kompania e ka zgjeruar rrugën kaluese. Pa leje, është thyer 100-metërshi. Ata kanë thënë se nuk e kanë ditur që është e ndaluar, por e kanë zgjeruar nga dy metra në katër metra”, ka thënë Rexha. Ka treguar se i kishte rekomanduar Inspektoratit që të ndërpritej puna. Ai ka thënë se ishin njoftuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Pejë, pasi kjo e fundit ishte njoftuar nga qytetarët.
“Kompania e ka bërë të qartë se nuk do të prekë në zonën e Kalasë”, ka thënë Rexha. Sipas tij, gjendja është nën monitorim dhe nuk do të lejohet që të cenohet perimetri i monumentit. Ka thënë se IAK-ja vazhdimisht ka qenë e gatshme të dalë në terren sa herë që është lajmëruar se ka zhvillime në atë zonë. Sipas shkresës së Inspektoratit, bëhet fjalë për kompaninë “Idila sh.p.k”. Gazeta ka provuar që të kontaktojë me pronarët në bazë të të dhënave që jep Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Personi që është lajmëruar ka thënë se e ka shitur kompaninë para rreth një viti dhe tash ajo ka pronarë të rinj./Koha.net
You must be logged in to post a comment Login