Abrashi premton ndërtimin e 20 sallave sportive në Prishtinë

0

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka prezantuar programin e tij për sport, në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e klubit “FC Prishtina”.

Abrashi  përmendi edhe kushtet në të cilët sportistët zhvillojnë ndeshjet. Duke premtuar përkrahje për klubet sportive si dhe ndërtimin e 20 sallave sportive, raporton Ekonomia Online.

“Ne synojmë ti ndërtojmë së paku 20 salla sportive nëpër lagje dhe fshatra të Prishtinës ku do të stimulojmë dhë të nxisim sportin rekreativ. Prishtina është projekt i imi, i Arbërit , i Prishtinës i qytetarëve i gjithë atyre që duan ta zhvillojnë Prishtinën”

“Të gjithë jemi dëshmitarë që klubet e Prishtinës stërvitjet i mbajnë jashtë Prishtinës, zhveshtorët i kanë në një lokacion tjetër jashtë Prishtinës dhe lojtë i mbajnë jashtë Prishtinës. E jona është të tregojmë që klubet e sportit të gjitha në Prishtinë do të kenë përkrahjen e komunës së Prishtinës , përkrahjen edhe financiare të Komunës së Prishtinës e përkrahjen në infrastrukturë”, tha Abrashi.

Në anën tjetër, presidenti i klubit “FC Prishtina” Remzi Ejupi tha se klubi i Prishtinës meriton vëmendje më të madhe duke bërë thirrje për mospolitizim të sportit.

“Është momenti i fundit që klubin e Prishtinës, mund ta quajmë klubin më të madh. Klubi i Kosovës jo vetëm i Prishtinës,  këto vitet e fundit është vërtetë për keqardhje se si është injoru. Në të ardhmen klubi i Prishtinës meriton një vëmendje ma të madhe. Ne nuk mund t’ ia ndërrojmë ngjyrat klubit të Prishtinës. Klubi është ky që është bardh e kaltër, dhe mendoj që në të ardhmën sa më pak  ta politizojmë sportin dhe të jemi sa ma shumë afër klubit për arsye se ky është një klub i krejt Kosovës dhe është klub i kryeqytetit që meriton një vëmendje shumë më të madhe”, tha Ejupi.