Gjykim

Zvarritje në gjykimin ndaj ish-inspektorëve të Prishtinës, prokurorja dyshon se dëshmitarja u përgatit nga të akuzuarit

Published

on

Dëshmitarja Miradije Rrustemi lidhur me incidentin që e kishte me prokuroren Drita Hajdari, thotë se kjo e fundit e pështyu dhe i tha “Puh Zoti të marroftë po mirë të paskan përgatit”.

Këtë deklarim, dëshmitarja Rrustemi e bëri në seancën e së premtes, në gjykimin ndaj katër ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës, Ismet Haliti, Mërgim Shala, Skender Canolli dhe Vehbi Abdullahu, të cilët po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Hajdari tha se ka dyshuar që dëshmitaren e kanë përgatitur, për shkak se në pyetjet relevante është përgjigjur që nuk i kujtohet dhe për këtë arsye thotë se ishte e detyruar ta ballafaqojë me deklaratën e saj të mëparshme.

Prokurorja shtoi se e shtyrë nga ky dyshim, ka dalë në korridor të gjykatës dhe e ka parë dëshmitaren të kapur për dore me të akuzuarin Abdullahu.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Hajdari, dëshmitarja deklaroi se kompetencë e saj në raport me inspektorët e ndërtimit ka qenë që raportet e punës së tyre në terren që ia kanë dërguar, të bëjë një përmbledhje të tyre.

Ajo tha se raportet e mbledhura i ka përmbledhur në mënyrë elektronike, ndërsa të printuara i ka dorëzuar tek shefi i sektorit Ismet Halitit, për shkak se nuk kanë pasur e-maila zyrtarë.

Dëshmitarja ka theksuar se raportet e inspektorëve kanë përmbajtur thirrjet që u kanë lënë palëve, procesverbalet në lidhje me atë rast, urdhërndalesat që kanë lëshuar dhe aktvendimet e rrënimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzë më 12 qershor të vitit 2015 me pretendimin se të pandehurit Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi, në pozitën e inspektorëve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, gjatë periudhës kohore 2010 – 2014, nuk i kishin përmbushur detyrat zyrtare sipas ligjit.

Dy nga të akuzuarit në këtë rast, Ismet Haliti dhe Skender Canolli ngarkoheshin edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, kurse për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve po akuzohej edhe biznesmeni Qemajl Pozhegu.

10 ish-inspektorët thuhet se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve Isen Sadiku nga kompania ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Bedri Prishtina, “Tregtia”, Shefik Rexhepi  “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të akuzuarit thuhet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve./Media Ndërtimi.

Ndërkaq, në këtë rast i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohej për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal./Media Ndërtimi.

Trending

Exit mobile version