Ndërtimi është kthyer në një nga sektorët kryesorë që po mbështet rritjen ekonomike, i nxitur nga shtimi i projekteve rezidenciale, vazhdimi i punimeve për rindërtimin pas tërmetit dhe investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve.
Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2021, ishte rreth 180 miliardë lekë (1.5 miliardë euro).
Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit zgjerues, dhe në vitin 2021 tejkaloi nivelin e 2008-s, kur janë dhe të dhënat më të hershme të publikuara nga INSTAT.
Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total u rrit me 0.6 pikë përqindje, në 9.6%, duke arritur në nivelin më të lartë që nga 2013-a.
Sektori u rrit me ritme dyshifrore në tre tremujorë (deri në 40% në tremujorin e dytë), me përjashtim të periudhës korrik-shtator, kur zgjerimi ishte njëshifror (4.9%).
Rritja e fortë vijoi dhe në tremujorin e parë të vitit 2022, me 25.5%.
Ndërtimi e mbylli vitin 2021 me rritje të fortë prej 19.4% (nga 1.81% vitin e mëparshëm), ndërsa aktiviteti i pasurive të paluajtshme u zgjerua me 8.9% (nga 5.5% vitin e mëparshëm të pandemisë).
Pjesa më e madhe e kompanive të ndërtimit raportuan zgjerim të ndjeshëm të të ardhurave, sidomos në sektorin rezidencial.
Për të dytin vit radhazi u shënua dhe një numër i lartë i hyrjeve të reja nga ky sektor në renditjen e “Monitor 200”, për shkak të rritjes së shpejtë.
Në vitin 2021 u shtuan në listën e “Monitor 200” edhe 9 subjekte të reja të lidhura me ndërtimin, duke e çuar në total në 42 sipërmarrje.
Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale po njeh rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit dhe kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme.
Ka vijuar zgjerimi edhe në hoteleri e turizëm, pas kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe kërkesës së lartë nga agjencitë e mëdha europiane turistike. Fshatrat turistikë vijojnë të mbeten një investim tërheqës për sipërmarrësit vendas, për shkak të kthimit të shpejtë dhe më me pak mundime, që ato kanë në raport me investimin në hoteleri.
Rritja e vazhdueshme e sektorit të ndërtimit ka nxitur dhe industrinë mbështetëse, që ka shënuar zgjerim të fortë për të dytin vit radhazi./Media Ndërtimi