Që nga e premtja qytetarët të cilët përdorin shërbimet e internetit të operatorit telefonik të Telekomit, “Vala” janë përballur me probleme në funksionim të tij.
Telekomi ka njoftuar se këto probleme janë për shkak të ndërrimit të platformave ekzistuese për zgjerim të kapacitetit.
Ata thonë se për shkak të kësaj janë afektuar shërbimet e internetit 2G dhe 3G, ndërsa janë duke punuar në tejkalimin e problemeve.
“Të premten, në kuadër të aktiviteteve për zgjerimin e kapaciteteve për rrjetin 4G, të cilat veçse janë rritur për rreth 25%, pati një afektim të pjesshëm në platformat e tjera të shërbimeve të internetit 2G dhe 3G. Sigurisht, kjo krijoi shqetësime të arsyeshme te konsumatorët tanë, shqetësime të cilat janë adresuar dhe është punuar e po punohet pa u ndalur për tejkalimin e plotë të tyre”- thuhet në njoftim.Sipas Telekomit, “fushatat joparimore” dhe “dramatike të porositura” nuk do të zhvendosin fokusin për rimëkëmbje të Telekomit të Kosovës.
“Njëkohësisht, është e qartë se fushatat joparimore dhe të porositura për interesa të caktuara, çfarëdo qofshin ato, nuk do të arrijnë të zhvendosin fokusin tonë nga rimëkëmbja e Telekomit të Kosovës, përmes një projekti gjithëpërfshirës të ristrukturimit dhe investimeve i cili tashmë është në fazën e implementimit. Efektet e këtij procesi do të vërehen qysh në muajt e ardhshëm”- deklaruan nga operatori telefonik, “Vala”.
Nga Telekomi kanë bërë të ditur se janë duke trajtuar me kujdes të gjitha ankesat e qytetarëve./Media Ndërtimi