Connect with us

Arkitekturë

Tërmeti në Shqipëri, sinjal edhe për ne në Kosovë

Published

on

Sali Spahiu, fotografi e marrë nga OralHistoryKosovo

Shqipërinë, në një pjesë të saj, me 26 nëntor 2019 e goditi rëndë një termet i fuqishëm. Ai la pas veti 51 viktima në njerëz, më së njëmijë të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. Pasojat e këtij tërmeti për Shqipërinë janë shumë afatgjate. Besoj dhe shpresoj se kjo tragjedi për te gjithë ne profesionistët që merremi me projektimin urbanistik arkitektonik dhe inxhinijerik do te jetë një sinjal serioz. Po ashtu, ky sinjal është shumë i rëndësishëm edhe për organet kompetente të Kosovës. Kjo ngjarje tragjike më dha edhe njëherë shkas që të shpreh opinionin tim lidhur me situatën në Kosovë e posaçërisht në Prishtinë. Uroj që këso tragjedi mos të ndodhin kurrë dhe askund.

Shkruan: Arkitekti Sali Spahiu (arkitekt i shumë ndërtesave emblematike në Prishtinë, sikur KosovaFilmi dhe Qendra Tregtare në Breg të Diellit)

Si qëndron puna te ne në Kosovë?

Sipas bindjes sime, natyrisht duke u bazuar në argumentet profesionale, mendoj se nuk është mirë. Pse? Sepse një kohë te gjatë e pas luftës së fundit në Kosovë nuk janë përfillë në masë të duhur normat, standardet, rregullat e ligjet që kanë definuar lëmin e ndërtimit. Ka shumë improvizime me pasoja të mëdha eventuale në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, tërmeti, në rast zjarri apo diçka tjetër. Pra, institucionet përkatëse nuk kanë vepruar si duhet dhe sa duhet. Profesionistët shpesh nuk kanë reaguar, ose kur kanë bërë ndonjë reagim, zëri tyre nuk është dëgjuar prej atyre që janë të thirrur për këtë gjë. Vet fakti që sot në Kosovë janë më tepër se 300 mijë ndërtime informale (sipas te dhënave zyrtare) flet shumë për situatën ku gjendemi, natyrisht dhe për sigurinë tonë. Në qytetin e Prishtinës siç dihet janë më tepër se dyzetmijë ndërtime pa leje. Ka shumë nën-ndërtime (bodrume, suteren e përdhese) të objekteve si dhe mbindërtimeve të tyre. E gjithë kjo paraqet një situatë të rëndë, alarmante e të rrezikshme për jetën tonë.

Para disa ditëve në gazetën e përditshme ‘’Koha Ditore’’ kolegu i nderuar Mentor Llunji e trajtoi në mënyrë shumë profesionale problemin e nën-ndërtimeve në Prishtinë. Ai në mënyrë shumë te argumentuar u shpreh për rrezikun që vjen nga intervenimet ne përdhese të objekteve në rast të ndonjë tërmeti eventual. Këso intervenime konstruktive, pa analiza, detaje dhe zgjidhje të duhura profesionale-inxhinierie ka pothuajse në tërë Kosovën e posaçërisht në zonën qendrore të Prishtinës. Kjo situatë duhet të trajtohet seriozisht. Përfitimet materiale nga legalizimi i më tepër se 300 mijë ndërtimeve ilegale ose thënë shkurt i këtij kaosi urban, Kosovës një ditë mund t`i kushtojë shumë shtrenjtë. Për këtë duhet menduar mirë. Për hir të së vërtetës, më duhet t`a njoftoj opinionin e gjerë se kohë pas kohe janë bërë disa reagime nga Asociacioni i Arkitekteve të Kosovës e në disa raste edhe nga kolegët tanë, por mjerisht pa rezultate të duhura. Kjo më bënë të dyshojë se për interesa të ndryshme ka munguar ndryshimi i gjendjes dhe vendimmarrja e duhur. Këtë që e shpreha më lartë, dëshiroj t`a argumentojë me disa fakte duke u kthyer në një të kaluar të largët (për të nxjerr mësim) që ndoshta sot mundë të ndikoj në ndërmarrjen e hapave të duhur.

Në qershor të vitit 2000 (atëherë kur filloi kaosi urban), pra para dy dekadave, unë dhe Kryesia e Asociacionit të Arkitekteve të Kosovës e lëshuam një Deklaratë për opinionin dhe institucionet përgjegjëse, përmes së cilës kemi bërë apel që urgjentisht të merren masa të nevojshme për parandalimin e këtyre dukurive negative që sa po kishin filluar të marrin hov. Është e vërtetë që në atë kohë në Kosovë vepronte UNMIK-u, por edhe administrata vendore është dashtë të reagojë duke e ditur se UNMIK-u një ditë do ta lëshojë Kosovën e pasojat do të mbesin. Kjo nuk ndodhi sepse interesat e ndryshme dolën se ishin më të fuqishme se argumentet tona profesionale. Në shtator të vitit 2000 Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës na ftoj të marrim pjesë në “Shqyrtimin e stabilitetit të mbindërtimeve”. Natyrisht se reagimi jonë ishte negativ, pasi që këto mbindërtime ishin bërë kryesisht pa analiza të duhura profesionale që për pasojë mund të kenë sigurinë e banorëve në këto objekte. Po ashtu në shtator të vitit 2000, kur u mbajt takimi “Vizioni për Prishtinën 2000-2005”, unë si përfaqësues i Asociacionit tonë, kërkova dhe insistova në respektimin e të gjitha konventave ndërkombëtare të bazuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe në deklaratat e vendimet shumë të rëndësishme e eminente të arkitektëve botëror.

Në prill të vitit 2001, Asociacioni jonë reagoi pranë HABITATIT me kërkesë që të vënë rregull në hapësirën e Kosovës duke aplikuar ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Mendoj se edhe institucionet tona në atë kohë është dashtë të bashkëveprojnë me UNMIK-un në parandalimin e kësaj gjendje. Jam shumë i vetëdijshëm që reagimet tona të cilat sot po i përmendi pas dy dekadave dikujt mund t’i duken “qesharake”, por në atë kohë këto ishin mundësitë tona, për të reaguar, por të cilat mjerisht nuk dhanë rezultate. Gjendjen në hapësirë sot e kemi shumë më të keqe. Fatin tonë sot kemi mundësi t’a vendosim vet ne, por nuk po sillemi në mënyrë të duhur dhe racionale. Hapësira në Kosovë është degraduar skajshmërisht. Urbanizmi në qytetet e lagjet tona në shumë raste nuk posedon as minimumin e vlerave humane, por mirret kryesisht me koeficient të ndërtimit në vend të aplikimit të rregullave humane të urbanizmit. Edhe hapësira është resurs që shpenzohet. Këtë resurs shumë të çmueshëm nuk kemi të drejt që ta shpenzojmë vetëm ne. Duhet menduar edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh. Në këtë rast më duhet të shpreh disa opinione të mia lidhur me disa veprime profesionale shumë komplekse e të rëndësishme që reflektojnë në sigurinë tonë, mes tyre, po përmendi disa:

-Planifikimi hapësinor dhe urbanistik

-Projektimi i objekteve

-Ndërtimi i objekteve

-Mbikëqyrja profesionale e ndërtimit

-Certifikimi i përdorimit të objekteve

Për të gjitha këto pika do të ndalem shkurtimisht:

PLANIFIKIMI HAPËSINOR DHE URBANISTIK

Planifikimi hapësinor është “kushtetuta e dytë e një vendi” (kështu thoshte i ndjeri Prof. Arkitekt Bashkim Fehmiu). Këtë planifikim shumë të rëndësishëm për një vend duhet t’a koordinojnë dhe të mbikëqyrin institucionet me të larta dhe vendimmarrëse të Kosovës. Për këtë temë mund të flitet edhe të shkruhet shumë. Ne shoqërinë tonë kjo gjë është shumë e rëndësishme, por konsideroj se akoma nuk po trajtohet sa duhet.

Planifikimi urbanistik shpesh e përcakton sigurinë e jetës në qytet ose në një pjesë te tij. Këtë planifikim i cili në esencë është multidiciplinar, mund t’a bëjnë vetëm profesionistët me përvojë e referenca të dëshmuara, e jo tenderi më i lirë ose ata që profesionin e kanë shndërruar në tregti.

Për të gjithë ne, si dhe për ata që marrin vendime në emrin tonë është turp që lagjet e planifikuara dhe te ndërtuara para shumë viteve, nga aspekti urban, të jenë shumë më të mira dhe më humane për jetë se ato të sotmet. Këtu mendoj për lagjen Ulpiana (1960), Dardania (1973), Kodra e Diellit (1980), etj. Këto lagje posedojnë shumë më shumë vlera hapësinore, urbane dhe ambientale se disa lagje të reja të Prishtinës, që disa njerëz kanë dëshirë t’i quajnë se janë të planifikuara me “Norma e standarde evropiane”. Çfarë ironie? Pse po them kështu? E them, sepse në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës ka lagje ku nuk mund të depërtojnë ose intervenojnë automjetet e zjarrfikësve, e mos të flasim për insolim të nevojshëm, hapësira të lira e me gjelbërim, parkingje, etj. etj. Kjo dukuri nuk ka lidhje me urbanizëm, por vetëm për përfitime materiale, ku të gjitha rregullat, normat, standardet e ligjet “bien në ujë”.

Pra, edhe këtu dështojnë institucionet që janë të obligueshme t’i rregullojnë këto çështje dhe të kujdesen për sigurinë e qytetarëve të saj.

Në Prishtinë pas luftës, por edhe në gjithë Kosovën janë hartuar (me tender të lirë ) shumë plane rregulluese. Shkurtimisht do të ndalem në dy prej tyre: Në vitin 2010 isha anëtar i Komisioneve për opinion profesional të lagjes së Muhaxherëve dhe bllokut “B” në Lakrishte. Në të dy rastet ne si komision vërejtëm shumë mangësi dhe lëshime profesionale. Në raportet tona me shkrim i cekem këto lëshime dhe raportet i dorëzuam organeve kompetente të Komunës së Prishtinës, me vërejtje për pasojat e këtyre planeve ne aspektin urban, infrastrukturor, mjedisor, të sigurisë, etj., etj.

Për lagjen e Muhaxherëve, komisioni pati sugjeruar korrigjim rrënjësor të konceptit të tij ose shpallje të konkursit për plan të ri, po ashtu në çdo variantë rekomanduam reduktim të etazhitetit (lartësisë) së objekteve, duke ndërtuar objekte të përshtatshme për këtë hapësirë dhe këtë konfiguracion. Natyrisht, ne këtë raport kërkuam më shumë sipërfaqe të lira e me gjelbërim për banorët. Tani, besoj se të gjithë e dini mirë se këtu sot po ndërtohen objekte shumë të larta, të cilat cenojnë vlerat më elementare të urbanizmit. Në bllokun urbanistik “B” të lagjes Lakrishte (që në opinion njihet si ish-kompleksi i fabrikës “Fazita”, “NAPREDAK” etj.), është në realizim, ky bllok me shumë objekte të cilat kanë destinim të ndryshëm. Ky kompleks me objekte shumë të larta si pasojë e koeficienteve të ndërtimit, ndër tjera ka kushtëzuar distanca të vogla mes objekteve duke cënuar dukshëm funksionet vitale siç janë: banim kualitativ, hapësirat e lira dhe me gjelbërim, insolim i objekteve, hapësirat publike dhe përmbajtjet tjera në kompleks, pastaj mjedis cilësor dhe siguria e domosdoshme për qytetarët.

Natyrisht, edhe për këtë bllok kemi dhënë shumë sugjerime dhe rekomandime profesionale, pasi siç e dijmë kjo hapësirë sot paraqet një tërësi e cila është dashtë të trajtohet në mënyrë shumë më reprezentative për kryeqytetin tonë e jo të paraqet një grumbull të objekteve të larta siç duket sot. Për këtë qëllim komisioni pati propozuar dhe rekomanduar të shpallet konkurs anonim për zgjidhje ideore urbanistiko-arkitektonike. Këtë vendim është dashtë t`a marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës qysh në vitin 2010 kur nuk ka qenë e mundur të ndalet për një kohë realizimi i këtij blloku. Planet rregulluese të cilat i përmenda më lartë janë duke u realizuar. Pasojat e vërteta në funksionimin e tyre do të shihen më vonë. Uroj që të jem gabim. Në një rast Winston Churchill pati thënë: “Na së pari i modelojmë objektet e pastaj ato na modelojnë (ose ndryshojnë) neve. Nuk ekziston asnjë gjë e cila ka më shumë ndikim në ne, e që i para përcakton mendimet tona, se sa lagjja ku jetojmë, sepse vazhdimisht jemi nën ndikim të mjedisit që na rrethon e në të cilin jetojmë”.

SI PO PROJEKTOHET?  

Procesi i projektimit në esencë është proces shumë kompleks, dhe kërkon shumë dije dhe përvojë. Sot në Kosovë çdokush projekton, por mjerisht askush ose shumë pak i kontrollon këto projekte në fazën e projektimit, pra para se të dorëzohet dokumentacioni për leje ndërtimi. Ligji aktual i ndërtimit nuk parasheh REVIDIM të projektit. Absurd shumë i madh. Si pasojë në shumë raste kemi dokumentacion projektues me shumë lëshime serioze në aspektin e aplikimit, të rregullave, normave, standardeve, ligjeve, etj. Natyrisht kjo reflekton në urbanizëm e arkitekturë dhe në ndërtimin e objekteve. Ka edhe raste shumë pozitive të objekteve me arkitekturë që shprehin trende aktuale në Evropë dhe botë por janë shumë të veçuara e nuk vijnë në shprehje të duhur në këtë kaos urban, të cilin për hir të së ardhmes tonë duhet ndalur me çdo kusht.

SI PO NDËRTOHET?

Ndërtimi i objekteve është i lidhur ngushtë me projektim dhe mbikëqyrjen e tyre të mirëfilltë dhe profesional. Në shumë raste kompanitë tona ndërtimore brenda tyre kanë projektuesit e vet me të cilët shpeshherë dirigjon pronari i kompanisë, natyrisht duke i mbrojtur interesat e veta materiale te cilat shumë herë reflektojnë negativisht në kualitet të punimeve dhe në sigurinë e objekteve. Ka edhe ndërtime kualitative dhe shumë të mira, por dukshëm më pak. Ka raste, kur ndërtimet e sotme po shkaktojnë dëmtim në infrastrukturë rrugore e teknike dhe në objekte tjera në afërsi të punishtes duke rrezikuar sigurinë e tyre dhe të banorëve. Kjo ka ndodhur disa herë në Prishtinë, ngase organizimi dhe masat e nevojshme të sigurisë në punishte improvizohen ose aplikohen vetëm simbolikisht. Inspekcioni ndërtimor ka rol të veçantë , por këtë punë nuk mundë të kryejnë vetëm 5 inspektorë (sipas drejtorit të Inspektoratit z.Adonis Tahiri). Për qytetin dhe Komunën e Prishtinës mendoj se edhe 50 inspektorë janë pak.

MBIKËQYRJA PROFESIONALE

Mbikëqyrja e mirëfilltë dhe profesionale gjatë ndërtimit të objekteve është tepër kruciale. Sa jam në dijeni ligji aktual i ndërtimit këtë punë ia kanë lënë Drejtorive të Urbanizmit dhe Ndërtimit. Pajtohem se kjo ide është shumë e mirë, por nuk besojë se çdo komunë e Kosoves i ka të gjitha kuadrat e nevojshme dhe me përvojë të duhur për mbikëqyrje. Nga kjo rezulton se ky nen i këtij ligji vështirë mund te aplikohet, madje edhe në Prishtinë. Si pasojë e mos mbikëqyrjes së rregullt të punimeve dhe përvojës jo të duhur, mund të kemi lëshime serioze e më pasoja.

CERTIFIKIMI I OBJEKTEVE

Certifikimin e objekteve për përdorimin e tyre mund t’a bëjnë vetëm ekspertet me përvojë duke u bazuar në rregullativën ligjore. Pra, pranimi teknik i tyre (që nihet në opinion) ose certifikata e përdorimit lëshohet vetëm atëherë kur ndër të tjera, konstatohet se:

  • Janë përfunduar të gjitha punimet sipas projektit dhe lejes ndërtimore
  • Janë përfunduar punimet në rregullimin e jashtëm
  • Janë siguruar masat e nevojshme për persona me nevoja të veçanta
  • Janë marrë masa mbrojtëse kundër zjarrit, etj.

Jam shumë i bindur se në mungesë të pranimit teknik, një numër i madh i objekteve në Prishtinë, por edhe në Kosovë nuk e posedojnë këtë certifikatë shumë të rëndësishme. Mendoj se kjo duhet të bëhet urgjentisht, pasi kemi të bëjmë me sigurinë e përgjithshme. Për këtë, organet kompetente duhet të veprojnë, duke u bazuar në autorizimet e veta ligjore.

SI TË VEPROHET PËR T`A NDRYSHUAR GJENDJEN?

Më këtë shkrim ka qenë e pamundur të përfshihen të gjitha dukuritë që sot na shqetësojnë neve. Por, jam munduar qe në mënyrë kronologjike dhe bazuar edhe në gjendjen aktuale të përfshijë disa probleme me te cilat duhet të merren organet kompetente te Kosovës dhe të Prishtinës.

Sinjalet që profesionistët i kanë dhënë kohë pas kohe, duke filluar para 20 viteve për këtë të keqe, nuk kanë dhënë rezultatete, pasi kanë dominuar interesa të ndryshme.

Jam i bindur se gjendjen do t’a kishim më të mirë , sikur qysh në atë kohë të ishte vepruar. Sot ka ardhur koha (por shumë vonë) që organet kompetente të pushtetit të marrin vendime të shpejta dhe të drejta në ruajtjen e interesave tona afatgjate. Në raste të caktuara, nuk duhet përjashtuar edhe metodën e MORATORIUM në disa plane.

Angazhimi i përhershëm i ekspertëve me referenca profesionale në çdo fazë të planifikimit dhe projektimit është imperativ i kohës. Mendimet dhe vendimet e drejta e të argumentuara të ekspertëve duhet respektuar. Kështu vepron çdo shoqëri që synon progres dhe zhvillim.

Përgjegjësia e jonë është e karakterit universal. Ne duhet të krijojmë hapësira dhe ambiente më vlera dhe siguri të nevojshme për njeriun. Këto vlera, sot janë të mbështetura në shkallen më të lartë që ka arritur civilizimi njerëzor.

Përmisimi i kualitetit të jetës për të gjithë njerëzit, duhet të jetë qëllimi primar. Kjo mund dhe duhet të shprehet në të gjitha planet dhe projektet tona.

Arkitekturë

“Pavijoni 3-minutësh” që eksploron mbetjet dhe mungesën e materialeve në Trienalen e Sharjah 2023

Published

on

Trienalja e Arkitekturës Sharjah u hap më 11 nëntor 2023, me temën “Bukuria e Përhershmërisë: Një Arkitekturë e Përshtatshmërisë”.

Sharjah është qyteti i tretë më i populluar në Emiratet e Bashkuara Arabe)

Kuruar nga Tosin Oshinowo, programi u fokusua shumë në Jugun Global dhe modelet alternative që rajoni mund të ofrojë në të ardhmen.

Si pjesë e Trienales, pavioni “Korridori 3-minutësh” nga WallMakers eksploron mbetjet tona në një shkallë globale, duke eksploruar metodologjitë e ripërdorimit të materialit.

Vëllimi i mbetjeve që po grumbullohet në ekosistemet tona, duke pasur një efekt si në tokë ashtu edhe në oqeane, është një shqetësim global. Brenda kësaj mase, gomat përbëjnë rreth 2% të mbetjeve në botë dhe konsiderohen si shumë të rrezikshme. Në fakt, vetëm rreth 30 milionë nga rreth 280 milionë goma që hidhen çdo vit në nivel global riciklohen ose përdoren përsëri.

“Pavilioni 3-minutësh” nga WallMakers sugjeron që këto goma të ripërdoren në ndërtesa duke përdorur teknikën “Masoneria e gomave dhe rëra e pastabilizuar”. Duke e shfaqur atë si një material ndërtimi të fortë dhe të besueshëm kur mbulohet me suva balte, kjo qasje kërkon të ofrojë një alternativë ndaj mungesës aktuale të burimeve të ndërtimit.

Struktura e ngjashme me kupolën shërben si një paraqitje vizuale e krijuar nga gomat e hedhura. Në fakt, ekspozita synon të frymëzojë reflektimin mbi sasinë e madhe të mbetjeve të prodhuara çdo ditë nga njerëzit – ekuivalente me 684,931 goma. I ndërtuar nga gomat e vitit 1425, pavioni përfaqëson sasinë masive të mbetjeve të prodhuara çdo ditë, si dhe mundësinë që këto materiale të mund të shndërrohen në zona të banueshme.

I mbledhur nga vende të ndryshme depozitimi në Sharjah, pavioni është montuar me këto goma dhe më pas ato janë të mbushura me rërë të shkretëtirës—një burim gjerësisht i disponueshëm që shpesh mendohet i papërshtatshëm për ndërtim.

Me qëllimin e krijimit të dhomave të izoluara termikisht, kjo qasje moderne e muraturës synon të tregojë se është e mundur të ndërtohen struktura nga këto materiale.

Për më tepër, pavijoni eksploron thatësinë e Sharjah dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, duke pretenduar se këto zgjidhje materiale nuk do të kenë nevojë për ftohje aktive për të arritur rehati termike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Arkitektura shqiptare brenda një shekulli

Published

on

Qytetet shqiptare me fizionomi mesjetare fillojnë t’i nënshtrohen studimeve të mirëfillta urbanistike të realizuara nga arkitekte austro-hungreze të cilat tentonin t’i jepnin qyteteve shqiptare pamjen e qyteteve evropiane.

Me 1920 Tirana shpallet kryeqytet i Shqipërisë dhe qeveria e Fan Nolit vendos t’i japë qytetit pamjen dinjitoze të një kryeqyteti evropian i cili duhet të ishte njëkohësisht dhe qendër administrative. Për këtë arsye projektohet për herë të parë sheshi në qendër të qytetit (sheshi Skenderbej) ku u hodhën njollat e para të godinave qeveritare, si dhe aksi historik Veri-Jug i bulevardit te madh, në të cilin bën pjesë ky shesh, dhe që ka autor ing. Eshref Frasherin, ministër në qeverinë e Fan Nolit, se bashku me dy autore të tjërë ; njeri italian Chiaravelli dhe tjetri austriak Ëeiss.

Mbreti Zog i dha një rëndësi të madhe planeve rregulluese të qyteteve kryesore të vendit, një pjesë e të cilave gjeti zbatim. Më 1930 në Tiranë fillon zbatimi i bulevardit të madh i quajtur bulevardi “Mbreti Zog”, dhe ndërtimi i ministrive.

Gjithashtu zgjerohen rrugët kryesore të qytetit dhe përcaktohet kufiri i qytetit. Më 1931 kufiri i kryeqytetit brenda shkruante një sipërfaqe prej 600 ha, dhe përcaktoheshin zonat e zhvillimit në perspektivë, si p.sh. zona industriale, e banimit, e gjelbëruar etj.

Në këtë periudhë autorët e planeve rregulluese janë arkitektët austriakë, ku veçojmë arkitektin Kohler.

Ne periudhën e pushtimit nga Italia fashiste pas 1939, arkitektët italianë rishikojnë të gjitha planet rregulluese të qyteteve kryesore ose i bëjnë nga fillimi. Arkitektura dhe Urbanistika në këtë periudhë është racionale, pra e tipit fashist.

Dallohet kompleksi i “sëpatës se liktorit“ ne fund te bulevardit kryesor të Tiranës i përbërë nga Stadiumi, zyrat Fashos (tani UT) dhe dy godinat anash bulevardit Arkitektet italiane ku veçohet arkitekti Gerardo Bosio, Ivo Lambertini dhe Ferdinando Poggi kanë realizuar hartimin e planeve rregulluese të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Petreles, Sarandës etj, në të cilat përveç arkitekturës dhe urbanistikes racionale, respektohet psikologjia dhe tradita e shqiptarit të lidhur me pronën private etj.

Ato e projektuan Tiranën sipas karakterit ekstensiv me vila private, duke ruajtur zonat historike në qendër me xhamine, teqen, kullën e sahatit, te cilat merren si pika referimi. Planet rregulluese të qyteteve shqiptare të vitit 1942 të realizuara nga arkitektet italiane janë marrë për bazë në linjat e tyre kryesore në planet rregulluese mbas çlirimit.

Ndërtesat e komunizmit në Tiranë “bashkëjetojnë” me metropolin modern

Modeli komunist në aspektin e ndërtimeve u ndoq paralelisht me ndërtimin masiv të pallateve, por edhe të disa prej objekteve të mëdha dhe të njohura që janë trashëgimi e regjimit komunist dhe që dëshmojnë influencën e regjimit në arkitekturë.

Pas çlirimit të Shqipërisë në nëntor të vitit 1944 nga pushtuesit nazi-fashistë, institucionet e regjimit diktatorial filluan të projektojnë dhe ndërtojnë qytetet me ndërtesat e stilit komunist, duke përfshirë objektet e banimit, institucionet kulturore dhe ndërtesat e institucioneve të rëndësishme shtetërore, shkruan Anadolu Agency(AA).

Ndërtesat e periudhës së regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha sot gjenden në çdo qytet të Shqipërisë, por për shkak të hapësirës më të madhe të qytetit dhe statusit si kryeqytet, këto lloj objektesh gjenden më shumë në Tiranë, që edhe sot u kanë rezistuar zhvillimit urban dhe arkitekturës moderne të ndërtimeve.

Këto ndërtesa vazhdojnë të përdoren për qëllime të ndryshme, si pallate banimi, objekte për institucionet e shtetit shqiptar, për qëllime kulturore, por disa edhe janë shkatërruar apo braktisur, sidomos uzina, apo godina të ish-reparteve ushtarake.

Në Tiranë spikasin sidomos pallatet e banimit, të ndërtuara me parafabrikat, por edhe ndërtesa të tjera me tullat e bardha dhe të kuqe, të vendosura në zona pranë qendrës së Tiranës, por edhe në lagjet më të njohura të kryeqytetit, si dhe godina të tjera njohura që përdoren nga institucionet.

Pas përmbysjes së regjimit komunist në vitin 1991, në Shqipëri shumë ndërtesa që ishin ndërtuar gjatë periudhës komuniste u shkatërruan, sidomos fabrikat, por objektet e banimit pothuajse rezistuan, duke u rikonstruktuar, por edhe duke u ruajtur në formën e dikurshme.

Procesi i transformimit të ndërtesave dhe pallateve që ishin ndërtuar gjatë regjimit komunist i dha kryeqytetit një pamje të re, pasi pas vitit 2000, ish-kryebashkiaku i Tiranës, kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, realizoi projektin e ngjyrosjes së fasadave të këtyre ndërtesave, duke krijuar një “bashkëjetesë” mes zhvillimit urban modern dhe arkitekturës së godinave të periudhës së komunizmit.

Tirana ndryshoi ngjyrat e shumë fasadave të pallateve që i përkisnin regjimit komunist, sidomos në sheshet dhe rrugët kryesore, duke i përshtatur këto ndërtesa, me zhvillimin urban dhe ndërtesat moderne të metropolit shqiptar të ndërtuara në dekadat e fundit.

Ngjyrat që mbizotërojnë edhe sot në këto ndërtesa të transformuara janë e kuqja, e verdha, blu, jeshile dhe portokalli, duke iu dhënë në këtë mënyrë pallateve të ndërtuara gjatë regjimit komunist një “identitet” të ri./Media Ndërtimi

Continue Reading

Arkitekturë

Si të përfitoni sa më shumë nga tavanet me dy lartësi në arkitekturën e banimit

Published

on

Tavanet me dy lartësi, që zakonisht gjenden në muze dhe magazina industriale për të akomoduar objekte të mëdha, ofrojnë avantazhe estetike dhe funksionale.

Ky koncept përkthehet pa probleme në dizajne banimi, ku këto tavane shpesh vendosen në mënyrë strategjike pranë zonave sociale ose shkallëve. Duke vepruar kështu, ato përmirësojnë hapësirën e përgjithshme, rrisin ndriçimin dhe shtojnë një ndjenjë mbresëlënëse të lartësisë. Në këtë kontekst, ne paraqesim shembuj për të ilustruar se si të maksimizoni përfitimet e tavaneve me dy lartësi në shtëpinë tuaj.

Në arkitekturë, tavanet me dy lartësi i referohen hapësirave ku distanca midis dyshemesë dhe tavanit është dukshëm më e madhe, shpesh dyfish, krahasuar me lartësinë standarde të dhomës. Në mënyrë tipike, shtëpitë kanë tavane standarde që variojnë nga 2.5 në 2.7 metra.

Në të kundërt, dhomat me tavane me lartësi të dyfishtë mund të arrijnë lartësi 4,5 metra ose më shumë, duke krijuar një brendshme më të shtrirë dhe tërheqëse vizualisht.

Kjo zgjidhje mund të jetë sfiduese për disa arsye, si arritja e ekuilibrit vizual në dekorimin e hapësirës, ​​e cila mund të duket në mënyrë disproporcionale e zbrazët, ose rritja e kostove të ftohjes sepse ka më shumë ajër për t’u ftohur brenda së njëjtës hapësirë.

Pavarësisht këtyre sfidave, ka shumë përparësi dhe mënyra për të përfituar nga lartësia e ofruar.

Një nga mënyrat më të mira për të përfituar nga tavanet me dy lartësi është duke krijuar një lidhje midis niveleve të ndryshme të shtëpisë. Kjo lidhje mund të marrë formën e qarkullimit vertikal, si një shkallë, duke përfshirë lëvizjen e trupit si një element kyç në perceptimin hapësinor.

Përndryshe, kat i ndërmjetëm ofrojnë një rrugë tjetër për komunikimin vizual midis niveleve të ndryshme. Këto teknika ofrojnë këndvështrime të ndryshme nga brenda së njëjtës hapësirë, duke e drejtuar shikimin lart drejt qiellit ose majave të pemëve, pamje që nuk janë gjithmonë të dukshme nga kati përdhes.

Ngritja ose projektimi i hapjeve në një mënyrë zenitale rrit depërtimin e dritës natyrale me cilësi të lartë. Duke krijuar dizajne që lejojnë hyrjen e tërthortë të dritës, mund të arrihen një sërë tonesh dhe ndjesish gjatë gjithë ditës, duke u përshtatur me ciklin diellor dhe duke forcuar lidhjen midis hapësirave të brendshme dhe të jashtme. Për më tepër, dritaret e pozicionuara në nivele më të larta ndihmojnë në ajrosjen e tërthortë, duke mbajtur në mënyrë efektive një temperaturë të rehatshme pa u mbështetur në pajisjet mekanike./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending