Connect with us

Aktuale

Tensioni në ajër mes Kurtit e “Contour Global”, që i plotësoi pa mund premtimin kryeministrit

Published

on

Muaj më parë ishte raportuar se fillimi i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” do të ishte në Mars. Mirëpo, 17 marsi doli të jetë data kur amerikanët e Contour Global vendosën të tërhiqeshin nga projekti i termocentralit “Kosova e Re”, që ka filluar jo më vonë se në vitin 2006, për të ardhë në përfundim për një prodhim me kapacitet 500 MW. Si me porosi, kjo i lehtësoi punë kryeministrit Albin Kurti, që mos të fillonte procedura të shumta për të anuluar këtë projekt.

Edhepse shumë e shumë vite ka pasur përpëlitje për këtë projekt, që nga koha kur vetëm se doli në publik që amerikanët e Contour Globalit do e marrin “Kosovën e Re”, kockë e fortë ishte Vetëvendosja. Lideri i saj, Albin Kurti ishte shumë i qartë, nuk e dontë këtë projekt, pasi sipas tij, i bënte dëm vendit. Gjithmonë këto dy palë kishin tension në ajër, ku amerikanëve në krah u rrinin edhe partitë e koalicionit qeverisës, PAN.

“Të njëjtën ditë kur ia dyfishoi pagat qeverisë dhe kabinetit të vet, më 20 dhjetor 2017, Haradinaj nënshkroi edhe kontratën me Contour Globalin për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’. Sipas kësaj kontrate të dëmshme e të frikshme, nuk do të punojë Contour Global për Kosovën dhe qytetarët e saj, por ne do të punojmë për Contour Globalin”, kishte shkruar Kurti, gati para një viti.

E sot në tërheqjen e tyre, Contour Global tregon se një nga arsyet e tërheqjes është edhe “arsyeja politike”.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga Contour Global, duke shtuar se “siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”.

Një nga ekonomistët që Vetëvendosje e vë në ballë të debateve, por që debatonte kundër kësaj kontrate edhe para futjes në VV, është Hekuran Murati. Ai nuk vonoi të shpërndante komunikatën e botuar në Reuters, dhe të shkruante se tash duhet nisur puna në TC “Kosova A”.

“Tash s’duhet me humb kohe, por me fillu sa me shpejt rindertimin e TC Kosova A. Ekonomise tone i duhet furnizim i qendrueshem me rryme, dhe me cmim te perballueshem”, shkruan Murati. Ai, i kontaktuar nga Ndertimi.info, ka thënë se mund të referohemi në atë që ka shkruar në Facebook, asgjë më shumë.

Aty shihet se nga propozimet që bëjnë disa komentues, Murati këmbëngul se “Kosova A është opsioni ma i lirë në cfarëdo skenari”.

I pavonuar ka qenë reagimi i këshilltarit të presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, që e quan gjithë këtë si rezultat i kërcënimeve ndaj amerikanëve, nga Qeveria e Kosovës.

“Kërcënimet e Qeverisë së Kosovës kundër investimeve amerikane sot morën formë. Kompania amerikane që planifikojë t’i investojë mbi 1.5 miliardë euro në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, sot u tërhoq nga ky investim, për shkak të kundërshtimit të Qeverisë Kurti”, shkruan Behrami. Ai thotë se me këtë projekt Amerika ka synuar që të na jepte pavarësinë e Kosovës nga Serbia e Rusia në sektorin energjetik.

14 arsyet e Kurtit pse “CONTOUR GLOBAL” s’punon për Kosovën

Kryeministri i tashëm i Kosovës, teksa ishte lider i opozitës me Lëvizjen Vetëvendosje, kishte numëruar 14 arsyet pse Contour Global s’punon për Kosovën, që mund t’i lexoni më poshtë.

  • Kostoja e ndërtimit u ngrit nga një miliard euro në 1.3 miliard euro, e kjo rritje do t’i faturohet popullit, madje me kamatë
  • Shkalla e kthimit të brendshëm në kapital për Contour Globalin është garantuar në plot 18.5%, në kohën kur bankat paguajnë më pak se 1% interes në depozitat e qytetarëve;
  • Republika e Kosovës do t’ia paguajë Contour Globalit të gjitha shpenzimet, plus këstet e kredisë, kamatën, fitimin, e në fund edhe tatimin në fitim;
  • Për një periudhë 20 vjeçare, qytetarët do të paguajnë 5 deri në 7 miliardë euro për këtë marrëveshje;
  • Për t’ia siguruar këto të hyra Contour Globalit, Qeveria ka krijuar një kompani të re publike, Neë Kosovo Electricity Company, e cila do të blejë detyrimisht çdo MWh të prodhuar të Contour Globalit, pavarësisht se a kemi nevojë për të ose jo;
  • Contour Globalit i është siguruar blerja pa limit e energjisë së prodhuar, madje me çmim 20% më lartë se 80 euro për MWh për çdo MWh të prodhuar më shumë;
  • Kur të fillojë ky termocentral punën, do të mbyllet Kosova A dhe punëtorët do të mbeten pa punë;
  • Contour Globalit i është dhënë prioritet i shitjes së energjisë krahasuar me KEK-un ani se me çmim më të shtrenjtë, gjë që e bën TC ‘Kosova B’ prodhues që punon me gjysëm orari, si kapacitet rezervë, e kjo nënkupton edhe më shumë punëtorë që mbeten pa punë;
  • KEK-u është i obliguar që t’i sigurojë Contour Globalit hapësirat për deponim të hirit dhe gipsit, pa asnjë cent kompensim, tërësisht falas;
  • Contour Globalit ia japim 15 hektarë tokë për 10 euro gjithsej;
  • Me këtë kontratë krijohet një monopol i përkrahur nga shteti, që bie në kundërshtim me vetë Kushtetutën e vendit dhe paraqet edhe shkelje të MSA-së;
  • Janë shkelur së paku tri ligje nga kontrata me Contour Globalin: Ligji për Ndërmarrjet Publike, Ligji për ZRrE-në dhe Ligji për Prokurimin Publik;
  • Vetëm pas 20 viteve, TC ‘Kosova e Re’ do t’i bartet në pronësi Qeverisë së Kosovës.
  • Në rast të shkëputjes së kontratës para fillimit të zbatimit, Kosova ndëshkohet me 19.7 milionë euro, ndërsa po e bëri këtë Contour Globali me 8 milionë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Aktuale

Dëshmon Haradinaj në rastin e njohur si 53-milionëshi

Published

on

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj do të dëshmojë në rastin e njohur si 53-milionëshi, në të cilin është i akuzuar bashkëpartiaku i tij, Pal Lekaj dhe të tjerë.

Në këtë rast të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri. Haradinaj, është dëshmitar i propozuar nga mbrojtja.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Inspektorati i Kryeqytetit gjobit për mosrespektim të urdhrit të ndërtimit në Lagjen Bregu i Diellit

Published

on

Inspektorati i Kryeqytetit njofton gjithë opinionin se ka zhvilluar procedurat inspektuese lidhur me rastin e publikuar nëpër disa medie dhe rrjete sociale që ndërlidhet me sanimin- rinovimin e një Pullazi – Kulmi në lagjen “Bregu I Diellit” i cili ishte i dëmtuar nga zjarri.

Inspektorati ka urdhëruar palën që të sanoj gjendjen përkatësisht pjesët e dëmtuar nga zjarri duke respektuar formën, lartësinë dhe gjitha pozicionet e mëparshme ndërkaq për mosrespektim të urdhrit të inspektoratit të ndërtimit i njëjti me dt.18.09.2023 me procesverbal ka urdhëruar palën që kulmin të kthej në gjendjen e mëparshme dhe ka shqiptuar gjobë mandatore për shkeljet e gjetura.

Në ditët në vijim inspektorati i ndërtimit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore duke eliminuar të gjitha shkeljet e bëra nga pala në këtë rast./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Tjetërsimi i pronës 10 milionëshe, i vazhdohet edhe për dy muaj arresti shtëpiak të dyshuarit

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e arrestit shtëpiak të dyshuarit Afrim Gashi, i cili u arrestua pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi“, nën dyshimin për tjetërsimin e pronës në Veternik, në vlerë rreth 10 milionë euro përmes dokumentit të falsifikuar.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqekolla-Sadiku.

Ndryshe, Policia e Kosovës më 25 gusht njoftoi për arrestimin e të dyshuarit, në bazë të urdhëresës së gjykatës.

“Policia e Kosovës, respektivisht Sektori për Hetime Financiare nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), me datë 25.08.2023 ka zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente me ç ‘rast është realizuar kontroll në dy lokacione të ndryshme, në një shtëpi dhe në një lokal, nën dyshimin se janë shfrytëzuar për përpilimin e dokumenteve të falsifikuara”, thuhej në njoftim.

Prokurorja e rastit, Nebahate Salihu e kishte konfirmuar se bëhet fjalë për pronën në Veternik, rast ky që është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” kishte hulumtuar se si një pronë në Veternik  dyshohet se përmes legalizimit të përmbajtjes së rreme dhe mashtrimit, iu është marrë palëve Nexhat dhe Gursel Sadiku, duke kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar te djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe po hetohet.

I dyshuari Gashi ishte ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Legalizimi i përmbajtjes se rreme”, “Mashtrim”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Policisë, hetimi lidhur me këtë rast ka filluar bazuar në autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë pas dyshimeve të bazuara se i dyshuari Afrim Gashi në bashkëveprim me të dyshuarin Ylber Hyseni, i cili gjendet në arrati, kanë falsifikuar dokumente dhe dyshohet se kanë arritur të tjetërsojnë një parcelë me sipërfaqe prej 9 (nëntë) hektarësh me vlerë të përafërt të tregut rreth 10,000,000.00 euro (dhjetë milionë euro), me ç’rast të njëjtit pasi që kanë bartur pronat në emër të tyre i kanë parcelizuar dhe më pas i kanë shitur ato tek personat e tretë duke i mashtruar.

“Lidhur me rastin gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: 1 (një) pistoletë,  1 (një) karikator me 9 (nëntë) fishekë, 50 (pesëdhjetë) fishekë,  2 (dy) pistoleta me gas,  4 (katër) pushkë ajrore,  2 (dy) llaptopë, 1 (një) shtëpizë kompjuteri, 1 (një) telefon celular, 5680 (pesëmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) euro para të gatshme, 685 (gjashtëqind e tetëdhjetë e pesë) dollar amerikan,  100 (njëqind) franga zvicerane, si dhe rreth 500 (pesëqind) dosje të lëndëve të ndryshme në brendësi të të cilave kishte: Fletë poseduese, autorizime, kopje të planeve, historik të pronave, harta kadastrale (kryesisht të Regjionit të Prishtinës), vendime, kontrata të ndryshme të noterizuara të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara”, thuhej më tej në njoftimin e Policisë.

 

Ndryshe, kjo pronë, dyshohet se iu është marrë familjes Sadiku përmes manipulimeve dhe dokumenteve të falsifikuara, për çka tashmë janë hapur hetime ndaj të dyshuarit Ylber Hyseni, i cili sipas burimeve brenda Prokurorisë gjendet në arrati dhe gjykata ka lëshuar urdhërarrest për të.

Continue Reading

Trending