Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeve, ditë kjo e cila shënohet edhe në Kosovë. Ciceroni i Muzeut të Kosovës, Mimoza Goçi Dragusha, tha për Radio Kosovën se Muzeu Kombëtar i Kosovës ka dy ekspozita bazë në dy salla ku prezantohet arkeologjia dhe historia.
“Muzeu i Kosovës prezanton dy salla ekspozuese. Janë dy ekspozita bazë ku prezantohet arkeologjia dhe historia, që janë të vendosura ashtu në mënyrë kronologjike, ku fillojnë nga neolitit, eneolitit, periudhën e bronzit, hekurit dhe periudhën romake. Po ashtu edhe pjesa e historisë prezantohet në mënyrë kronologjike që nga Perandoria Osmane, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pastaj lufta e fundit, zhvillimi i luftës, të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur gjatë luftës. Ka dëshmi të luftës dhe masakrave dhunimeve deri te pjesa e ndërkombëtarëve edhe dreri te shpallja e pavarësisë së Kosovës”, tha ajo.
Dragusha, tha se viteve të fundit është rritur numri i vizitorëve, ku vetëm vitin e kaluar mbi dyzetmijë vizitorë e kanë vizituar Muzeun Kombëtar të Kosovës.
“Është rritur numri i vizitorëve, sidomos gjatë vitit të kaluar që ka qenë pjesa e “Manifestës” që është mbajt brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pastaj është pjesa e bashkatdhetarëve që vijnë për pushime. Janë vizitorët ndërkombëtarë. Kemi nxënës dhe vizitorë vendorë të grupmoshave të ndryshme. Diku vetëm vitin e kaluar kemi pasur mbi 40 mijë vizitorë”, deklaroi Goçi Dragusha.
E për etnologen e cila është pjesë e Muzeut të Mitrovicës, Nora Prekazi, gjendja në muzetë e Kosovës nuk e kënaqshme. Ajo i tha Radio Kosovës se sidomos te muzetë lokale, ka mungesë të buxhetit.
“Muzetë qendrore e kanë një përkrahje për sa i përket buxhetit, të ardhurave që është pak me e kënaqshme. Ndërsa te muzetë lokalë kanë më pak për arsye se janë të gjitha pjesë përbërëse e drejtorive për kulturë. Nëse nuk do kishin pasur staf profesional që në disa muze janë mjaft të motivuar, kishim për ta pasur shumë të mangët botën muzeale të cilës i mungon përkrahja”, tha Prekazi.
Po ashtu, Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, i tha Radio Kosovës se numri i vizitorëve në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit është në rritje, pasi është bërë edhe restaurimi i shumë artefakteve të cilat u janë prezantuar vizitorëve për herë të parë.
“Numri i vizitorëve në Muzeun Arkeologjik dita-ditës po shkon duke u rritur. Duke e ristrukturuar funksionimin e këtij institucioni muzeal, por edhe duke e bërë restaurimin e shumë artefakteve të cilat janë prezantuar për herë të parë para qytetarëve të Komunës së Prizrenit dhe turistëve. Po ashtu, numri i vizitorëve po shënon rritje të dukshme edhe në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Dhe, pa dyshim, fluksi i vizitorëve po rritet çdo ditë e më shumë edhe në kalanë e Prizrenit”, deklaroi Hoxha./Media Ndërtimi.