Në thellësitë e kampusit të Universitetit të Prishtinës, mes një sfondi muresh të vjetra dhe hapësirash të fjetura, ka zënë rrënjë një transformim i jashtëzakonshëm. Edhe pak kohë duhen para se studentët të arrijnë të shohin frutat e para.
Në zemër të Universitetit të Prishtinës, i rrënjosur brenda mureve të shkatërruara të fakulteteve të tij, ka ndodhur një transformim i jashtëzakonshëm. Ajo që dikur ishte një hapësirë e papërdorur dhe e harruar, ka lulëzuar në një kopsht botanik të gjallë, plot jetë dhe premtime.
Duke e ditur mungesën e një laboratori botanik, Medina Orana, ligjëruese në RIT Kosovë dhe Tringë Sokoli, specialiste e politikave publike e cila është e angazhuar në një projekt të Bashkimit Evropian për asistencë teknike në Zyrën e Kryeministrit, morën iniciativën për të krijuar një serrë të vogël të komunitetit që do të përdoret si kopsht botanik, brenda oborrit të Fakultetit Filologjik dhe Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore.
Në këtë oazë të vogël tashmë janë mbjellë farat e para të bimëve aromatike dhe dekorative, të cilat do t’i shërbejnë qëllimeve shkencore.
Ky kopsht i vogël botanik do të përdoret nga studentë të biologjisë, ekologjisë, botanikës dhe fushave të ngjashme, profesorë dhe nxënës shkollash të cilët do të mbjellin, kultivojnë dhe rritin bimë të ndryshme dhe do t’i përdorin ato për studime dhe kërkime shkencore. Hapësira është gjithashtu e hapur për publikun.
Në një kohë kur bota po përballet me ndryshime të shpejta klimatike që po shkaktojnë zhdukjen e bimëve të rralla dhe endemike, përfitimet e kopshteve botanike luajnë një rol jetik në ruajtjen dhe kultivimin e tyre.
Më 11 maj, kopshti u përurua, i financuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë dhe i administruar nga Alumni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, KUSA.
Studentët e biologjisë në Universitetin e Prishtinës aktualisht i kanë mësimet në një bodrum me lagështi të lartë dhe pak dritë, gjë që nuk i ka lejuar të rritin bimë të ndryshme. Krijimi i një kopshti botanik do t’u sigurojë atyre një mjedis praktik mësimi dhe do t’i afrojë më shumë me bimët.
Asistent- profesori për Ekologjinë e Bimëve, Ekologjinë e Aplikuar, Ekofiziologjinë Bimore dhe Botanikë Farmaceutike në Fakultetin e Biologjisë, Bledar Pulaj tha për Prishtina Insight që ndonëse tashmë ekziston një Kopsht Botanik, me interes kombëtar dhe ndërkombëtar do të ishte zgjerimi i hapësirës dhe shtimi i llojeve të tjera të cilët përfaqësojnë vegjetacione karakteristike të vendeve të ndryshme të botës.
Ky artikull fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.