Connect with us

Aktuale

Kapitullimi Ekonomik i Kosovës me Termocentali “Kosova e Re”

Published

on

Republika e Kosovës, do t’ia paguajë Contour Global-it: të gjitha shpenzimet, plus këstet e kredisë, plus kamatën, plus fitimin, si dhe në fund edhe tatimin në fitim. Për periudhën prej 20 vjet, qytetarët e Kosovës do të paguajë 5-7 miliardë euro për këtë marrëveshje.

Marrë nga Kallxo.com – Hekuran Murati

Në vijim është një analizë e marrëveshjes së arritur për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, e cilat u bë publike javën e kaluar. Megjithëse duhet përshëndetur akti i MZHE-së për publikimin e kësaj marrëveshjeje, e njëjta gjë nuk mund të thuhet sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes në fjalë.

Para se të filloj me analizën, më duhet të theksoj se kontratat komerciale, pjesë të marrëveshjes, nuk janë publikuar të plota. Mjafton të bësh një kërkim me fjalën “reserved” në secilën prej kontratave, dhe e kupton se ka një numër të madh të rasteve ku informatat janë hequr nga publikimi. Sidoqoftë, nga ajo çka është publikuar në këto kontrata dhe nga ajo që është thënë në publik nga përfaqësues të Qeverisë, është e mjaftueshme që të arrihet në përfundimin se a është e favorshme kjo marrëveshje apo jo. Për këtë shkrim, analizën do ta përqendroj tek Marrëveshja për Blerje të Energjisë (Power purchase Agreement), meqenëse konsideroj që aty është thelbi i përmbajtjes.

Se sa e pa-favorshme për Kosovën është kjo marrëveshje, mjafton të krahasohen ndëshkimet në rast të shkëputjes para fillimit të zbatimit të saj – Kosova ndëshkohet me 19.7 milionë euro, ndërsa investitori ndëshkohet me maksimumi 8 milionë euro. Ata që besojnë në thënien se dita e mirë shihet në mëngjes, besoj që janë të përgatitur për atë që do të vije në rreshtat në vijim.

Sipas marrëveshjes, investitorit ‘Contour Global’ i sigurohet shitja e tërë energjisë së prodhuar me ‘Çmimin e Synuar’ prej 80 euro/MWh (Recital F). Ky çmim në fakt paraqet rritje krahasuar me çmimin e dakorduar në Marrëveshjen e Mirëkuptimit të nënshkruar në dhjetor të vitit 2015, i cili ishte 78.6 euro/MWh. Pra vetëlavdërimi i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka se ka arritur në negociojë marrëveshje më të favorshme se ajo që ka qenë më herët nuk qëndron aspak. Kjo për arsye se, megjithëse është ulur norma e kthimit të brendshëm në ekuitet (IRR) nga 21.5% në 18.5%, rritja e kostos së ndërtimit nga 1 miliardë euro në 1.3 miliardë euro ka efekt negativ më të madh në përcaktimin e çmimit. (Se si është arritur te ky nivel i ‘çmimit të synuar’ është analizuar në shkrimin në vazhdim).

Edhepse në një intervistë ministri Lluka iu referua çmimit prej 80 euro/MWh si çmim tavan, kjo gjë fatkeqësisht nuk është e saktë. Në fakt, nëse Contour Global arrin të prodhojë energji elektrike më shumë sesa sasia e pritur, atëherë për çdo MWh shtesë të prodhuar, kompania merr bonus prej 20% mbi çmimin e synuar (Schedule 1, paragrafi 2.3.1.) – dhe kësisoj çmimi shumë lehtë arrin në 96 euro/MWh.

Bazuar në shifrat më lartë, kostoja vjetore për konsumatorët e energjisë elektrike vetëm nga ky termocentral do të jetë së paku 240 milionë euro nëse ai operon me 75% kapacitet (rreth 3 GWh), e mund të arrijë deri në 340 milionë euro nëse operon me kapacitet të plotë (rreth 4 GWh, nga të cilat 1 GWh llogaritet me bonus prej 20%). Me fjalë tjera, për periudhën prej 20 vjet, qytetarët e Kosovës do të paguajë 5-7 miliardë euro për këtë marrëveshje.

Nëse këto shifra përkthehen në tarifat e konsumatorëve, pra shuma prej 240-30 milionë euro i shtohet faturimit ekzistues (me përjashtim të “TC Kosova A”), atëherë mund të flasim për një rritje prej 46%-81% nga niveli aktual i tarifave, varësisht prej komponimit të burimeve nga “TC Kosova B” dhe “TC Kosova e Re”.

Mirëpo një rritje kaq enorme e tarifave nuk do të mirëpritej nga konsumatorët, dhe do të ishte vështirë të arsyetohej edhe nga ZRRE, e cila nivelin e tarifave e përcakton në bazë të Të Hyrave Maksimale të Lejuara (anglisht, “Maximum Allowed Revenues”). Andaj për të tejkaluar edhe këtë problem, është paraparë një zgjidhje e cila për mendimin tim paraqet pjesën më skandaloze të marrëveshjes – zgjidhja quhet “New Kosovo Electricity Company” (NKEC).

“New Kosovo Electricity Company” dhe “Revenue Requirement”

Sipas marrëveshjes, Qeveria e Republikës së Kosovës detyrohet që të themelojë një kompani publike (NKEC), e cila do të shërbejë si ndërmjetësues ndërmjet Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut energjetik në Kosovë. Me fjalë tjera, NKEC do të ketë për detyrë të blejë tërë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, pati apo s’pati nevojë tregu i Kosovës. Atë energji pastaj NKEC do të kthehet e t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja, dhe kështu shteti e merr përsipër humbjen, ndërsa Contour Global-i e ka të siguruar fitimin.

Kapaciteti prodhues duhet të blihet me atë çmim, ashtu që të sigurohet se përmbushen ‘Të Hyrat e Nevojshme’ (Revenue Requirement) për Contour Global. Sipas marrëveshjes, ‘Të hyrat e Nevojshme’ përbëhen nga pagesat e nevojshme për të paguar huanë e marrë dhe kamatën e saj, pagesën për kthim në ekuitet, shpenzimet tjera operative, e madje edhe tatimin në fitim.

Përkthyer shqip, NKEC apo Republika e Kosovës, do t’ia paguajë Contour Global-it: të gjitha shpenzimet, plus këstet e kredisë, plus kamatën, plus fitimin, si dhe në fund edhe tatimin në fitim. Të gjitha këto, janë llogaritur që do të mbuloheshim me një Çmim të Synuar prej 80 euro/MWh, por i cili mund të rritet nëse ta zëmë kamata e kredisë del të jetë më e lartë sesa ajo e parashikuar.

Bazuar në këtë, është evidente se kostoja vjetore e termocentralit nuk do të reflektohet menjëherë, por gradualisht në tarifat e konsumatorëve, ngase ajo do të paguhet nga NKEC, e cila do të financohet/subvencionohet nga Qeveria. Por të thuash se kjo është më mirë, është si të thuash që më lirë kushton të paguash nga xhepi i majtë sesa nga xhepi i djathtë – në fund të fundit, populli do t’a paguajë. Se a paguhet përmes faturave të energjisë elektrike apo përmes taksave, pak rol ka kjo.

E bukura e tërë kësaj është se kur të vie koha për të paguar këto para nga buxheti, kësaj Qeverie që ka nënshkruar marrëveshjen do t’i ketë kaluar mandati qëmoti.

Kontratat me Kompanitë Publike

Për t’i siguruar investitorit mbarëvajtje në punë, Qeveria e Kosovës ka detyruar kompanitë publike siç është KEK-u të nënshkruajnë kontrata të cilat mund të mos jenë në interesin më të mirë të tyre.

Sipas Kontratës për Mënjanimin e Hirit dhe Gipsit (Ash and Gypsum Disposal Agreement) ta zëmë, KEK-u është i obliguar që t’i sigurojë Contour Global-it hapësirat për deponim të hirit dhe gipsit, pa asnjë cent, totalisht falas.

Ndërsa tek Kontrata për Furnizim me Linjit, nuk arrita të gjej çmimin e furnizimit, mbase kjo informatë ka qenë viktimë e redaktimit me “reserved” nga kompania.

Por më e çuditshmja është kontrata për Bartjen e Tokës (Site Transfer Agreement) me anë të së cilës lidhet marrëveshja që KEK-u t’ia shesë tokën (pronë e KEK-ut) Contour Global-it, në të cilën do të ndërtohet termocentrali i ri. Çmimi i shitjes është 10 (dhjetë, po po dhjetë) euro, për afro 15 hektarë tokë – një çmim ky në shpërputhje ekstreme me çmimin e tokës që u pagua për shpronësim në Shipitullë.

Ka edhe shumë margaritarë si këto më lartë por besoj që ato do të trajtohen edhe nga të tjerët gjatë ditëve në vijim.

Për fund, konsideroj që kjo marrëveshje nuk është dashur të nënshkruhet me këto kushte. Marrëveshja është aq e dëmshme, sa që asnjë ministër i PDK-së nuk ka pasur guximin ta nënshkruajë, edhepse e kishin në sirtar për dy mandate radhazi. Ky fakt tregon shumë, kur nga e kaluara dihet që PDK-ja nuk heziton edhe aq në raste të tilla.

Kosova ka mundur të ndërtojë një termocentral të tillë edhe me vetë-financim, pa ndihmën e asnjë investitori të huaj, e madje me kushte shumë më të mira. 300 milionë euro në vit janë shumë të mëdha për një popull ku gjysma jeton në varfëri. Por ja që pushimet luksoze edhe mund të ndikojnë në shtrembërim të perceptimit.

 

Aktuale

Pas Danimarkës, edhe Belgjika propozon ta ndërtojë një burg në Kosovë

Published

on

Pas Danimarkës, edhe në Belgjikë është hedhur ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë ku shteti belg do t’i sillte të burgosurit pa dokumente për të vuajtur dënimin. Këtë ide e ka thënë deputeti belg Theo Francken nga partia “N-VA” në një intervistë për gazetën “Het Nieuwsblad”.

Sipas deputetit Francken, kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.

Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve.

Mediat belge shkruajnë se stafi i burgjeve belge do të jetë i lumtur për një ide të tillë, megjithatë sa është e realizueshme?

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në VUB, ka zbutur pritshmëritë lidhur me këtë ide. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse marrëveshja Danimarkë-Kosovë nuk është zhvilluar plotësisht.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë shumë gjëra duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta,” tregon Vanhouche nga bisedat që ajo pati me kolegët e saj danezë në shkurt.

Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është, thotë ajo.

“Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se ata nuk i ruajnë të drejtat e tyre.”, ka thënë ajo.

Vanhouche ka ngritur edhe pikëpyetje nëse mund të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë.

“Ky është problemi i parë për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme.”, ka shtuar ajo./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbahet “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024)

Published

on

Sot, në mjediset e Fakultetit të Inxhiniersië së Ndërtimit këtu në UP, filloi maratonën tre-ditore “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024). Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Qerim Qerimi, bashkë me Rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Andrea Maliqari, dhe Dekanët e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Prishtinë, Prof. Florim Grajçevci dhe Tiranë, Prof. Neritan Shkodrani, nën një tempull të dijes ngritën në piedestal arritjet e studentëve të fushave të inxhinierisë së ndërtimit, duke i kurorëzuar në këtë Konferencë Ndërkombëtare.

Në panele të rezervuara iu kushtua rëndësi edhe folësve të ftuar nga anë e mbanë bota. Profesorë e inxhinierë të shquar nga Prishtina, Tirana, Stambolli, Praga, Vjena e Shkupi, shpalosën para më shumë se 300 pjesëmarrësve, hulumtime shkencore e tema inxhinierike të prekura për herë të parë në rajon.

Ky event i shënuar është arritje e madhe për të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës, marrë parasysh gamën e madhe shkencore që po e shpalosë.

Nën organizimin e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, sot filloi kjo konferencë me përmasa tejet të kënaqshme duke ngritur nivelin akademik të studentëve në Universitetin tonë dhe më gjerë.

Maratona e kësaj ngjarje të shënuar vazhdon edhe për dy ditë të tjera radhazi, për të shpërfaqur edhe punën e shkencore të studentëve pjesëmarrës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni

Published

on

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni, sipas një sondazhi të Eurobarometrit. I njëjti sondazh zbuloi se vetëm 18% e qytetarëve të BE-së ishin në gjendje të tregonin një nivel të lartë edukimi financiar. Sipas sondazhit, 65% e qytetarëve të BE-së janë të vetëdijshëm se, në kohë inflacioni pozitiv, fuqia blerëse e parave të tyre ulet, që do të thotë se ata mund të blejnë më pak se më parë me të njëjtën sasi parash.

Në tetor 2022, inflacioni vjetor në BE arriti nivele të papara në katër dekadat e mëparshme në 11.5%. Ndërsa rritja e kostos së jetesës ishte shqetësimi më urgjent për 93% të evropianëve në atë kohë, me sa duket një e treta e qytetarëve të BE-së nuk e dinë se si inflacioni ndikon në jetën e tyre. Sondazhi i Eurobarometrit, i kryer në mars-prill 2023, përfshiu pyetje mbi njohuritë financiare dhe sjelljen për të matur njohuritë financiare në të gjithë vendet e BE-së.

Vetëm rreth një e katërta e të anketuarve (26%) në BE iu përgjigjën saktë të paktën katër nga pesë pyetjet mbi njohuritë financiare. Gjysma iu përgjigj saktë vetëm dy ose tre pyetjeve, ndërsa një tremujor tjetër i gjeti pyetjet veçanërisht sfiduese. Performuesit më të mirë ishin Holanda (43%), Danimarka (40%), Finlanda (40%) dhe Estonia (39%) ku rreth katër në 10 të anketuar shfaqin një nivel të lartë njohurish financiare. Rumania dhe Portugalia raportuan rezultatet më të këqija në nivelet e larta të njohurive financiare me 13% dhe 16%, respektivisht.

Ndër katër ekonomitë e mëdha të BE-së, vetëm Gjermania kishte një rezultat më të lartë se mesatarja e BE-së në këtë tregues. Ndërsa rezultatet e Francës dhe Italisë ishin pak më poshtë mesatares së BE-së, kjo shifër ishte dukshëm e ulët në Spanjë me 19%.

Anasjelltas, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Qipro dhe Rumani (të dyja 30%), e ndjekur nga Greqia (29%) dhe Portugalia (28%). Sondazhi zbuloi se 35% nuk e kuptonin se si inflacioni ul fuqinë e tyre blerëse. Pyetja ishte: Në BE, 22% thanë se mund të blinin të njëjtën sasi, dhe 7% u përgjigjën se mund të blinin më shumë se sot. Gjashtë përqind e pjesëmarrësve nuk kishin përgjigje.

Përqindja që iu përgjigj saktë kësaj pyetjeje (“Më pak se sa mund të blini sot”) ishte nën 60% në Qipro, Portugali, Greqi, Rumani dhe Itali, ndërsa Finlanda dhe Estonia kishin përqindjen më të lartë me 84%. Njohuria e përgjithshme financiare bazohet në njohuritë financiare dhe rezultatet e sjelljes. Mesatarisht, në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë për nivelin e përgjithshëm të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët.

Përqindja me një rezultat të lartë varionte nga 11% në Portugali dhe Letoni në 27% në Danimarkë, Slloveni dhe Suedi dhe 28% në Holandë. Përkundrazi, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Finlandë (27%), Letoni (24%), Belgjikë (22%) dhe Spanjë (22%). Duke parë rezultatet e nivelit socio-demografik, proporcioni me një rezultat të lartë në arsimimin e përgjithshëm financiar është më i lartë midis:

meshkuj (24% krahasuar me 13% të femrave);

të anketuarit e moshës mbi 39 vjeç (20%, krahasuar me 13% të moshave 18-24 dhe 16% të atyre të moshës 25-39 vjeç);

të anketuarit me nivel të lartë arsimor (26%, krahasuar me 16% të atyre me nivel të mesëm dhe 12% për ata me nivel të ulët arsimor).

BE-ja po punon për të siguruar që qytetarët e saj të kenë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë vendime të mira financiare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending