Banorët e fshatit Biti e Poshtme të komunës së Shtërpcës tash e 5 vjet vazhdojnë betejën për ta kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve përgjatë lumit Lepenc.
E për këmbëngulësinë e banorëve të dy komuniteteve në ruajtjen e fshatit të tyre dhe fshatrave për rreth nga degradimi, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) i ka shpërblyer me Çmimin për Demokraci për vitin 2019.
Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv në (KCSF) tha se ky çmim u dha për shkak të kontributit të zhvilluar në praktikë për demokracinë në Kosovë.
Ai tha këto çmime synojnë të japin modele se si do të duhej të sillet një qytetar i përgjegjshëm për ta ndërtuar këtë vend.
“Nisma e Qytetarëve të fshatit Biti e Poshtme të cilët për 5 vjet kanë luftuar për ta mbrojtur fshatin e tyre, lumin mjedisin dhe të gjithë fshatin të cilët ende nuk ia kanë dal. Hidrocentrali ende nuk është ndal, uji ende nuk është siguruar që do ta dal nga gypat. Por për neve është shumë pak e rëndësishme nëse në fund ia arrijnë apo jo. Për neve është e rëndësishme se përkundër vështirësive për këto 5 vjet, përkundër kërcënimeve, problemeve me policinë ata nuk janë ndal. Dhe për këtë ne me shumë kënaqësi do t’ia ndajmë çmimin Agronit”, tha ai.
Agron Rushiti, pasi pranoi çmimin, u shpreh falënderues për të gjithë ata që po i përkrahin në angazhimin e tyre për të ruajtur bukurinë e fshatit që u ruajt me përkushtim nga paraardhësit e tyre.
“Ne banorët e të dyja komuniteteve të fshatit Biti e Poshtme jemi zëri i vetëm i disa fshatrave të luginës së Lumit Lepenc që po dëmtohet shumë dhe askush nuk na ka përkrahur. Kjo luginë deri para ndërtimit të hidrocentraleve ka qenë burim i ujit për pije, ujitje, pushimit, bukurisë natyrore e dhuruar nga Zoti dhe e ruajtur me përkushtim nga paraardhësit tanë. Shumica dërmuese e banorëve u mashtruan qoftë me gënjeshtra, qoftë me blerje tokash por pa qenë të vetëdijshëm për dëmin e pakthyeshëm për fshatarët”, tha ai.
Po ashtu në këtë ngjarje KCSF-ja ka lansuar programin “Eja Kosovë” për mbështetje të shoqërisë civile në Kosovë.
Taulant Hoxha, drejtor ekzekutiv i KSCF-së tha se përmes këtij programi do të përkrahin nismat individuale, organizata lokale, por edhe ato që nuk kanë lluar, por që janë si ide të dobishme.
Ai tha se fokusi i tyre do të jetë tek grupet e margjinalizuara, e të cilat sipas tij e përbëjnë shumicën e popullatës në Kosovë.
“Kemi vendosur që të mos përjashtojmë asnjë pjesë të shoqërisë civile por ta zgjedhim një qasje të veçantë për ta përkrahur. Shpresojmë që një numër shumë i madh i organizatave të shoqërisë civile do ta. Është qasja e përfshirjes së qytetarëve në çdo aspekt të punës së një organizate të shoqërisë civile. Gratë të rinjtë, të moshuarit, pjesëtarët e pakicave të etnive të ndryshme, personat me nevoja të veçanta që me përqindje del shumica e popullsisë këto 20 vjet kemi arritur të ndërtojmë një vend që i jep hapësirë dhe privilegj një grupi më të vogël të qytetarëve dhe duke i lenë jashtë shumicën prej tyre”, tha ai.
Këtë program e kanë përkrahur në vazhdimësi ambasada e Zvicrës dhe ajo e Suedisë.
Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, tha se aty ku nuk ka shoqëri civile nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë.
“Ka probleme ku do si në çdo vend tjetër edhe këtu. Sa i përket reformave ju tashmë keni në qeverisje lokale, punësim, emigrim. Por do ta lë me kaq pasi që çdo gjë është në ndërtim e sipër. Shfrytëzojeni këtë mundësi me vendosmëri, jepni rast njerëzve që ta marrin përsipër situata që nuk janë edhe aq të lehta që të bëhet diçka e mirë. Ju falënderoj për punën që po bëni dhe ju inkurajoi për punë”, tha ai.
Edhe Ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny, lavdëroi punën e shoqërisë civile në Kosovë. Ajo tha se për Suedinë, bashkëpunimi me OJQ-të është jetike./ kp/
You must be logged in to post a comment Login