Connect with us

Aktuale

Autostrada Shkup-Bllacë ende askund,mosndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren e ul nivelin ekonomik

Published

on

Që nga viti 2009 përflitet rregullimi i rrugës rajonale Tetovë – Prizren ndërkaq që nga atëherë e deri më sot ende nuk është bërë analizë fizibiliteti nëpërmjet së cilës do të vlerësohej gjeografikisht, ekonomikisht dhe moralisht dobia e kësaj rruge rajonale, ku për shkak të 70 kilometrave qytetarët e rajonit të Pollogut nuk mund t’i afrohen Detit Adriatik, shkruan Portalb.mk.

“Për rrugën Tetovë – Prizren ende nuk ka analizë fizibiliteti për rëndësinë ekonomike të saj, prandaj edhe nuk mund të flasim se a do të ndërtohet apo jo. Tash për tash nuk parashihet një gjë e tillë”, thanë për Portalb.mk nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë.

Nevoja për rrugë rajonale Tetovë – Prizren u aktualizua pasi që Qeveria e Kosovës më parë u deklarua se me përfundimin e autostradës Prishtinë – Kosovë do të nisin punimet në rrugën rajonale Prizren – Tetovë. Nga atje njoftuan se autostrada Kosovë-Maqedoni do të jetë gati deri në fund të vitit 2018.

“Kosova dhe institucionet e saj kanë vullnet dhe gatishmëri që të ndërtohet rruga Prizren – Tetovë. Kjo rrugë sipas pjesës kosovare, është prioritet pas përfundimit të autostradës Prishtinë-Shkup”, thanë përfaqësues të shoqatës së biznesmenëve të Prizrenit gjatë qëndrimit në Tetovë më 16 nëntor të 2014-s.

Ndërsa në mesin e qershorit të 2013-s, ish-zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha tha se “Projekti studimor ende nuk është përfunduar. Pasi i njëjti të përfundojë atëherë do të shohim se si do të veprojmë për të gjetur mënyra që ai të fillojë dhe të realizohet në praktikë. Por presim se si do të jenë rezultatet nga ky studim”.

Analizë fizibiliteti: si dhe pse bëhet?

Mosparashikimi i rrugës rajonale Tetovë – Prizren me ciklin e investimeve arsyetohet me “mungesë të analizës së fizibilitetit”, megjithatë sipas profesorit të ekonomisë, Abdulmenaf Bexheti një analizë fizibiliteti do të bëhej shumë shpejtë, por vetëm nëse do të kishte “vullnet institucional-politik”.

“Mungon vullneti institucional-politik që të bëhet një fizibilitet ekonomik, sepse nëse ka vullnet politik, fizibiliteti kërkohet dhe bëhet analiza. Udhëheqësit institucional kanë promovuar ndërtim të kësaj rruge pa bërë asnjë analizë paraprake për arsyeshmërinë e tyre ekonomike. Fizibiliteti ekonomik do të impaktonte në mënyrë të konsiderueshme zhvillimin ekonomik të rajonit të Pollogut”, tha Bexheti.

Sipas profesorit Abdulmenaf Bexheti, analiza e fizibilitetit do të ndihmonte të kuptohet se sa ka leverdi nga ndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren dhe se si do të duhej të bëheshte ajo.

“Kjo analizë do të ndihmonte të kuptohen se sa do të ndikonte në shkëmbimin tregtar dhe matjen e kostove duke u analizuar edhe përfitimet direkte edhe ata indirekte. Analizohen edhe kostot direkte edhe kostot jodirekte. Nga njëra anë llogariten përfitimet kurse nga ana tjetër llogariten edhe kostot. Te llogaritja e përfitimeve ka faza të cilat përfshijnë përfitimet direkte dhe janë përfitimet indirekte. Kemi edhe përfitime materiale edhe jo materiale. Ka përfitime edhe të komponentëve morale e shpirtërore, por që ato nuk mund të llogariten dhe maten. Të gjitha këto parashohin edhe atë se cilat do të ishin kostot e cilat janë trasat e ndërtimi, e përpunimit të tokës”, sqaroi më tej Bexheti.

 

Se sa korsi do të duhej të ishte kjo rrugë rajonale, Bexheti u shpreh: “Mjafton të jetë me dy korsi pasi që tereni gjeografik nuk lejon më shumë sepse edhe frekuenca nuk mund të dihet pa u vënë në funksion rruga”, tha Bexheti.

Mosndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren uli nivelin ekonomik

Sipas profesorit Abdulmenaf Bexhetit: “Ndërtimi i rrugës do të shkurtonte relacionet dhe do ta bënte transportin shumë më efikas duke sjellë edhe kosto më të ulëta për ndërmarrësit”, gjë e cila do të pengonte uljen e nivelit të zhvillimit ekonomik në Rajonin e Pollogut.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në vazhdimësi kanë alarmuar për humbjen tregtare të Maqedonisë nga Kosova, e cila krahas mosndërtimit të autostradës Shkup- Bllacë është ndikuar edhe nga mosndërtimi i rrugës rajonale Tetovë- Prizren.

“Mosparashikimi i autostradës Tetovë – Prizren ndikon në rënien e shkëmbimit tregtar me Kosovën që është e dukshme në katër vitet e fundit dhe rritjen e shpenzimeve të transportit. Nëse do të krahasonim shkëmbimin tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, mund të konstatojmë se Maqedonia ndër vite po e humb tregun e Kosovës, nga gati 420 milionë euro në vitin 2011, në vitin e kaluar ka pasur shkëmbim prej 212 milionë euro. Këto barriera infrastrukturore dukshëm e pengojnë qarkullimin drejt vendit fqinj. Nëse ne nuk ndikojmë që ti shfrytëzojmë tregjet fqinje, ato evropiane apo globale shumë më vështirë do ta kemi, prandaj kërkojmë që projekti i premtuar shumë herë dhe aq i përfolur të realizohet në periudhën sa më të shpejtë”, tha për Portalb.mk, drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Në bazë të përllogaritjeve që janë bërë më herët vlerësohet se ky projekt kushton rreth 40 milionë euro, duke përfshirë edhe ndërtimin e dy tuneleve.

Përndryshe, nga Tetova deri në Prizren udhëtojmë 162 kilometra, ndërsa nga Tetova deri në Tiranë duhet të kalojmë 380 kilometra, ndërsa këtë mund ta bëjmë për 190 kilometra nëse do të ndërtohej kjo rrugë.

Përndryshe, që nga viti 2012, ish pjesëtari i OEMVP-së, Shefki Aliti tha se “Autostrada drejt Shqipërisë ka qenë e paraparë në buxhet, si për fillim me 500.000 euro për studim për arsyetimin ekonomik, por me rebalancin këto para ishin shkurtuar”.

Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qeshorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.

Për dy vjet, për sa pritet të përfundojë cikli i investimeve nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve (MTL), në Maqedoni pritet të shpenzohen 86 milionë euro për rregullimin e 26 rrugëve që në total paraqet 420 kilometra, mirëpo në këtë cikël investimeve parashihet rekonstruimi i rrugës Shkup- Bllacë, por jo ndërtimi i rrugës Tetovë- Prizren.

 

Aktuale

Pas Danimarkës, edhe Belgjika propozon ta ndërtojë një burg në Kosovë

Published

on

Pas Danimarkës, edhe në Belgjikë është hedhur ideja për ndërtimin e një burgu në Kosovë ku shteti belg do t’i sillte të burgosurit pa dokumente për të vuajtur dënimin. Këtë ide e ka thënë deputeti belg Theo Francken nga partia “N-VA” në një intervistë për gazetën “Het Nieuwsblad”.

Sipas deputetit Francken, kjo ide përshtatet në mënyrë të përkryer me ndalimin e azilit, gjë që partia e tij e ka kërkuar prej kohësh.

Propozimi i deputetit Francken është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve.

Mediat belge shkruajnë se stafi i burgjeve belge do të jetë i lumtur për një ide të tillë, megjithatë sa është e realizueshme?

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në VUB, ka zbutur pritshmëritë lidhur me këtë ide. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse marrëveshja Danimarkë-Kosovë nuk është zhvilluar plotësisht.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë shumë gjëra duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta,” tregon Vanhouche nga bisedat që ajo pati me kolegët e saj danezë në shkurt.

Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është, thotë ajo.

“Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se ata nuk i ruajnë të drejtat e tyre.”, ka thënë ajo.

Vanhouche ka ngritur edhe pikëpyetje nëse mund të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë.

“Ky është problemi i parë për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme.”, ka shtuar ajo./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Mbahet “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024)

Published

on

Sot, në mjediset e Fakultetit të Inxhiniersië së Ndërtimit këtu në UP, filloi maratonën tre-ditore “Konferenca Studentore Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit” (ISCCE 2024). Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Qerim Qerimi, bashkë me Rektorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. Andrea Maliqari, dhe Dekanët e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Prishtinë, Prof. Florim Grajçevci dhe Tiranë, Prof. Neritan Shkodrani, nën një tempull të dijes ngritën në piedestal arritjet e studentëve të fushave të inxhinierisë së ndërtimit, duke i kurorëzuar në këtë Konferencë Ndërkombëtare.

Në panele të rezervuara iu kushtua rëndësi edhe folësve të ftuar nga anë e mbanë bota. Profesorë e inxhinierë të shquar nga Prishtina, Tirana, Stambolli, Praga, Vjena e Shkupi, shpalosën para më shumë se 300 pjesëmarrësve, hulumtime shkencore e tema inxhinierike të prekura për herë të parë në rajon.

Ky event i shënuar është arritje e madhe për të gjitha institucionet e Universitetit të Prishtinës, marrë parasysh gamën e madhe shkencore që po e shpalosë.

Nën organizimin e Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, sot filloi kjo konferencë me përmasa tejet të kënaqshme duke ngritur nivelin akademik të studentëve në Universitetin tonë dhe më gjerë.

Maratona e kësaj ngjarje të shënuar vazhdon edhe për dy ditë të tjera radhazi, për të shpërfaqur edhe punën e shkencore të studentëve pjesëmarrës./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni

Published

on

Një e treta e evropianeve nuk e kuptojnë se si funksionon inflacioni, sipas një sondazhi të Eurobarometrit. I njëjti sondazh zbuloi se vetëm 18% e qytetarëve të BE-së ishin në gjendje të tregonin një nivel të lartë edukimi financiar. Sipas sondazhit, 65% e qytetarëve të BE-së janë të vetëdijshëm se, në kohë inflacioni pozitiv, fuqia blerëse e parave të tyre ulet, që do të thotë se ata mund të blejnë më pak se më parë me të njëjtën sasi parash.

Në tetor 2022, inflacioni vjetor në BE arriti nivele të papara në katër dekadat e mëparshme në 11.5%. Ndërsa rritja e kostos së jetesës ishte shqetësimi më urgjent për 93% të evropianëve në atë kohë, me sa duket një e treta e qytetarëve të BE-së nuk e dinë se si inflacioni ndikon në jetën e tyre. Sondazhi i Eurobarometrit, i kryer në mars-prill 2023, përfshiu pyetje mbi njohuritë financiare dhe sjelljen për të matur njohuritë financiare në të gjithë vendet e BE-së.

Vetëm rreth një e katërta e të anketuarve (26%) në BE iu përgjigjën saktë të paktën katër nga pesë pyetjet mbi njohuritë financiare. Gjysma iu përgjigj saktë vetëm dy ose tre pyetjeve, ndërsa një tremujor tjetër i gjeti pyetjet veçanërisht sfiduese. Performuesit më të mirë ishin Holanda (43%), Danimarka (40%), Finlanda (40%) dhe Estonia (39%) ku rreth katër në 10 të anketuar shfaqin një nivel të lartë njohurish financiare. Rumania dhe Portugalia raportuan rezultatet më të këqija në nivelet e larta të njohurive financiare me 13% dhe 16%, respektivisht.

Ndër katër ekonomitë e mëdha të BE-së, vetëm Gjermania kishte një rezultat më të lartë se mesatarja e BE-së në këtë tregues. Ndërsa rezultatet e Francës dhe Italisë ishin pak më poshtë mesatares së BE-së, kjo shifër ishte dukshëm e ulët në Spanjë me 19%.

Anasjelltas, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Qipro dhe Rumani (të dyja 30%), e ndjekur nga Greqia (29%) dhe Portugalia (28%). Sondazhi zbuloi se 35% nuk e kuptonin se si inflacioni ul fuqinë e tyre blerëse. Pyetja ishte: Në BE, 22% thanë se mund të blinin të njëjtën sasi, dhe 7% u përgjigjën se mund të blinin më shumë se sot. Gjashtë përqind e pjesëmarrësve nuk kishin përgjigje.

Përqindja që iu përgjigj saktë kësaj pyetjeje (“Më pak se sa mund të blini sot”) ishte nën 60% në Qipro, Portugali, Greqi, Rumani dhe Itali, ndërsa Finlanda dhe Estonia kishin përqindjen më të lartë me 84%. Njohuria e përgjithshme financiare bazohet në njohuritë financiare dhe rezultatet e sjelljes. Mesatarisht, në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë për nivelin e përgjithshëm të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët.

Përqindja me një rezultat të lartë varionte nga 11% në Portugali dhe Letoni në 27% në Danimarkë, Slloveni dhe Suedi dhe 28% në Holandë. Përkundrazi, përqindja me një rezultat të ulët ishte më e larta në Finlandë (27%), Letoni (24%), Belgjikë (22%) dhe Spanjë (22%). Duke parë rezultatet e nivelit socio-demografik, proporcioni me një rezultat të lartë në arsimimin e përgjithshëm financiar është më i lartë midis:

meshkuj (24% krahasuar me 13% të femrave);

të anketuarit e moshës mbi 39 vjeç (20%, krahasuar me 13% të moshave 18-24 dhe 16% të atyre të moshës 25-39 vjeç);

të anketuarit me nivel të lartë arsimor (26%, krahasuar me 16% të atyre me nivel të mesëm dhe 12% për ata me nivel të ulët arsimor).

BE-ja po punon për të siguruar që qytetarët e saj të kenë njohuritë dhe aftësitë që u nevojiten për të marrë vendime të mira financiare./Media Ndërtimi

Continue Reading

Trending