Lajmet se amfiteatri romak do te jepet me koncesion kanë shqetësuar banorët e zonës arkeologjike të Durrësit që presin prej gjysmë shekulli një zgjidhje të përshtatshme për banesat e tyre.
Një grup punëtorësh po gërmojnë prej disa ditësh në afërsi të mureve antike të amfiteatrit, por ata nuk kanë lidhje me projektin koncesionar të qendrës historike të Durrësit që u bë i njohur javën e kaluar.
“Ne jemi pjesë e misionit arkeologjik italo-shqiptar, që i ka nisur ekspeditat verore në vitin 2002,” tha për BIRN Elvana Metalla, bashkëdrejtore e këtij misioni.
Sipas arkeologes së Institutit të Arkeologjisë, njohuritë e tyre për zbatimin e projektit të ardhshëm në pjesën historike janë shumë të pakta, njëlloj siç janë të pakta edhe kontaktet e projektuesve me specialistët e fushës në Durrës.
“Askush nuk na ka pyetur lidhur me situatën e zbulimeve të mëparshme në këtë territor mjaft të pasur me elemente arkeologjike,” shtoi ajo.
Ndërkaq, banorët e shtëpive pranë amfiteatrit janë të shqetësuar lidhur me të ardhmen e tyre.
Abdulla Deliallisi, i cili banon në këtë zonë tha për BIRN se tashmë banorët janë konfuzë.
“Se çfarë po ndodh në këto dy vjet e kemi marrë vesh vetëm nga mediat. Askush nuk na ka bërë të njohur se si do të veprohet për sistemimin e familjeve, para se të fillojnë punimet,” tha inxhinier Deliallisi.
Në takimin e vetëm me përfaqësues të familjeve, që u organizua para 6 muajsh në Pallatin e Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, paraqitën vetëm fotot e projektit, por nuk iu përgjigjën pyetjeve konkrete mbi mënyrën e kompensimit të familjeve apo transferimit të tyre në një hapësirë tjetër.
Sipas titullarëve të ministrisë dhe të bashkisë, përgjigja e kësaj pyetjeje i takon ministrisë së Financave.
“Nuk jemi pyetur në asnjë moment,” shprehet Deliallisi, i cili drejton edhe shoqatën “Durrësi Autokton”. Megjithëse jemi listuar si grup interesi në këtë projekt, shoqata që unë drejtoj nuk është ftuar në asnjë takim lidhur me të ardhmen e qendrës historike të qytetit, gjithnjë nëse ka patur takime të tilla”.
Fjala “koncesion” që u publikua ditët e fundit e ka bërë edhe më të paqartë situatën e banorëve.
Cila do të jetë e ardhmja e tyre?
Ata i mbështesin ndryshimet që synojnë njohjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, por në të njejtën kohë kërkojnë edhe zgjidhje dinjitoze për sistemimin e tyre.
Ministria e Kulturës ka bërë publik për konsultim planin për menaxhimin e zonave arkeologjike në qytetin e Durrësit – të financuar nga Fondit Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, i cili i jep përparësi menaxhimit të tyre nga ente jofitimprurëse.
Publikimi i planit të menaxhimit është shoqëruar me aludime në media se amfiteatri antik i qytetit bregdetar mund të jepet me koncesion – ngjashëm me Parkun Kombëtar të Butrintit.
Banorët që jetojnë në zonën arkeologjike kërkojnë që përpara zbatimit të projektit, ti jepet zgjidhje shpronësimit të banesave të tyre. Ata theksojnë se nuk është i vështirë trajtimi i familjeve pranë amfiteatrit, mjafton të kujtosh periudhën e zbulimit të tij.
Deri në vitin 1970 në kodrinën ku u gjet monumenti u prishën 33 shtëpi dhe u transferuan 50 familje./Media Ndërtimi.