Veshja ka qenë pjesë thelbësore e qytetërimit në të gjitha periudhat e zhvillimit të shoqërisë. Zanafilla e veshjeve mund të themi se ka ndryshuar nga materiali i prodhimit, teknika e punimit, ornamentika, ngjyra dhe forma e saj.
Historikisht veshja i plotësoi njeriut kërkesat më të domosdoshme për ta mbrojtur trupin nga ndikimet e jashtme klimatike, ose rreziqet e tjera. Për materialin e veshjeve kanë përdorur lëkurat e kafshëve, lirin, leshin, pambukun dhe më vonë edhe materiale nga mëndafshi, kadifeja dhe pëlhura të tjera.Për veshjet shqiptare në përgjithësi mund të themi se janë botuar një numër i konsideruar i punimeve nga studiues vendor dhe ndërkombëtar, duke filluar nga Franz Nopcsa, Lepizig, Ami Boue, Hahn, Rrok Zojzi, Andromaqi Gjergji, Mark Tirta, Afërdita Onuzi, Drita Halimi-Statovci, Ukë Xhemaj, Agim Bido dhe studiues të tjerë.
Veshja jo vetëm që ka shërbyer për qëllime funksionale, por ka qenë pjesë e identitetit dhe traditave tona kulturore. Ajo prezanton imazhin dhe personalitetin e një kulture, nga veshja mund të pasqyrohen normat dhe vlerat kulturore të një kombi.
Deri vonë, në bazë të veshjes është bërë edhe identifikimi i krahinës etnografike, sepse secila zonë ka pasur karakteristikat e veta dhe nuk ka pasur përzierje të veshjeve. Secili banorë i zonës është ndier krenar me veshjet e tyre.
Padyshim se edhe veshja me xhubletë, sikurse e thamë më sipër, zënë një vend të veçantë në kulturën shqiptare. Xhubletën, e bënë të dallueshme prerja e saj, forma e saj, qepja e saj artizanale, teknika e punimit, vlerat estetike dhe artistike që ajo i ka.Kjo veshje sipas studiuesve ka arritur t’i mbijetojë periudhave të ndryshme kohore. Me gjithë elegancën e saj, ndoshta është veshja më e veçantë në Evropë.
Gjithnjë duke iu referuar studiuesve, mendohet se xhubleta është një prej veshjeve më të vjetra të popullit shqiptar , e cila është bartur deri vonë në zona të caktuara, si p.sh. në shumë fshatra të Veriut të Shqipërisë në të dy anët e kufirit. Në bazë të kujtesës së banorëve, në Krahinën e Rugovës kjo veshje është bartur deri në vitin 1952. Studiuesja Afërdita Onuzui shprehet se në ditët e sotme, xhubleta është e pamungueshme si në aktivitetet etnofolklorike po ashtu edhe në festa e gëzime familjare, në fshatrat e zonave ku është bartur kjo veshje.
Në të vërtetë, në zona të caktuara, siç është rasti me zonën e Tuzit, xhubleta ka vazhduar të punohet deri vonë. Në vitin 2009, së bashku me dy kolegët e mi etnolog nga Muzeu Etnologjik i Prishtinës, z. Bekim Xhemili dhe znj. Dafina Morina, kishim vizituar familjen Berisha nga Tuzi, më konkretisht u takuam me mjeshtren e pakundshoq, zonjën Tole Berisha e cila edhe pse në moshë të shtyrë, kishte vullnet, pasion dhe zanat për xhubletën. Gëzimi i zonjës Tole në atë kohë ishte që kjo traditë të ruhet, sepse është përcjellë me fanatizëm ndër breza, deri në ditët e sotme. Kurse, dëshira tjetër ishte që zanatin e saj për xhubletën t’ua mësonte të tjerëve, edhe pse interesimi është shumë i vogël, u shpreh në atë kohë znj. Tole Berisha.
Ajo çfarë e bënë më karakteristike xhubletën janë edhe pjesët përbërëse të saj si: Pështjellaku apo përparja, brezi i gjerë – kërdhokla, i punuar gjithashtu prej shajaku, i zbukuruar me fije gajtani, jeleku apo kraholi, këmisha, çorapët dhe opingat por edhe kundrat më vonë. Si pjesë e kësaj veshje ishin edhe stolitë e aksesorët nga argjendi dhe punimet me rruaza.
Mirëpo, në dekadat e fundit ndryshimet kulturore të cilat po na shfaqen me të madhe, kanë ndikuar në largimin e traditave dhe praktikave të moçme për shumë arsyeje. Nga puna jonë në terren, mësuam nga banorët se në Malësi, dikur ka qenë zakon që vajzat e reja kanë bërë një garë në mes veti se kush e ka xhubletën më të bukur dhe kush e ka punuar xhubletën më të mirë. Zakonisht Xhubleta më e mirë ishte ajo xhubletë e cila qëndronte në pozitë vertikale pa rënë në tokë. Po ashtu më e bukura është zgjedhur xhubleta që ka pasur të punuar ornamentikë të ndryshme.
Në lidhje me ornamentikën e xhubletës, studiuesi Agim Bido shkruan se ajo paraqet interes për shumëllojshmërinë dhe larminë e motiveve brenda simbolikës së caktuar, për kompozime të veçanta, për konceptim stilistik, koloristik e grafik, për materialet e qëndisjes, teknikën dhe realizimin mjeshtëror. Pra kjo tregon se zanati për këtë veshje ishte shumë i veçantë dhe kërkonte një logjik shumë të mprehtë nga mjeshtret të cilat e kanë punuar këtë veshje. Duke u mbështetur nga terreni, na thanë se: vajzat kur kanë shkuar te burri zakonisht në pajë kanë pasur të punuara nga 3-7 xhubleta, varësisht nga kushtet ekonomike.
Në fshatin Lepushë të Kelmendit-Shqipëri, në vendin e quajtur “Qafa e Predelecit”, në fillim të muajit gusht, mbahet aktivitet kulturor, dhe në kuadër të këtij programi bëhet një sfilatë mode nga vajzat e kësaj ane, ku të gjitha janë të veshura me xhubletë, konkurrojnë për t’u zgjedhur më e bukura e bjeshkëve të Kelmendit dhe për ta fituar kurorën “Miss Bjeshka”. Për këtë traditë banorët tregojnë, se mënyra e riorganizimit të cilën e shohim ne tani në fillim të muajt gusht është krejt e vonë, por një organizim i ngjashëm është aplikuar edhe te gjeneratat e vjetra nga banorët lokalë.
Sa e hershme është kjo traditë, kur ka filluar, si është praktikuar, si ka qenë organizimi i aktivitetit, për këtë, nevojiten studime dhe të dhëna më të thelluara në mënyrë që të japim një përfundim më të kompletuar.
Valon Shkodra ka mbaruar studimet universitare për etnologji. Punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Etnologjisë, si hulumtues i pavarur shkencor. Ka të botuar disa monografi dhe ka marrë pjesë në konferenca e aktivitete kulturore në Kosovë dhe jashtë saj./Media Ndërtimi