Banorët e fshatit Lipë të Komunës së Pejës kanë protestuar të premten pasi një gurëthyese po zhvillon punime në afërsi të Kalasë së Lipës.
Në protestën e ndaluar më pastaj nga policia për shkak të masave ndaj koronavirusit, ata pretendojnë se kompania Idila po kryen punime pa leje në afërsi të Kalasë së Lipës, e cila u zbulua në vitin 2004 dhe në vitin 2012 u fut në listën e Monumenteve të Mbrojtura me Ligj dhe mendohet se është më e madhja në Dukagjin.
Edhe kompania Idila nuk qëndroi duarkryq, ajo bllokoi rrugën e cila është në pronësi të saj mirëpo shfrytëzohet edhe nga banorët. Për këtë Policia e Kosovës e arrestoi një person nga kompania. Rruga më pas u hap pas një kërkese të PK-së.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani, i cili erdhi në vendngjarje së bashku me zëvendësministrin e Kulturës Yll Rugova, pohoi se kjo kompani nuk ka leje për të punuar në afërsi të Kalasë.
“Nuk ka leje, por, ka një pëlqim mjedisor që e ka marrë më herët. Nuk ka leje dhe nuk mund të funksionojë pa leje” tha për KlanKosova Avni Zogiani.
Kurse nga kompania Idila thonë se me pëlqimin për hulumtime që e kanë mund të operojnë me atë pëlqim deri në dy vjet. Poashtu ai thotë se Idila që nga 5 Maji ka leje për të operuar si gurëthyese të cilën ia ka lëshuar Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.
“Ne jemi duke bërë punime më tepër se 100 metra në radius të Kalasë, asaj pike ku ata pretendojnë se ka gërmadha të kalasë” ka thënë një përfaqësues i firmës.
Banorët kanë paraljmëruar protesta të tjera në rast të rrezikimit të Kalasë nga ana e operatorit.
You must be logged in to post a comment Login