Disa mure, edhe pse tejet të dëmtuara, i kanë bërë ballë kohës dhe njeriut, sa për të qëndruar dëshmi e rëndësisë që kishin dikur. Pa kulm, plot rrënoja e mbeturina është imazhi i objektt të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Hajvali të Prishtinës, që tashmë veç kultura nuk zë vend aty.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Në të u ruajt kultura, duke u zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore e artistike, për t’i lënë më vonë vend punëve administrative të Komunës së Prishtinës, si Bashkësi Lokale deri në vitin 2004.
Objektit të ndërtuar nga Miniera e Kishnicës në vitet e 1950-ta, i kanë mbetur vetëm disa mura e rrënoja. Hapësirat e sallave, ku zhvilloheshin aktivitetet kulturore të Asamblit të Këngëve dhe Valleve “Hajvalia” dhe kinemaja, janë shndërruar në deponi të mbeturinave.
Derisa insitucionet ende nuk ka shtrirë dorën e intervenimit, dikush tashmë ka projektuar rivitalizimin e këtij objekti. Arkitekja e re, Fatbardha Fejzullahu, e cila jeton në vendin ku gjendet ky objekt, ka bërë gati projektin për t’i dhënë prapë jetë kësaj ndërtese. Ajo vendosi që projektin e saj ta publikojë gjatë periudhës së karantinës si pasojë e Covid-19, për t’i ofruar diçka pozitive rrethit.
Dëshira për të parë gjallëri në këtë ndërtesë, përmes aktiviteteve të ndryshme nga të rinjtë e Hajvalisë, solli projektin e Fejzullahut.
Ajo për Ndërtimi.info ka treguar se gjendjen e objektit e përcjell që nga viti 2016, ndërsa shkatërrimi sa shkon e rritet, kjo edhe si pasojë e faktorit njeri.
“Çdo herë kur e kam vizituar ndërtesën ka munguar ndojnë element konstruktiv dhe përveç dëmeve nga kushtet atmosferike kam parë qartë kontributin e faktorit njeri në shkatërrimin e saj. Pothuajse është shëndrruar në depo të mbeturinave! Përveç kësaj, ajo që më befason më shumë është që në vitin 2019 mungon konstruksioni i murit masiv në pjesën hyrëse të ndërtesës, çka do të thotë se nuk ka as edhe një shancë të vetme që të shkatërrohet vetë dhe të zhduket tërësisht ajo pjesë pa ndihmën e faktorit njeri”, ka thënë ajo.
Fejzullah ka shpjeguar se çfarë përmbanë projekti i saj për Shtëpinë e Kulturës në Hajvali, të cilin ka planifikuar t’ua propozojë institucioneve kompetente.
“Në lokacion parashihet konservimi, revitalizimi i Shtëpisë së Kulturës me intervenime minimale, por duke ndërhyrë me konstruksion të ri nga çeliku, reverzibil (të kthyeshëm) brenda ndërtesës, me qëllim që të vihen në veprim funksionet e caktuara. Në këtë rast memoria kolektive, vlera arkitekturore dhe nevoja për hapësirë për komunitetin na mundëson që të shfrytëzojmë formën dhe konstruksionin që kemi për ti dhënë funksionin e duhur ndërtesës për shfrytëzim apo adaptim për ripërdorim”, ka treguar tutje ajo.
Pjesët e pakta që kanë mbetur nga ky objekt tash po konsoderon rrezik për banorët. E, që të shmanget ndonjë fatkeqësi dhe gjithçka të marrë formën e duhur, arkitektja Fejzullahu me projektin e saj synon edhe ruajtjen e origjinalotetit të objektit.
“Përmes këtij projekti origjinaliteti ruhet pothuajse i tëri. Ruajtja e gjendjes ekzistuese është e rëndësishme për të treguar vlerat të cilat i ka ndërtesa, integritetin strukturor dhe origjinalitetin. Pra, ndërhyrjet bëhen më shumë në pjesën e brendshme për shkak të funksionit, kurse pjesa e jashtme e ndërtesës mbetet e njejtë përveq pjesës hyrëse (foajeut) e cila shtohet në pjesën ku është shkatërruar tërësisht një pjesë e konstruksionit”, ka shtuar Fejzullahu.
Sipas saj, rikonstruktimi dhe adaptimi për ripërdorim jo vetëm që do të rikthen ndërtesën, por rikthen historinë në këtë objekt dhe në lagje./Ndërtimi.info/
You must be logged in to post a comment Login