Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka thënë se djegia e xhamisë 454 vjeçare në Vërboc është një krim i madh dhe i pakompenzueshëm.
Ai gjatë një vizite që i bëri xhamisë së djegur i’u drejtua institucioneve përgjegjëse që kryerësit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar.
Myftiu ka thënë se kjo xhami ka përmbajtur vlera jashtëzakonisht të mëdha historike dhe tradicionale të vendit tonë.
“Kjo xhami është e vjetër dhe në vehtë ka bartur një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur fetare islame kulturore e historike”
Tërnava më tutje ka thënë se arkitektët e Bashkësisë Islame do ta vlerësojnë dëmin se çfarë mund të bëhet me pjesën e objektit të xhamisë që ka mbetur.
Imami i këtij fshati, Driton ef.Kastrati, thotë se ngjarja kishte ndodhur të premten menjëherë pasi ishte falur namazi i sabahut. Në anën tjetër xhamia e re e ndërtuar shumë afër xhamisë së vjetër, sipas imamit nuk ka pësuar dëmtime me përjashtim të disa xhamave.
Kjo xhami ishte ndërtuar në vitin 1566 dhe kishte qenë xhamia e dytë më e vjetër në rajonin e Drenicës.
Xhamia që është djegur të premten nuk kishte qenë në shfrytëzim të besimtarëve, por kishte qenë e hapur për vizitorë.
You must be logged in to post a comment Login