Connect with us

Infrastrukturë

300 mijë euro shtesë për bibliotekën gjysmake në Shtime që kushtoi 226 mijë euro

Published

on

Në mungesë të objektit, Biblioteka e Shtimes veprimtarinë e zhvillon në bodrumin e një ndërtese e në kushte të vështira për lexuesit e librat. Ndërtimi i bibliotekës së re kishte filluar në vitin 2019, ndërsa në vitin 2022 punimet janë ndërprerë e biblioteka ka mbetur në gjysmë.

Për një periudhë katër vjeçare, janë nënshkruar dy Memorandume Bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Shtimes për ndërtimin e Bibliotekës dhe Arkivit të Shtimes. Sipas bashkëpunimit të parë, Komuna e Shtimes për bibliotekë do t’i merrte mbi 226 mijë euro, kurse biblioteka që do të duhej të përfundohej, mbeti e përgjysmuar.

Vitin e kaluar, Ministria e Kulturës përmes një tjetër Memorandumi Bashkëpunimi, do t’ia sigurojë edhe 300 mijë euro të tjera Shtimes për ta përfunduar projektin e lënë në gjysmë. Të dyja memorandumet arrijnë shumën e mbi 520 mijë eurove, ndërsa projekti pritet të përfundojë në vitin 2024, shkruan Foldrejt.com.

Për projektin që janë paraparë të investohen mbi 226 mijë euro, askush nuk ka dhënë përgjegjësi përfundimtare e projekti për Bibliotekë e Arkiv ka mbetur në gjysmë. Aktualisht, objekti i përgjysmuar i bibliotekës është dëmtuar tejmase shkaku i kushteve klimatike.

Sipas burimeve të afërta me bibliotekën, të vetmet ndihma janë grumbulluar nga furnizimet e Ministrisë së Kulturës, qytetarët dhe organizatat joqeveritare. Edhe përkundër vështirësive rreth pasurimit të fondit librar, biblioteka e qytetit arrin t’i ndihmojë bibliotekat shkollore nëpër fshatra komunale. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për vitin 2021, biblioteka e Shtimes ka fond prej 13 mijë e 385 libra, derisa janë të regjistruar 5565 lexues në listimet e bibliotekës.

Duhet theksuar që sipas Ministrisë së Kulturës, këtë vit Biblioteka e Shtimes për libra do të marrë ndihmë financiare në vlerë prej 6 mijë e 451 euro. Ministria e Kulturës gjatë muajit shkurt nënshkroi marrëveshje bashkëpunuese me 31 biblioteka komunale, të cilat do t’i financojë barazisht, secilën me nga 6 mijë e 451 euro./Media Ndërtimi.

Infrastrukturë

Nënshkruhet memorandumi për ndërtimin e disa rrugëve në Gjakovë

Published

on

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, bashkë me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi kanë nënshkruar memorandumin për vazhdimin e disa kontratave ekzistuese.

“Ndërtimin e Qarkores së qytetit LOT II dhe LOT III, asfaltimi i rrugëve Shqiponjë-Krelan, Lipovec-Goden, Dol-Lipobec, rruga e Radoniqit si dhe ndërtimi i disa rrugëve të lagjes së komuniteteve.

Poashtu, zv. ministri Durmishi më informoi se është duke vazhduar projektimi për urën në fshatin Rogovë.”, deklaroi kryetari Gjini./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas ende larg realizimit

Published

on

Pas dekadave degradimit dhe lënie në harresë, ka nisur puna në terren për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Edhe pse afati për përfundimin e projektit ishte shtatori 2023, në terren janë kryer vetëm 45% e totalit të punimeve.

Hekurudha Shqiptare në një përgjigje për Citizens Channel tha se afati për përfundimin e punimeve është shtyrë në mars 2024, pra me 8 muaj nga afati i përcaktuar në kontratë.

Ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë është pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës ekzistuese Tiranë–Durrës, dhe ndërtimit të një degëzimi të ri drejt Rinasit.

Tirana është kryeqyteti i vetëm në Europë pa tren. Ish-stacioni fundor i linjë Tiranë-Durrës, i cili ndodhej në qendër të kryeqytetit u hoq në vitin 2013, duke e zhvendosur atë në Kashar. Kështu hekurudha u largua nga banorët e Tiranës të cilët më herët e përdornin trenin si mjet transporti më të lirë.

Ky projekt ka nisur të diskutohet vite përpara, por në 2016 Ministria e Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore. Por që prej lëshimit të deklaratës, zbatimi i projektit ka ecur me hapa të ngadaltë duke shkelur afatet.

Eksperti i transporteve Sadedin Çeliku, shprehet se vonesa lidhet me lëvrimin e fondeve. Ai shprehet se hekurudha është lënë në degradim dhe nuk ka qenë në vëmendje të qeverive për të investuar.

“S’ka pasur interes asnjë qeveri, shkaqet janë të shumta por dhe korrupsioni është një nga arsyet. Sot rrjeti hekurudhor (450 km) është tërësisht i amortizuar kështu ka amortizim ,shinat, traversat, mjetet lëvizëse (lokomotivat, vagona mallrash e pasagjerësh) si dhe i gjithë pajisjet sinjalizuese”, tha për Citizens Channel Çeliku.

Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës parashikohet të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h, dhe ndonëse nuk është përcaktuar ende vlerësohet se çmimi i biletës do të jetë midis 1–1.2 euro.

Projekti parashikon rehabilitimin e 34.7 km linjë ekzistuese hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, si dhe do ndërtohet rreth 5 km linjë e re nga Tirana drejt Rinasit.

Kostot e projektit janë ndarë midis një granti nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Qeveria mbulon vetëm kosoton e TVSH-së në këtë projekt.

Në 19 tetor 2020, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A me një ofertë prej 69.69 mln euro. BERZH njoftoi se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj, pra punimet do të zgjasnin 2 vite e gjysmë. Edhe ministrja e  Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht dhe kontrata mes palëve bëri të njejtën deklaratë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Infrastrukturë

Synohet të ndërtohet një shkëmb artificial 200 kilometra katrorë në detin e Dubait

Published

on

Instituti detar ka zbuluar ‘Dubai Reefs’, një laborator i gjallë lundrues i krijuar për të rivendosur ekosistemet detare dhe për të promovuar ekoturizmin. Objektivi kryesor i projektit është të gjenerojë mbi 30,000 mundësi punësimi brenda një ekonomie të gjelbër në qytet.

Dubai Reefs përfshin një komunitet të qëndrueshëm lundrues dedikuar kërkimit detar, rigjenerimit dhe ekoturizmit, që përfshin objekte rezidenciale, mikpritëse, shitje me pakicë, arsimore dhe kërkimore.

Në thelb të projektit qëndron instituti detar, i fokusuar në mbrojtjen e mjedisit detar dhe bregdetar të Dubait.

Ai synon të përmirësojë aftësitë e shkencës detare dhe të ruajtjes së Dubait duke krijuar një shkëmb artificial të larmishëm që përfshin 200 kilometra katrorë. Projekti synon gjithashtu të sigurojë një habitat për mbi 1 miliard korale dhe 100 milionë pemë mangrove.

Dubai Reefs kërkon të krijojë përvoja të ekoturizmit detar, duke shfaqur eko-lozha të ndryshme lundruese të fuqizuara tërësisht nga burime të rinovueshme të energjisë si energjia diellore dhe hidrocentrale. Fermat me valë do të gjenerojnë energji të pastër për të përmbushur kërkesat në rritje për energji të popullsisë së Dubait.

Për më tepër, projekti do të inkorporojë “Bujqësia e Oqeanit Rigjenerues”, një metodë miqësore me klimën e prodhimit të ushqimit.

Dubai Reefs promovon përfitime sociale, mjedisore dhe ekonomike. Ajo aspiron të transformojë Dubain në një eko-destinacion ku oqeani dhe qyteti mund të lulëzojnë në mënyrë harmonike. URB është një lider global në arkitekturën e qëndrueshme që promovon ekonomi më të gjelbra, me projekte të ndryshme të bazuara në Dubai.

Në vitin 2022, arkitektët zbuluan distriktin e tyre të ri të teknologjisë urbane të planifikuar për zonën Creekside të Dubait të Al Jaddaf.

Zhvillimi është planifikuar të bëhet një zonë neto me zero karbon. Për më tepër, URB ka njoftuar planet e saj për të zhvilluar destinacionin më të madh të agroturizmit në botë në Dubai, i cili ofron siguri ushqimore dhe nxit qëndrueshmërinë e komuniteteve lokale, trashëgimisë dhe peizazheve kulturore.

Continue Reading

Trending