Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, organizata INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit me titull: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore e rrugëve në Komunën e Deçanit”, me numër të prokurimit 631-22-6182-2-1-1 dhe vlerë të parashikuar 1,887,120 euro, të udhëhequr nga Komuna e Deçanit.
INPO gjatë monitorimit të këtij aktiviteti ka vlerësuar se Komuna e Deçanit ka vendosur kërkesa shumë të larta, jo proporcionale, madje edhe jo valide.
Komuna e Deçanit tek përshtatshmëria profesionale ka kërkuar një numër shumë të madh të ISO standardeve, ku njëri prej tyre OHSAS 18001 nuk është fare valid që nga muaji mars i vitit 2021.
Komuna e Deçanit gjithashtu ka vendosur kritere shumë të larta dhe jo proporcionale lidhur me kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale.
Përveç se këto kërkesa janë shumë të larta dhe jo proporcionale, shumica prej tyre fare nuk kanë të bëjnë me shërbimin që pritet ta përmbush operatori ekonomik. Posaçërisht duke pasur parasysh faktin që kjo kontratë do të jetë me kohëzgjatje tre (3) vjeçare.
Për shembull, Komuna e Deçanit për mirëmbajtje të rrugëve gjatë sezonit të verës dhe të dimrit, kërkon dy kamion 40 ton, një kamion 30 ton, rimorkio 50 e 30 ton dhe shumë kërkesa tjera të cilat fare nuk janë të domosdoshme për përmbushje të kontratës në mënyrë cilësore.
Gjithashtu, kërkesa 2 “Minimumi i mesatares së fuqisë punëtore së paku nga 50 (pesëdhjetë) punëtorë në tri vitet e shkuara”, është shumë e lartë, përjashtuese dhe fare nuk ndikon në përmbushjen e kësaj kontrate.
INPO përmes një reagimi të brendshëm më 23.06.2022, ka kërkuar nga Komuna e Deçanit që të largohen të gjitha këto kërkesa shumë të larta, jo proporcionale, madje edhe jo valide nga Dosja e Tenderit dhe në Dosje të mbeten vetëm kërkesat e domosdoshme të cilat sigurojnë menaxhim dhe cilësi të duhur.
Gjithashtu, është rekomanduar që Komuna e Deçanit përmes Formularit B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, të bëj përmirësimet e duhura në mënyrë që të sigurohet konkurrencë për të gjithë operatorët ekonomik. Sepse kjo përveç që është parim i Ligjit për Prokurimin Publik, në të njëjtën kohë edhe autoritetit kontraktues i siguron çmim më të lirë.
Më 27.06.2022, Komuna e Deçanit ka publikuar FormularinB54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, ku është larguar ISO jo valid, numri i punëtorëve nga pesëdhjetë (50), është ulë në njëzet e pesë (25), si dhe janë larguar, përkatësisht janë ulur kërkesat lidhur me mundësitë teknike dhe/ose profesionale./Media Ndërtimi.