Një ndër gjerat për të cilat është i njohur kryeqyteti jonë, janë padyshim kafenetë e shumta, herë më të thjeshta e minimaliste, e herë të mbushura me detaje e dekorime nga stilet më të ndryshme. Një tjetër projekt fantastik që pasuron vazhdën e kafeneve është edhe lokali i sapo hapur i quajtur “Urban Gastro Lounge”, projektuar me shumë shije e finesë.
Që ditën që lokali hapi dyert për publikun e gjerë, duket sikur secilit që i shkeli këmba aty ra në dashuri me ambientin, gjithashtu edhe shërbimin mjaft profesional. Kritikat e profesionistëve të fushës, veç i vunë vulën punës së shkëlqyeshme të ekipit projektues, profesoreshës dhe arkitektes Teuta Jashari Kajtazi dhe dy arkitektëve, Florim dhe Eris Kajtazi.
Për Ndërtimi.info, arkitektja Jashari-Kajtazi, ka treguar se frymëzimi dhe rezultati i tërë projektit janë të lidhura me tendencën për të theksuar dozën e humbur të “urbanes” në qytetin tonë, përfshirë prezantimin mural i cili arrin ta plotësojë këtë qëllim. Nuk duhet harruar lartësinë e theksuar, dysheme-plafon, e cila të jep mundësinë e përjetimit shumë më të lirshëm të tërë asaj që ofron hapësira.
Fronti i lokalit mbyllet nga një mur i qelqtë që lejon vizitorët të kenë pamje të të gjithë hapësirës gjigante qysh në hyrje. Me të hyrë në lokal, vizitorët përballen me banakun i cili ndodhet në qendër të hapësirës dhe rrethohet nga karrige në të gjitha anët.
“Prezenca e metalit të papërpunuar, drurit, tullës dhe betonit në trajtë natyrale plotësohet me aplikimin e ngjyrës së kuqe në banak, e cila i komplementon materializimit në përgjithësi”, shpjegon Teuta Jashari-Kajtazi.
This slideshow requires JavaScript.
Hapësira përfiton ndriçim të mrekullueshëm natyral nga tre kupolat me xhama në tavan. Një hapësirë e mbushur me dritë e që ngjason në një “xhungël urbane” nga të gjitha bimët e integruara në dizajn, është një hap fantastik, drejt krijimit të një mjedisi super relaksues, për te cilin flet edhe vetë arkitektja, Jashari-Kajtazi.
“Nuk duhet lënë anash konceptin e futjes së aspektit “natyrë” brenda hapësirës. Po ashtu, i është dhënë rëndësi e veçantë, ndriçimit natyrorë dhe atij artificial, me ç’rast gjatë gjithë kohës mund të krijohen efektet e veçanta dhe loja e analizuar mirë e hijes dhe e dritës”, tregon ajo.
Sipas arkitektes, projekti paraqet tendencë të ripërdorimit adaptiv, të një hapësire e cila para shumë vitesh funksionin primar nuk e ka pasur të orientuar kah gastronomia, edhe pse viteve të fundit është shfrytëzuar nga të tjerët si e tillë.
Dhe duket sikur kjo hapësirë është e bërë që të jetë “Urban Gastro Lounge”, dhe ka pritur aq gjatë.
“Projekti përmban ndërthurje të elementeve të gjendjes burimore, që janë lanternat/kupolat apo përgjithësuar ndriçimi zenital me një theks të betonit natyral (Brut) sidomos në strukturë të mbulesës, dhe të materializimit bashkëkohor i cili shkon drejtë ndjenjës së industrializmit në njërën anë, dhe të materializimit të ngrohtë në anën tjetër”, shtoi arkitektja.
Realizmi i projektit ka zgjatur rreth katër muaj, me një përkushtim të theksuar në të gjitha hollësirat, si nga projektuesit/dizajnerët ashtu edhe nga ata të cilët e kanë bërë të mundur realizimin./ndertimi.info/
You must be logged in to post a comment Login